pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-02-01t173427.931.png

Shumë procedura, pak interes për adoptim të fëmijëve në Maqedoninë e V. çiftet LGBT s'mund të adoptojnë

MARRE

February 1st, 2024

S’ka ndjenjë më të mirë se sa ajo që e përjeton kur e sjellë në jetë një fëmijë dhe prej atij momenti, s’ka njeri që don më shumë se sa atë fëmijë. Kështu thuhet.

Por s’janë pak në numër rastet kur prindërit i braktistin ato, menjëherë pas lindjes ose pak vite më vonë. Arsyet se pse ata e marrin këtë vendim mund të jenë të panumërta, por kjo s’e ndryshon faktin që këta fëmijë lihen në dorë të fatit, institucioneve apo klinikave të ndryshme.

Kështu, sot në Maqedoninë e Veriut gjithsej 119 fëmijë presin që të adoptohen, prej të cilëve:

  • 16 fëmijë janë me zhvillim psikomotorik të volitshëm

  • 32 fëmijë janë me pengesa të lehta në zhvillimin psikomotorik

  • 32 fëmijë janë me pengesa mesatare në zhvillimin psikomotorik

  • 39 fëmijë janë me pengesa të rënda në zhvillimin psikomotorik

Shumë pak prej tyre adoptohen. Për shembull, sipas të dhënave që i siguruam nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, në vitin 2023 janë adoptuar vetëm 19 fëmijë, po aq sa në vitin 2022. Në vitin 2021 janë adoptuar 21 fëmijë ndërsa numri më i vogël i fëmijëve të adoptuar brenda katër viteve është shënuar në vitin 2020, ku janë adoptuar vetëm 17 fëmijë.

Rruga e gjatë drejt adoptimit të fëmijës

Fakti që më shumë se njëqind fëmijë presin që të adoptohen nuk ka shërbyer si alarm për institucionet kompetente që t’i lehtësojnë procedurat për këtë, por përkundrazi, adoptimi në Maqedoninë e Veriut mund të zgjasë nga katër deri në pesë vite.

Arta Mero është ligjëruese e të drejtës familjare, thotë se një sërë kushtesh duhet të plotësohen në mënyrë që të mund të adoptoni një fëmijë ndërsa janë dy faza kryesore që duhet kaluar, përgatitore dhe faza e marrjes së vendimit përfundimtar për adoptim.

“Ka afate ligjore, por në praktikën juridike të vendin tonë këto afate në të shumtën e rasteve nuk respektohen, madje edhe tejkalohen” duke shtuar se shpesh ndodhë që koha e pritjes nga adoptuesit potencial të jetë aq e gjatë, që rrezikon në tejkalimin e moshës maksimale të paraparë me ligj për adoptuesit, që është 45 vjeç.

Ka një sërë kriteresh që duhet të plotësohen në mënyrë që të mund të aplikoni për adoptim të një fëmije. Hulumtuam nëse për adoptim mund të aplikojnë edhe personat e vetëm, përkatësisht të pamartuar, rezulton që është e lejuar, por jo domosdoshmërisht e dëshiruar.

Adoptuesit potencial vlerësohen me pikë, sa më shumë pikë, aq më të larta shanset për adoptim.

“13 pikë janë të rezervuara për statusin martesor të adoptuesve/it potencial, edhe atë 13 pikë nëse jeton në bashkësi martesore më shumë se 3 vjet, 10 pikë nëse jeton në bashkësi martesore deri në 3 vjet, 4 pikë nëse jeton në bashkësi jashtëmartesore dhe 1 pikë nëse është i/e vetme” tha Mero, shtoi se kështu “mund të konstatojmë që legjislacioni ende i jep përparësi konceptit tradicional të familjes duke e vënë theksin në martesën dhe duke shmangur kështu bashkësinë jashtëmartesore dhe personat e vetëm”

Nuk është e thjeshtë por sipas Artës është shumë e rëndësishme periudha para themelimit të adoptimit, ku fëmijës i jepet një kohë për t’u adaptuar me familjen e re, kjo periudhe s’mund të jetë më e shkurtër se 2 muaj, as më e gjatë se 3, me përjashtime. Para se të fillojë kjo procedurë, “adoptuesit kanë të drejtë që të njoftohen lidhur me gjendjen shëndetësore të fëmijës” tha Arta.

Çiftet gej dhe lezbike nuk njihen si adoptues potencial

Maqedonia e Veriut përveç që nuk e njeh martesën mes të njëjtës gjini, nuk i njeh as bashkësite civile, kjo e bën të pamundur adoptimin e një fëmije nga ana e tyre. Pavarësisht kësaj, ekzistojnë mundësi që ata të krijojnë familje.

Mollëkuqja bisedoi me një burrë gej, i cili është bërë baba përmes fekondimit artificial.

"Është përgjegjësi e madhe të adoptosh një fëmijë, nuk e di nëse unë do të isha në gjendje ta rris atë i vetëm, edhe po të mos ishte procesi aq i gjatë dhe i lodhshëm. Prandaj edhe më ka tërhequr opsioni i fekondimit artificial, ku unë dhe shoqja ime jemi prindërit biologjik të fëmijës: nuk jemi të martuar, por të dy jemi shumë të përfshirë në jetën e fëmijës. Ligjërisht, shoqja ime ka kujdestarinë kryesore për fëmijën, por mund të them se të dy kalojmë kohën e njëjtë me fëmijën tonë." tha bashkëbiseduesi i ‘Mollëkuqja’, i cili deshi të ngelet anonim.

Aktualisht bashkë me shoqen e tij, nënën e fëmijës, po i ndajnë përgjegjësitë prindërore. Përkundër që familja të cilën ata e kanë krijuar nuk është tradicionale apo e zakonshme, ata gëzojnë mbështetje të plotë nga rrethi dhe familja.

“Ka qenë përvojë interesante, dhe ajo që mund të them është se disa njerëz në situata të ngjashme si e jona, pra një burrë gej dhe një grua lezbike, kanë marrë shembull nga ne dhe në këtë mënyrë kanë krijuar edhe ata familje, gjë që më bën të lumtur.” tha ai.

Ai shtoi që familja e tyre funksionon shumë mirë, ka komunikim të mirë dhe të sjellshëm mes palëve, dhe gjëja më e rëndësishme për ta është se kanë një fëmijë të lumtur dhe të shëndoshë, që fatmirësisht nuk ka pasur probleme me bullizëm.

Çfarë pas adoptimit?

Arta Mero spjegon se “Menjëherë pas kryerjes me sukses të të gjitha procedurave për adoptim, në Librin Amzë të të lindurve, si prindër shënohen kurse si vend i lindjes së fëmijës shënohet vendi, të cilin me marrëveshje do ta përcaktojnë adoptuesit”.

Lidhja emocionale e krijuar mes adoptuesve potencial dhe fëmijës si dhe kualiteti i kujdesit ndaj fëmijës janë të rëndësisë së veçantë, në lidhje me këtë, Arta tha se realizohen edhe vizita mbikëqyrëse.

“Mbikëqyrja realizohet duke vizituar familjen në periudha të ndryshme të ditës që të mund të mbikëqyret kryerja e aktiviteteve të ndryshme ndaj fëmijës. Parasëgjithash, bisedohet me adoptuesit dhe me fëmijën nëse është në një moshë më të rritur, mbikëqyret fëmija dhe zhvillimi i tij, bisedohet me anëtarët e tjerë të familjes, kushërinjtë, shoqërinë dhe tjera” tha Mero.

Interesi për të adoptuar fëmijë është jashtëzakonisht i ulët në Maqedoninë e Veriut. Kjo sipas Artës vjen edhe si pasojë e ekzistimit të metodave të ndryshime alternative të lindjes së fëmijës, përkatësisht të reproduktimit artificial Tema e adoptimit vazhdon të jetë një temë delikate, e heshtur nga një kulturë ku normat shoqërore janë të rrënjosura thellë, dhe stigma e krijimit të familjes në këtë mënyrë ndikon shumë në vendimet e individëve dhe çifteve për të adoptuar.

Fatos Grubi

Fatos Grubi

Fatos Grubi ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës. Ai është shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Fatosi ka punuar si mësimdhënës, kurse për momentin punon në “Sopro” si Ekzekutiv Marketingu.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia