pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-01-19t140137.058.png

A të bën duhani burrë?

SEKSIZËM

January 19th, 2024

"Shkonte gjali përreth hanit
Ka harrau takëmin e duhanit
Pa takëm duhani gjalo tybe se të du
Ke më rrejn nër burra, më dukesh si gru."
Këngë popullore kërçovare.

Për shumë vetë pirja e duhanit paraqet një ndër kënaqësitë më elegante të jetës. Për disa është stoli që i ndihmon të theksojnë bukur fjalët dhe shprehje e veçantisë së personalitetit. Njerëzit gjithmonë interpretojnë veçoritë e njerëzve të tjerë, ngaqë kjo ju sjell informata se kush janë të tjerët, dhe këta informata më pastaj përcaktojnë qasjen që do të kemi ndaj atij personi. Pirja e duhanit, mënyra e pirjes së duhanit dhe lloji i pakos së cigareve, tregon poaq për personalitetin e dikujt sa tregon mënyra e të ecurit apo tonaliteti i zërit tek po flasin. Për njerëz duhani është një shprehi e mësuar të cilën tanimë s’e flakin dot. Për prindërit është shenjë se fëmija ka gjetur shoqëri jo shumë të volitshme, ndërsa për shumë adoleshentë është mënyra se si kalojnë fazën e ndërmjetme të ngatërruar midis adoleshencës dhe pjekurisë apo burrërisë. Për gratë duhanpirja ka shërbyer edhe si simbol emancipimi, ngaqë pirja e duanit ishte historikisht një veprim i rezervuar vetëm për burrat. Si erdhi deri te ky karakterizim i pirjes së duhanit si diçka burrërore, është pikërisht tema që do ta eksplorojmë sot.

Kur isha në klasën e tretë në shkollë fillore, arsimtari i klasës afër nesh njihej për shkrimin e tij të bukur. Ai ishte dhe mjeshtër i vënies së fjalëve të urta në parulla. Ata pastaj ne i ngjitnim nëpër mure dhe na shërbenin siç shërbejnë sot “motivational quotes”.

Parulla që më la më së shumti përshtypje, dhe e mbaj mend qartë edhe pas trembëdhjetë vjetësh, është: “Nuk të bën duhani burrë”.

main-qimg-245409e2e901b53df0a6f75bd45e7d04-lq.jpeg
Ku ka Burrë, aty ka Marlboro!

Në vitin 1953, kompania Philip Morris vendosi që të futet në tregun e cigareve me filter të hollë – pra cigaret e sotshme. Deri në atë pikë cigaret me filter të hollë (cigarettes), për dallim nga ato me filter të trashë (cigars) konsideroheshin si një delikatesë që i takonte gjinisë femërore. Filteri i hollë dekorohej dhe ishin kuti të pregatitura kryesisht për të furnizuar zonjat. Por kryesorët e marketingut të Philip Morris-it shfrytëzuan temën e rëndësishme të burrave, atë të të dukurit burrëror dhe paraqitjes si ‘burrë’ (A manly Man!), për të ri-brenduar cigaret Marlboro. Ata shpikën personazhin Marlboro Man – Burri Marlboro, një kauboj i vetmuar, gjithmonë i shoqëruar me skena aksioni – kuaj, pistoleta, sfida – dhe ky gjithmonë ndizte nga një Marlboro duhan, e me këtë vuloste burrërinë e tij. Këto kampanja vazhduan dhe më tej, nga kompanitë tjera. Për shembull Lucky Strike në 1963 do të përdorte sloganin “Lucky Strikes i ndan Burrat nga Djemtë.(Lucky Strike Separates the Men From the Boys.)"

Në këtë slogan fshihet edhe arsyeja përse mosha e adoleshencës është tepër e ndjeshme ndaj të mësuarit e kësaj shprehie, ngaqë kalimi në burrëri është nevojë shumë e theksuar. Rritet dhe nevoja që të tjerët të na shohin si të tillë. Ndër të tjera, karakterizimi i duhanpirjes si sjellje e delikuencës ose “bad boys” ju ndihmon të rinjve të ndiejnë dhe sinjalizojnë njëfarë pjekurie dhe kurajoje.

Duhanpirja në Folklor

“as nuk due rruze
as nuk due pare
por e due burrin
baco me cigare
ani me cigare
ani me kutije”.

Duhani fillimisht është përdorur nga fiset autoktone të Amerikës në mënyrë ritualistike për rekreim dhe për shërim. Zbulimi i kontinentit ‘të ri’ nga ana e Kolombos mundësoi që ky marak, nëpërmjet tregtisë të përhapet nëpër botë.

Historia e duhanit në Ballkan fillon diku rreth shekullit 17 dhe 18. Fillimisht paraqitet si mjet luksoz për shtresat më të pasura, ndërsa më vonë bëhet i mundshëm edhe për shtresat tjera. Në kuvendet e burrave, duhani e ruajti karakteristikën ceremoniale, dhe u bë pjesë e çdo ahengu ku shoqëroheshin burrat. Nga këtu, duhapirja u lidh ngushtë me burrërinë. Këngët burimore (ngjashëm si Lucky Strike) e ceknin qartë se pirja e duhanit, e transformonte djalin në burrë.

Epidemia globale e pirjes së duhanit kyç shumë faktorë në vete, siç është menaxhimi i stresit, varshmëria ekstreme që shkakton nikotina, situata e vështirë ekonomike etj. Shembujt e përdorur kishin për qëllim të eksplorojnë pirjen e duhanit si një fenomen kulturor dhe të ilustrojnë se si pirja e duhanit është e lidhur ngushtë me burrërinë stereotipike. Kampanjat dinake të kompanive të mëdha dhe këngët burimore kanë shërbyer për të përforcuar këtë lidhje.

Por le të jetë fjalë përmbyllëse pytja që do të sjellë reflektim më tej: A të bën duhani burrë?

Muhamed Veliu

Muhamed Veliu

Muhamed Veliu ka kryer studimet e psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi". Ka punuar në Kryqin e Kuq të RMV si kordinator i programeve për mbështetje psikosociale dhe ndihmës së parë psikologjike në kriza. Aktualisht është instruktor në programin "Kryqi i Kuq në Aksion - Promovimi i Vlerave Humane" (KKA - PVH) dhe punon si Geshtalt psikoterapist nën supervizim. Njëkohësisht është edhe moderator në podkastin "Llafe t'lira".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia