April 7th, 2024
Kur mposhten paragjykimet, mund të realizohen projekte të jashtëzakonshme.
Maria Duda Dabiaxhio, nga Kriva Pallanka, është një nga 30,344 gratë fermere në vendin tonë. Në lexim të parë ky numër mund të duket i lartë, por krahasuar me burrat fermerë, gratë përbëjnë vetëm 30% nga numri i përgjithshëm. Në vitin 2020 kur bota po përballej me pandeminë, Maria nuk e kishte menduar se do të ishte periudha kur ajo do të mërrte vendimin që do të ndryshonte jetën e saj. Në atë kohë në një hotel me pushime në Majemi, dëgjoi se shtetet do të izoloheshin për dy vjet. Ky ishte moment kur ajo duhet të merrte vendimin, do të qëndronte në SHBA apo do të kthehej në Maqedoninë e Veriut. Ajo kishte në pronësi një parcelë, por duhet të mendonte një mënyrë ndryshe për ta shfrytëzuar. Me tu kthyer në vendin e saj, gradualisht nisi të ndërtojë fermën që zotëron sot.
“Më parë kisha një kalë, e mbaja si hobi, por nuk e ruaja vet. Që nga viti 2020 kam filluar vet, duke ndërtuar stalla, duke mësuar si të sillem me kafshët, por sinqerisht gjithçka më erdhi spontanisht dhe natyrshëm, sepse që kur isha fëmijë kisha shumë dashuri për kafshët. Kam fermën time me kafshë të shpëtuara me të cilët punoj hipoterapi për persona me problem fizike dhe psiqike. Megjithatë, ferma funksionon edhe për të gjithë ata që dëshirojnë të shplodhen në prani të kafshëve dhe natyrës. Dita ime nis në orën 7 të mëngjesit, duke u kujdesur për 43 kafshë dhe gjithashtu përfundon në të njejtën mënyrë. Në përgjithësi qëndroj jashtë në natyrë, madje edhe deri në 10 orë. Për mua kjo është kënaqësi që më plotëson shpirtërisht”- tregon Maria duke rikujtuar fillimet në këtë rrugëtim të saj.
Ajo thotë se fakti që është grua në një profesion të dominuar nga burrat, është paragjykuar, madje edhe është shikuar me rezerva duke thënë se nuk do të mund të ia dalë. Ajo inkurajon çdo grua që ndoshta ëndërron që të nis biznesin e saj në fshat, të mos heq dorë, pavarësisht përpjekjeve te njerëzve për ta dekurajuar.
“Por ka edhe nga ata që janë të lumtur t'ju ndihmojnë të mësoni, kështu që tani di të shkurtoj thundrat e kafshëve, të pres barin për sanë etj., gjëra fshati që janë të nevojshme. Mesazhi im për gratë që duan të fillojnë diçka të tyren në fshat si biznes është të mos dekurajohen, është shumë e lehtë të heqësh dorë, sepse gjithmonë do të ketë dikush ose diçka që do t'ju thotë se nuk mund të bëhet, në këtë mënyrë apo në atë mënyrë. Kjo mund të bëhet vetëm me besim në vetvete dhe dëshirën për të mësuar. Çdo gjë që është e pamundur tek ne është e mundur dhe e pranuar në botë, thjesht jini të hapur ndaj ndryshimeve, ideve dhe risive - është e lehtë të jesh i suksesshëm jashtë, sepse gjithçka vlerësohet - por këtu me dijen dhe qëndrimin tonë do të krijojmë ndryshime për gratë dhe brezat e rinj të ardhshëm. Vendi ynë është i bukur, toka është pjellore, kushtet e motit gjithashtu ia vlen të filloni biznesin tuaj me bujqësi dhe bujqësi”- porosit ajo.
Nga Federata Kombëtare e Fermerëve thonë se gratë rurale përballen me një sërë sfidash, të cilat janë përjashtimi social, papunësia, diskriminimi gjinor, shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe burimeve, dominimi i normave tradicionale, heqja e pronësisë së tokës bujqësore, heqja e së drejtës për leja prindërore e paguar, qasja dhe oferta e kufizuar e arsimit, informacione, kujdes shëndetësor shërbimet publike dhe sociale etj. Numri i grave që merren me bujqësi është edhe më i lartë se ai që pasqyrohet në shifrat zyrtare, por gruaja edhe sot vazhdon të jap kontributin e saj në fermat familjare, pa përfituar ndonjë pagesë. 47% e grave të papuna në zonat rurale bëjnë punë pa pagesë në fermat familjare.
“Në Regjistrin e Unifikuar të Bujqësisë, janë të regjistruara 30,292 fermere. Vetëm 5% e grave në zonat rurale zotërojnë pronë, zakonisht e trashëgojnë pas humbjes së bashkëshortit ose nëse familja ka vetem trashëgimtare. Kjo çon në situatën në të cilën ndodhet gruaja, e kufizuar në zotërimin e fondeve për drejtimin dhe zhvillimin e biznesit të vet. Traditat e rrënjosura dhe normat patriarkale i dekurajojnë gratë për të mbajtur kontrollin mbi pasurinë e trashëguar”- thonë nga Federata Kombëtare e Fermerëve.
Në vitin 2018, më 15 tetor – Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale, Federata Kombëtare e Fermerëve mori iniciativë dhe nënshkroi një Deklaratë së bashku me Rrjeti për Zhvillim Rural dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, për përmirësimin e pozitës ekonomike dhe sociale të grave rurale.
“Pikërisht pas nënshkrimit të Deklaratës me iniciativën e Federatës Kombëtare të Fermerët janë hequr kriteret diskriminuese që ishin të nevojshme për të qenë përfitues të grantit për masën rurale nga Programi për Mbështetjen Financiare për Zhvillim Rural në të cilat kërkohej që gruaja të ketë një fëmijë, të jetë e martuar, e papunë, të jetojë në lartësi mbidetare 800 metra në një vendbanim me 200 banorë. Më pas u formua një grup pune në Ministrinë e Bujqësisë, i cili u mbështet nga UN Ëomen për të përcaktuar kriteret e reja të cilat u mundësuan 320 fermereve femra të marrin këtë grant dhe të fillojnë biznesin e tyre, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së tyre bujqësore. Në vitin 2023 u miratua Programi i Mbështetjes Sociale përmes të cilit gratë fermere kanë të drejtën e kompensimit në rast të parandalimit të kryerjes së veprimtarisë bujqësore për shkak të lindjes. Kjo e drejtë vlen për fermeret e regjistruar individuale, të cilët nuk mbulohen nga rregulloret për pushimi i lehonisë me pagesë nga fusha e marrëdhënieve të punës, dhe realizohet për herën e parë, megjithëse problemi ekziston për më shumë se tre dekada. Programi ofron mbështetje financiare një herë, e cila për këtë vit arrin në 100.000 denarë”-thonë nga Federata Kombëtare e Fermerëve.
Duke bërë një analizë të gruas në bujqësi sot në krahasim me rreth 40 vjet më parë, nga Federata Kombëtare e Fermerëve thonë se gratë fermëre janë bërë më aktive gjatë viteve të fundit.
“Në fillim kishte një numër të vogël grash në Federatën Kombëtare të Fermerëve. Në vitin 2008 kishte 5 gra, kështu që sot organizata ka 240 gra anëtare të cilat bashkëpunojnë së bashku dhe luftojnë për të drejtat e tyre. Një shembull i mirë është rasti i Federatës së Fermerëve ku tani në krye të kësaj organizate është një grua, Vaska Mojsovska, e cila së bashku me një numër të madh të grave ngritën zërin dhe u bë e mundur vendosja e një dialogu konstruktiv me institucionet në drejtim të krijimit të politikave, masave dhe programeve për përmirësimin e ekonomisë dhe statusit social të gruas rurale. Në këto 8 vjet në Federatën Kombëtare të Fermerëve është vënë theks i veçantë në barazinë gjinore. Ne arritëm të ngremë zërin e grave rurale. Ndër aktivitetet e tyre përmenden edhe gruaja fshatare dhe fermerja. Por rruga nuk është e lehtë dhe lufta sigurisht që vazhdon”- informojnë nga Federata e Fermërëve.
Siç mund të kuptohet nga ajo që lexuat deri tani, për të arritur një ndryshim duhet të ketë vullnet nga të gjitha palët e përfshira. Zëvendës ministrja në Ministrinë e Bujqësisë, Vjollcë Berisha, thotë se dikasteri i Bujqesisë përpiqet që të bëjë fushata informuese përmes njësive rajonale që kanë, por edhe përmes programesh e masash të ndryshme në mënyrë që të regjistrojmë edhe gra të tjera që do të merren me bujqësi. Këtë e bëjnë duke i shpërfaqur avantazhet e kritereve mbështetëse për fermeret gra, prezantimi i programeve tona të mbështetjes etj. Kohëve të fundit këtë prezantim e bëjnë edhe përmes rrjeteve sociale.
“Gjithashtu, theks të veçantë i kushtojmë edhe këshillimit të fermerit, qoftë burrë a grua, në mënyrë që më lehtësisht t’i përballojnë sfidat e veprimtarisë së tyre të vështirë kultivuese a prodhuese. Rritja e numrit të grave fermere është një nga qëllimet tona kryesore si institucion, disa nga programet tona janë të dedikuara mu ndaj kësaj problematike të ndjeshme. Përveç programeve e masave të veçanta mbështetëse, në kriteret e po të gjitha programeve mbështetëse ekzistojnë pikët shtesë që u japin përparësi aplikueseve gra në raport me burrat. Ekzistojnë edhe programe të veçanta vetëm për gratë fermere. Bie fjala, që nga viti 2017 në programin tonë ekziston masa për përkrahje të gruas rurale, të cilën deri më tani e kanë shfrytëzuar 320 gra, masë kjo që i mbështiste me 3000 euro gratë fermere që e kanë përqendruar punën e tyre në prodhime tradicionale vendore. Kjo mbështetje që nga viti I kaluar është dyfishuar në 6000 euro. Gjithashtu, tanimë gratë fermere kanë mundësi të punësohen si fermere, të regjistrojnë biznesin e tyre, të shfrytëzojnë pushimin e paguar të lehonisë dhe të gjitha benifitet e tjera të punësimit në veprimtari të tjera, duke shfrytëzuar mbështetjen e programeve tona”- thotë zëvendës ministrja e Bujqësisë.
Sipas të dhënavë të Entit të Statistikave, në zonat urbane 22,578 gra i përkasin kategorisë "punonjës i papaguar i familjes" dhe në zonat rurale ky numër është 23,544 gra (64% e totalit të punëtorëve të papaguar të familjes). Në përqindje, gruaja në zonat rurale shfaqet si punëdhënëse me vetëm 0.5% dhe si e vetëpunësuar me vetëm 3.5%. Në përgjithësi më e theksuar është prezenca e gruas fermere në rajonin e Pellagonisë. Konkretisht numri më i madh i tyre është i regjistruar në zonën e Prilepit, si kultivuese e duhanit, por edhe të kultura të tjera bujqësore. Gjithashtu, pas Prilepit (ku janë të regjistruara 3180 gra), më dendur i gjen fermeret në zonën e Manastirit (me 2324 fermere). Por, nuk është keq edhe në zonën e Kumanovës, me 1930 fermere të regjistruara si poseduese të tokës bujqësore, e që zhvillojnë veprimtari bujqësore.
Evi Shkopi është juriste e diplomuar në Universitetin e Tetovës. Ajo ushtron profesionin e gazetarisë tashmë 11 vite, kurse aktualisht punon si gazetare dhe prezantuese në edicionin informativ në Klan Maqedoni. Evi raporton kryesisht mbi problematikat në arsim, shëndetësi, ekologji, tema sociale dhe ngjarje tjera aktuale.
TË NDRYSHME
Zyrtarët në Gaza bëjnë të ditur se 70% e palestinezëve të vrarë janë gra dhe ...
Ardit Ramadani
11/09/2024
"Pse?", "Çka?" dhe "Si?" të e depresionit pas-lindjes, flet psikologia Fatime...
Ardit Ramadani
13/01/2022
Fazat psikologjike të zhvillimit dhe krizat e pjekurisë: Përparim apo ngecje?
Muhamed Veliu
03/04/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia