4-1671021137.png

Lufta në Maqedoni i mori të birin pesë vjeçar, Avushe Aliu: Vit shumë i vështirë...Na e mori djalin, pa pikë faji!

PASOJA

December 14th, 2022

Avushe Aliu, në të 50-tat është një nga gratë që konflikti, që në Maqedoninë e Veriut nisi më 16 shkurt të vitit 2001, i ndryshoi gjithë jetën. Në mesin e 221 viktimave të konfliktit ushtarak në vend ishte edhe biri i saj, Erxhan Aliu, në atë kohë vetëm 5 vjeç. Me të mbërritur, tek dera e shtëpisë na priti një grua me një buzëqeshje që ngjallte shpresë, ngrohtësi nëne dhe dikujt që nuk di historinë e saj do i dukej e pabesueshme dhimbja që ajo mban brenda vetes. Por buzëqeshja shpejt i kthehet në lot kur nis të kujtojë ato ngjarje tmerruese, që në mendjen e saj ende janë të freskëta sikur kanë ndodhur vetëm pak kohë më parë. Një granatë  do të ishte shkaktare që një vend në tavolinë do të mbetej gjithmonë i zbrazët.

“Atë ditë hanim mëngjes në orën 8.  Krisi një granatë....”

Kështu e nis rrëfimin e saj Avushe Aliu, pa ditur në atë kohë se 10 gushti i atij viti do të ishte hera e fundit që djali i saj i vogël Erxhan Aliu, do t’i thoshte: ”Nënë, a mund të dal para derës së oborrit për të lozur?”. Loja e tij u ndërpre nga një granatë e hedhur nga forcat qeveritare maqedonase të asaj kohe. Avushja tregon se granata e kishte dëmtuar aq shumë fëmijën sa që tiparet përmes të cilave mund të njihej, i ishin copëtuar.

“U bë një armëpushim. Pastaj në orën 17 dolën të dy të lozin, Erolli dhe Erxhani. Erolli u kthye, ai jo. Më 10 gusht është vrarë, në orën 17. Ka qenë ditë e premte. E ka sjellë djali i xhaxhait, Erhani, sepse i kishin treguar se ka qenë njëri nga fëmijët tanë. Kur e solli ai, çfarë të shihnim, nuk njihej fare. Sytë... Nuk e kam njohur fare se është fëmija im. Por e solli pak me shpirt, pak. Edhe aty e dha amanetin. Dora i kishte mbetur vetëm në lëkurë. Në fytyrë, sytë .... Pas kishte shumë gjakderdhje. Të mjerët ata se çfarë kanë bërë. Ne të drejtën e kemi pësuar”

Avushe Aliu

Në rrethana të tilla kur vendi ishte kapluar nga konflikti, situata ishte jashtëzakonisht e tensionuar në fshatin Luboten, që gjendet rreth 15 kilometra larg kryeqytetit. Me plumba që vinin nga të gjitha anët, djalin nuk mund ta varrosnin tek varrezat e fshatit dhe as me ritualet e nevojshme. Edhe pse bisedën me Avushen e realizuam në shtëpinë e saj të re, shpesh duke sjell në mendje kujtimet e vjetra përhumbej. Gjatë natës, sqaron ajo, ndërkohë që ruanin djalin e saj të vdekur, qetësia mbytëse e mortit zgjaste vetëm pak sekonda, për t’u ndërprerë nga krisma buçitëse që tmerronin çdokënd aty. 

“E kemi ruajtur me qiri gjithë natën dhe të nesërmen e kemi varrosur në oborr. Burrat shtriheshin barkas, sepse vazhdimisht kishte të shtëna. Nga kodra ku kanë qenë vendosur, nga atje qëllonin. Vit shumë i vështirë... Na e mori djalin, pa pikë faji”

Avushe Aliu

Tragjedia e familjes Aliu vazhdoi me arrestimin e babait të të ndjerit Erxhan Aliu. Sapo kishte  varrosur të birin, ndërsa bashkëshortin nuk e kishte pranë që të ndanin këtë dhimbje të madhe. Dinin se është arrestuar, por jo nëse është gjallë.  “A humba edhe një anëtarë tjetër të familjes?”, ishin mendimet që Avushja sillte nëpër mendje, ndërkohë që ndjente se jeta e saj ishte shkatërruar. Pasi kishin varrosur Erxhanin 5 vjeçar, në 5 të mëngjesit ata u nisën drejt punktit. Babai i Erxhanit mbeti në burg për 4 muaj e 10 ditë.

“Babai i Erxhanit kur erdhi në shtëpi na tregonte sa tortura e sa rrahje kanë përjetuar në burg. Kur kam shkuar më ka dhënë rrobat, ja kam parë formën e çizmes në pjesën mbrapa të bluzës. Tre ditë e tre natë e kanë rrahur. Pa pikë faji. Gjoja si terrorist! Ne pa asnjë faj! Çfarë terroristi, ne duke ndenjur në shtëpi?!”-thotë Avushe Aliu, ndërkohë që sjell në mendje tmerret e asaj kohe.

Avushe Aliu

Lufta në Maqedoni i mori të birin pesë vjeçar, Avushe Aliu: Vit shumë i vështirë...Na e mori djalin, pa pikë faji!

21 vjet kanë kaluar dhe dhimbja e familjes mbetet e njëjtë, ndërsa malli për birin e tyre shtohet çdo ditë. Ende sot ata vuajnë traumat që u shkaktoi ai vit. 

“Pas asaj që ndodhi kemi pasur shumë trauma. Kishim frikë për djalin tjetër. Çfarë krismash kemi dëgjuar, hedhje granatash. Si mos mbeten traumë, dëgjon krisma, fëmijën e ke parë të bërë copash. Çfarë jete më është ajo! Për mua më jetë s’ka! Shumë jetë e rëndë është për mua, për babanë, për vëllain e Erxhanit. Më dhimbset që i ka rënë granata, më djeg në shpirt që më iku për shkak të luftës. Sa herë që digjem tek shporeti, më shkon mendja se sa ka vuajtur ai e çfarë dhimbje ka përjetuar, sepse është goditur nga granata. Me kalimin e viteve më është shtuar dhimbja, më është shtuar edhe malli. Ja shoh shokët ndonjëherë. Kur kthehem e shoh Erollin vetëm. Shkojmë-vijmë, kalojmë andej, ndalem e shoh... në tokë. I bëri 21 vjet. Për ne jetë nuk ka!

Por gratë si Avushja megjithatë janë të forta. Sa do që sheh pikëllim të thellë, të cilën nuk do ia kishe dëshiruar askujt, madje as armiqve, si Avushja si gratë e tjera arrijnë të gjejnë motivin për të vijuar jetën.

“Më dhimbset djali e nusja, e mbajmë pak veten për shkak të tyre. Unë edhe tani kam frikë, sa herë largohet djali. Dua të di ku është, çfarë bën, më kë është, vazhdimisht kam frikë edhe për Erollin”, tregon Avushja. Kur është ai në punë, i them të jetë i qetë. Ja tani është zjarrfikës, ku ka zjarr mua zemra më ndalet. Lutem të ma ruajë Zoti. Nënë jam, mua njëri djalë më shkoi. Shkoj ndonjëherë tek varrezat. Mërzi e madhe. Plaga e dhimbja do më mbeten deri sa t’i shkoj pranë Erxhanit tim. E lus Zotin që sa më shpejt të shkoj tek ai!”

Avushe Aliu

Kujtimet për të birin që sot do të ishte 25 vjeç i ruan me fanatizëm. Duke parë një fotografi të tij, ajo rikujton se sa dëshirë kishte Erxhani i vogël të mësojë shkronjat së bashku me vëllain e tij të madh.

ASNJË INSTITUCION NUK U ANGAZHUA PËR REHABILITIMIN DHE RISOCIALIZIMIN E TYRE

Konflikti la pasoja të mëdha si në këtë familje, ashtu edhe në shumë të tjera. Si Avushja edhe nënat e tjera, pavarësisht etnisë, kur përjetojnë humbje të tilla kalojnë faza të rënda. Pasojat janë si na aspektin psikik ashtu edhe atë financiar. Asnjë përfaqësues nga institucionet në vend nuk u trokiti në derë për t’u ofruar ndihmë që të tejkalojnë sadopak ato vështirësi.

Se këtyre qytetarëve që u prekën drejtpërdrejt nga konflikti i vitit 2001 nuk u është ofruar asnjë ndihmë, e konfirmojnë edhe nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, të cilët nuk kanë informacione nëse ka pasur ndonjëherë program të specializuar për rehabilitimin dhe risocializimin e këtyre familjeve.

 “Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk ka informacion për programe të specializuara për rehabilitimin dhe risocializimin e qytetarëve viktima të traumës dhe mbi të cilët konflikti ka pasur një ngarkesë emocionale dhe psikologjike si pasojë e dhunës dhe ngjarjeve të lidhura me konfliktin. Përveç shërbimeve të rregullta që çdo person mund të marrë në kuadër të Qendrave për Çështje Sociale apo në institucione të caktuara të specializuara”

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale

Sipas sociologut Ali Pajaziti, mungesa e angazhimit nga ana e shtetit për t’u ofruar ndihmë këtyre familjeve është lëshim i madh, sepse sipas tij, traumat mund të shkaktojnë shpresë thyerje dhe pasivizim nga jeta.

“Është një lëshim i madh i shtetit që pas një konflikti, sado që i vogël dhe i shkurtër të ketë qenë ai, të mos mendojë për gjendjen psikologjike të personave të prekur nga traumat e përleshjeve luftarake. Në shtetet që përkujdesen për mirëqenien subjektive të qytetarëve angazhohen institucione dhe ekspertë të fushës për t’i nxitur ata që të kthehen në gjendjen e natyrshmërisë, të zhvillimeve normale të jetës. Në veçanti duhet trajtuar kategoritë më të lëndueshme, ku para së gjithash bien gratë, dhe fëmijët, që në kujtesën e tyre mund të kenë të regjistruar skena makabre, të tmerrit të breshërive të luftërave, të zërave të avionëve apo helikopterëve. Nevojat e tyre, më tepër se financiare janë këshillimore dhe ri socializuese, përmes punësimeve, aktivizimit, angazhimit qoftë edhe i mjedisit shtëpiak, kurseve, bisedave, konsultave e të tjera. Dekadat vetvetiu nuk janë shërim, kërkohet ndërhyrje e mirëfilltë nga shumë aktorë socialë, nga familja deri te psikologu”

Ali Pajaziti, sociolog

Është pikëlluese që traumat e tilla, dhimbjet e tilla, njerëzit por sidomos gratë i kanë kaluar pa mbështetje institucionale dhe profesionale. Respekti për ta prandaj është i madh, sepse gjejnë forcën për të vijuar jetën, për të dhënë dashuri dhe kujdes për gjithë të tjerët, pavarësisht asaj që kanë përjetuar. Siç thotë edhe Avushja, për të forcë për të vazhduar jetën janë fëmijët që ka pranë, por edhe kujtimi për birin e saj të ndjerë, Erxhan Aliun.

“Ky publikim u mundësua me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja" dhe nuk i reflekton pamjet e Bashkimit Evropian.”

Evi Shkopi

Evi Shkopi

Evi Shkopi është juriste e diplomuar në Universitetin e Tetovës. Ajo ushtron profesionin e gazetarisë tashmë 11 vite, kurse aktualisht punon si gazetare dhe prezantuese në edicionin informativ në Televizionin Kombëtar “Alsat”. Evi raporton kryesisht mbi problematikat në arsim, shëndetësi, ekologji, tema sociale dhe ngjarje tjera aktuale.