July 8th, 2024
Numri më i madh i vajzave që bëhen viktima të trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut janë në moshë nga 12 deri në 17 vjet. Një problem serioz po bëhet edhe tregtia online me internetin që po përdoret tani si një mjet për rekrutimin dhe shfrytëzimin e viktimave.
“Gjithçka filloi pas ditëlindjes time të tetë. Kishim edhe një tortë dhe pas kësaj babai filloi të pinte shumë dhe ai dhe nëna ime ziheshin gjatë gjithë kohës. Kështu u shkatërrua gjithçka”.
Tregon kështu një nga viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, dëshmia e së cilës është pjesë e dokumentarit “Dalje”.
“Pas kësaj më nxirrnin në rrugë për të lypur. Motra ime e madhe tashmë po lypte. Një ditë më tregoi për një vend, një hotel të braktisur”, tregon viktima, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur.
Por, vuajtja e saj nuk ka mbaruar me kaq. Kur ka qenë vetëm 11 vjet, partneri i saj në atë kohë, i cili ka qenë më i madh se ajo, i ka gjetur klientë ndërsa paratë e ka marrë për vete. Më vonë ajo ka kaluar të jetojë me gjyshen e saj.
“Gjyshja më martoi me forcë me një shurdh memec dhe ai më abuzonte shumë seksualisht. Nuk duroja më dhe ika sërish te gjyshja. Por ajo më gjeti një të dashur tjetër dhe më martoi përsëri. Atëkohë isha 14 vjeç”, tregon viktima.
Kjo vajzë, fati i së cilës përcillet në dokumentarin “Dalje”, është vetëm një nga viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore në vend. Ajo tani është 15 vjet dhe është e vendosur në qendrën për përkujdesje të organizatës joqeveritare, “Porta e hapur – La Strada”, ku merr ndihmë psikosociale, shëndetësore dhe ligjore dhe ku e vazhdon shkollimin e saj. Sot ajo është shëruar plotësisht nga varësitë.
“Vitin e kaluar, pra vitin 2023, në qendrën tonë për viktima të trafikimit të qenieve njerëzore janë akomoduar gjithsej 11 viktima dhe viktima të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat janë vajza nga mosha 10 deri në 17 vjet. Sipas të dhënave tona mosha më e vogël është tetë vjet”, thotë Biljana Jovanovska nga “Porta e hapur – La Strada“.
Ajo thotë se gjendja me trafikimin e qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese sepse 90 përqind e viktimave në vitet e fundit janë vajza në moshë nga 12 deri në 17 vjet, gjë që e thekson nevojën urgjente për ndërhyrje nga shteti për mbrojtje dhe mbështetje të kësaj kategorie të cenueshme.
“Megjithatë, është shumë i vogël numri i identifikimit të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në vendin tonë. Mendojmë se ky numër nuk është real dhe se shteti duhet të punojë pak më shumë në identifikimin dhe zbulimin e viktimave të tregtimit me qenie njerëzore”, shton Jovanovska.
Me zhvillimin e teknologjisë, tregtia online po bëhet një problem serioz. Interneti po bëhet një mjet për rekrutimin dhe shfrytëzimin e viktimave, e sidomos të fëmijëve.
“Në vendin tonë dy vite më parë u evidentua një rast i shfrytëzimit online, dhe atë të kategorisë më të cenueshme, një fëmijë 14-vjeçar, i cili ka qenë shënjestër e një predatori online që në moshën 9-vjeçare. Rasti është i përmasave ndërkombëtare. Numri më i madh i autorëve janë nga shtetet ballkanike, të cilët kanë qenë të lidhur në një rrjet të tërë ballkanik, ku kanë shfrytëzuar një fëmijë”, thotë Jovanovska.
Faktorët më të shpeshtë të cenueshmërisë të cilët e karakterizojnë numrin më të madh të viktimave janë varfëria, diskriminimi gjinor, dhuna në familje, mosha dhe gjendja shëndetësore. Në Qendrën La Strada për momentin janë strehuar gjashtë vajza, ndërsa që nga themelimi i saj në vitin 2005 nëpër të kanë kaluar më shumë se 200 viktima.
Në pesë muajt e parë të vitit 2024 nuk janë regjistruar raste dhe nuk janë ngritur kallëzime penale për veprën “trafikim me qenie njerëzore”.
Edhe në vitin e kaluar 2023 policia nuk ka ngritur asnjë kallëzim penal për veprën “trafikim me qenie njerëzore”, ndërkohë që dy kallëzime për trafikim të qenieve njerëzore janë pranuar përmes aplikacionit “Butoni i kuq”.
Burimi: Zëri i Amerikës
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia