yellow-and-black-modern-corporate-seek-cover-image-3.png

Adelina Badivuku në Tregime Pjeshkash: Ndjej dhimbje për vajzat që vriten që në bark, veç pse nuk janë djem

FEMINISTING

April 6th, 2023

Atë ditë tetori, në sallonin e bukurisë në Prishtinë, ishte vështirë me e ngop gjoksin ajër, nga aromat e parfumeve të forta të përziera me erën e produkteve që pamëshirshëm aplikoheshin në flokët tona. Në ambientin luksoz, para pasqyrës të ulura dhjetë gra, secila me qëllimin e vetëm, të dukej bukur sonte për ahengun ku ishte e ftuar. Në anën time të majtë, një grua e re, ofshamën e së cilës e dëgjoja nën zhurmën e tharësit të flokëve. Në pasqyrë, ku i shihej fytyra e plotë, ishte e pamundshme mos me e pa nji trishtim të thellë në sytë e saj. I buzëqesha disa herë, me i marrë vëmendjen, po ajo ishte komplet e humbur. Nga këndi i syrit i vërejsha lëvizjet e gjoksit me cdo frymëmarrje, dhe secilën herë më dukej që po merr frymë edhe ma thellë. Floktarja e zanë me detyrën e saj, nuk e dëgjova që i foli, ajo komunikonte me flokët e verdha të derdhura mbi supet e gruas së re, bukurisë së cilës nuk i shkonte ajo hije trishtimi. 

Dola nga salloni, për pak ajër të pastër para se të kaloja te grimerja. Ende pa e ndezur cigaren, mu bashkua ajo, gruaja e bukur me fytyrë të trishtuar. U ul në karrigen përballë, pa më shikuar, e fokusuar në bisedën që po e bante në telefon. Në momentin e parë që më shikoi i buzëqesha dhe e komplimentova për flokët. “ Sen s’po më vyn, tha, as flokët as bukuria, as jeta”. Nuk ju desht ma shumë, se nji buzëqeshje miqësore, që të fillojë tregimin e saj. 

“Jom martu e re, me dashni, e kom shku në Evropë me jetu me burrin e familjen e tij. Jom nuse e hazretit, shtatë kunata edhe vjehrritë i kom, krejt jetojnë atje. Me burrin duhemi shumë, për shtatë vjet martesë na i ka fal zoti tre qika. Krejt të mirat e zotit i kemi. Familja e burrit ka nji biznes e jetën e kom si në filma. Kurgjo s’më mungon. Edhe vjehrria më dojnë, edhe kunatat. Ju kom ndihmu familjes tem shumë, ju ka ndrru jeta masi jom martu unë. Qikat i kom si dritë; të menqme, të bukura, të dashtuna, po badihava s’kom djalë.”

E dëgjova me kurreshtje, pa mujt me fol. Moti s’kisha pa lot që derdhen me atë sasi e që mbulojnë fytyrën në çdo kand. Moti s’kisha dëgju dikënd që flet aq shpejt e mundohet me e shfrytëzu çdo moment të asaj kohe, të shprehet, edhe pse me një të huaj. 

 “Une jam shtatëzanë. Jam 7-8 javëshe. Edhe këta e kom qikë, qashtu më tha mjeku atje ma së pari, po e konfirmoj edhe ky në Prishtinë. Kena vendosë me abortu. Jo, unë s’kom vendosë, kanë vendosë ata, vjehrria edhe burri jem. Bile më kanë thonë mos me ju kallxu kunatave, mos me i merzitë. As gjinekologu s’më veti hiq. Folke me burrin, si mos me kon unë aty. Qe, burri më thirri, sonte po shkojna në darsëm e nesër te gjinekologu që e paska konfirmu takimin.”

S’di a u ndal koha në atë moment, veç kur e pashë dhimbjen në sytë e saj, sikur m'u ndal fryma, mu tha fyti, s’mujta asnji fjalë me e nxjerr prej gojës. 

“Oj zemër, nuk e di a është normale kjo që po ndodh me mu, po as nuk po muj me ju thonë jo. Burri jem i don qikat shumë, po u zhgënjy tepër kur na thanë që është qikë apet, se edhe vjehrria po dojnë djalë. Qka me bo bre? Unë po s’kom thone kurrë, po as jo s’ju kom thonë. As s’kom me kon me fol. Burri po thotë s'është kurgjo, beba është e vogël, po unë ja kom ndi zemrën bre, të rrahunat e zemrës, e kom pa në ultraza. Po më qan zemra kur e paramendoj qikën tem, që kurrë në krahë s’kom me e majtë, kurrë ftyrën s’kom me ja pa, veq që s’është djalë. S’di nuk di qysh kom me jetu mas ditës së nesërme”.  

I fshiu lot si me nji dozë turpi, “më fal pashë zotin, më tha, se pata nevojë me fol” dhe ashtu qysh erdh, edhe iku prapë brenda sallonit për ta kompletuar bukurinë që i duhej për ahengun e sotëm. 

Unë ende nuk di si ta shpreh dhimbjen dhe dëshprimin që ma la kjo bisedë. Dhimbjen për vajzat e palindura, që vriten ende pa ardh në këtë botë, veq pse s’janë djem. Dëshpërim për ne, që i penalizojmë nënat për gjininë e fëmijut të palindur, e praktikat e paskrupullta të disa gjinekologëve pa vlera njerëzore e etike profesionale.

Ky tekst është shkruar në kuadër të edicionit të nëntë të "Tregime Pjeshkash" me temë "Një faqe nga ditari im".

Adelina Toplica Badivuku

Adelina Toplica Badivuku

Adelina është terapiste familjare dhe aktiviste për të drejtat e gruas e cila jeton dhe punon në Londër. Ajo është konsultente në Këshillin e Evropës dhe eksperte në shërbimet për viktimat e dhunës në baza gjinore. Adelina është co-autore e kurrikulës nacionale për intervenimet për kryerësit e dhunës në familje në Kosovë.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia