pink-minimalist-gynecologist-logo---2023-12-20t161459.257.png

Nga ShBA-të në Maqedoninë e Veriut, Liz Biron rrëfen shok-un kulturor: Këtu janë më të theksuara rolet gjinore

DORA VETË

December 20th, 2023

“Nuk kisha dëgjuar kurrë për Maqedoninë e Veriut, kështu që mendova pse të mos shkoja në një vend krejtësisht të ri,” tha ajo. Kjo është hera e dytë që shërben në Korpusin e Paqes, pasi që shërbimi i saj i parë u ndërpre nga pandemia e Kovid-19.

Si të gjithë vullnetarët e Korpusit të Paqes, Liz është amerikane. Korpusi i Paqes është një program i qeverisë amerikane që sjell shtetasit amerikanë që duan t'u shërbejnë vendeve në zhvillim në vendet që duan ndihmë nga vullnetarët amerikanë. Përveç ofrimit të zhvillimit të aftësive në fusha të ndryshme, programi gjithashtu synon të sigurojë shkëmbim kulturor që lejon njerëzit në vendin pritës të njohin amerikanët. Vullnetarët duhet të jenë të paktën 18 vjeç dhe të kenë një diplomë baçelor ose pesë vjet përvojë profesionale.

Liz aktualisht ligjëron gjuhë angleze në një shkollë të mesme në një qytet në perëndim të Maqedonisë së Veriut. Ajo ka mësuar maqedonisht dhe shqip.

Kur u pyet për dallimet kulturore me të cilat u përball kur u transferua këtu, Liz theksoi strukturën e ngurtë dhe individualiste të jetës amerikane, dhe mënyrën e qetë, shoqërore të jetesës në Maqedoninë e Veriut si kontraste midis të dy kulturave. Ajo gjithashtu dha një këndvështrim interesant për marrëdhëniet ndërpersonale:

"Këtu i jepet rëndësi kalimit të kohës me të tjerët, si për të pirë kafe ose për vizitë në shtëpinë e dikujt," tha ajo. "Në Amerikë shtëpia është më shumë një vend privat, të paktën në përvojën time ne nuk e kemi konceptin "mysafirë". Kultura këtu kultivon një bujari të theksuar në ofrimin e ushqimit dhe mikpritjes, dhe kjo shprehet në një mënyrë më të drejtpërdrejtë se në Amerikë.

"Unë kurrë nuk dal e uritur nga askund, dhe kjo është një gjë që e vlerësoj në jetën time këtu."

Para pandemisë, kur ajo shërbente në një fshat rural, një ditë e zakonshme për të përfshinte zgjimin herët për të ndihmuar nënën e saj nikoqire të ushqente lopët, të përgatiste plane mësimore për orët dhe, pasi të kthehej në shtëpi, duhej të ndihmonte vëllezërit e saj nikoqir me detyrat e tyre të shtëpisë në anglisht. Ajo thekson se aktivitetet ndërvepruese me nxënësit e saj më të vegjël dhe peizazhi i bukur janë gjërat më të bukura të ditës së saj.

Mollekuqja.mk pyeti Liz-in për mendimet e saj për sa i përket roleve gjinore në Maqedoninë e Veriut, dhe ndërsa ajo u pajtua se këtu janë shumë më të rrepta se në Shtetet e Bashkuara, ajo gjithashtu vuri në dukje se kjo e fundit, si një vend jashtëzakonisht i madh, përballet me të njëjtat sfida në disa vende të ndryshme.

"Këtu ka shumë rëndësi të jesh një burrë mashkullor ose një grua femërore, dhe ka disa veprime që lidhen me këtë," tha ajo. “Një burrë mashkullor është ai që merret me sport, drejton një makinë të bukur dhe siguron gjërat materiale për familjen e tij, dhe një grua femërore është dikush që rrit fëmijët, pastron shtëpinë dhe ka një punë më tradicionale, siç është mësuesia.

Sa i përket asaj se a po i bëhet asaj ky presion në Maqedoninë e Veriut, ajo beson se si e huaj, veçanërisht amerikane, ajo është “çliruar” nga pritshmëritë e zakonshme shoqërore të vendosura ndaj grave këtu, përkatësisht të martohen deri në një moshë të caktuar dhe të kenë fëmijë.

Si mësimdhënëse e anglishtes, Liz-it i pëlqen se sa të përfshirë dhe të zellshëm janë nxënësit e saj dhe ajo e kupton se si folëse amtare ajo iu shërben atyre si përparsi e madhe në procesin e të mësuarit. Megjithatë, ajo beson se sistemi i ngurtë arsimor në Maqedoninë e Veriut lë shumë pak hapësirë ​​për fleksibilitet.

“Mësuesit me të cilët punoj kanë objektive të caktuara që duhet t’i arrijnë para se të përfundojë semestri, dhe kjo do të thotë se ata janë nën një presion të madh për t'u siguruar që të mbulojnë të gjitha mësimet,” tha Liz. Ajo shtoi: "Nëse një mësim që ka të bëjë me diçka komplekse dhe mund të ketë nevojë për një sërë orësh mësimore, por ju keni vetëm një orë, duhet të gjeni një mënyrë për ta përshtatur atë në kohën që keni sepse duhet të kaloni në tjetrin mësim."

Ajo tha se megjithëse nxënësit janë disi pesimistë për atë se a do të ja dalin në jetë, ata janë ende të motivuar për të bërë një ndryshim.

“Duket sikur ata ndihen sikur nuk kanë ndonjë mundësi reale për të bërë gjëra që i bëjnë të ndihen të suksesshëm, por edhe më e rëndësishme se të kesh një mundësi është të ndihesh sikur po krijon një mundësi aty ku nuk ka”, tha ajo.

Për Liz-in nuk është e rëndësishme vetëm t'u mësojë nxënësve të saj anglishten, por edhe t’ua mësojë fuqizimin, vetëbesimin, perspektivën dhe besimin se sa më shumë ndjeshmëri të kenë për të tjerët dhe për veten, aq më të pasur janë shpirtërisht.

Fatos Grubi

Fatos Grubi

Fatos Grubi ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës. Ai është shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Fatosi ka punuar si mësimdhënës, kurse për momentin punon në “Sopro” si Ekzekutiv Marketingu.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia