December 21st, 2021
Adelina Marku këtë vit është njëra nga katër fituesit e çmimit “Mito Haxhivasilev-Jasmin” që konsiderohet si një nga çmimet më prestigjioze në fushën e gazetarisë dhe publicistikës. Ky çmim nuk është vetëm individual, por i të gjitha grave shqiptare në vend. Adelina është shqiptarja e tretë që fiton këtë çmim, e paraprirë nga Kadrie Zejnullahu dhe Mirela Saiti. Ajo na tregon më tepër se cilat janë sfidat kryesore të grave në vend, çfarë domethënë për të ky çmim dhe sa vlerësohet gruaja shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
"Sivjet jam ndër fitueset e këtij çmimi, le të themi mes katër fituesve, unë rastisa e gjinisë femërore. Kjo garë sublime, në esencë e pastërt intelektuale, i dha pak sharm njëtrajtësisë gjinore. Le të themi se duke e theksuar këtë, dua t’i jap hov asaj që unë e quaj gjithfmenia shqiptare e këtij nënqielli. Padyshim që çmimi shkaktoi një zhvendosje të dendur nga ritmi i zakonshëm e banal ditor, sepse është i atillë e i atyre përmasave që të bën të ndalësh, të kthesh kokën pas, e të kujtosh veten me dekada tek rend e ngarend të bësh debatin që mungon, të bësh zërin që proteston, të zbërthesh mllefin që konformizmi e maskon dhe mbi çdo gjë të bësh intelektualin që beson në fuqinë e transformimit! Ndjenjë e mirë ishte, ndër cilësoret në jetë!
Çmimi nuk është arritje individuale, pa lexuesit, pa reagimin e tyre, pa atë xixën e madhe ...ne që shkruajmë nuk kemi kuptim! Bashkë e kemi fituar me lexuesit këtë çmim. Nuk është i imi, sepse ka një diçka që më duhet ta them këtu: kohëve të fundit unë e ndjej fuqishëm përqafimin e vajzave të reja, e atyre që gjëmojnë përbrenda tek janë duke ndërtuar vizionin për veten, e ndjej fuqishëm pranimin e tyre ndaj dhe ky është çmimi ynë dhe të gjithë le ta shohim drejtë e në sy e t'i themi, radhitna edhe më shumë se dijmë me të pritë, me të lazdru e me të sfidu përtej! Ndërsa mbi hapësirën, shpesh themi të na thonë, duhet të na krijohet! Hapësira, dikush tjetër dëgjojmë të na e thotë, duhet krijuar vetë! Tani, cila mban më shumë, është temë e gjatë. Jo më larg se dje, një mikes sime të zemrës i thashë se, ajo çka na duheshka në jetë është të dijmë cili është pasioni ynë, çka na thotë intuita, ç’na përmban fantazia, si e duam lirinë tonë të strukturohet, sa mund t'a kuptojmë lirinë dhe respektin ndaj saj, sa mund t'i ndihmojë tjetrit liria ime, sa mund të rritemi bashkë, pra, pa pasionin, hapësirën mund ta kesh ose mund të ta japin, por më beso, ajo do duket e zbehtë, fake, quaje : një botoxshansë! Në anën tjetër, karriera jonë, pra kjo e intelektualit, ka vetëm një rrugë e një kanal, ka të bëjë me zërin e protestës, solidaritetit me më të dobtin, të diskriminuarin dhe me përbuzjen e atij /asaj që gjëmon nga mediokriteti, por kokëfortë e sheh veten lartësive! Mekanizmi i përbuzjes që intelektuali e aktivizion ndaj këtyre mediokërve, është në esencë thirrja për drejtësi! Karriera jonë është e thjeshtë ndaj dhe shumë e rëndë. Kam mësuar se aftësia për të kuptuar të thjeshtën nuk është afinitet i secilit! Fjala e lirë shpesh di të të krijojë armiq të fuqishëm por edhe miq me integritet. Mjeshtria dhe e bukura është kur edhe me armikun e fuqishëm shihesh në sy e përballesh me parime dhe respektohesh duke garuar, ndërsa me mikun e mirë rritesh shkallëve të lirisë e individuohesh, piqesh dhe nuk rrëzohesh më! Të jesh femër që mbart lirinë në vete dhe solidaritetin për tjetrin/ën, nuk është e lehtë këtu por edhe kudoqoftë në botë. Vetëm kujto se si u përcoll Angela Merkell në fund të karrierës së saj...Ajo ishte e fuqishme, modeste, punëtore e madhe, njeri me vizion, aleate e mike, parimore, besnike por edhe i shërbeu një populli e një bote që pandashëm dëshirohet të respektojë femrën, taken e fuqishme të saj! Kështu e dua shoqërine tonë, të mësohemi të duam femrën. Këtu qëndron dhe fuqia e epit të respektit, te dashuria ndaj femrës!
Kam mikesha mjaft të arrira në karrierë e profesion. Njoh shumë, shumë të tilla dhe kjo më bën të ndihem edhe më shumë me këmbë në tokë. Kur njeriu zhytet pak më thellë për t’i njohur pak më shumë këta femra të arrira, zbulon se në esencë, asnjëra prej tyre nuk është në pritje të ndonjë shpërblimi, apo miratimi, apo kurore, apo lavdi. Mendo ti sa e sikletshme është kjo lakmi, pothuajse shndërrohet në platformë neurotike dhe ia humb kuptimin një shoqërie të civilizuar! Këta gra, mikeshat që përmenda më lartë lypin respekt dhe jo ndjenja sipërfaqësore, por kokëfortësisht respekt! Bile, shumë nga to as nuk janë të ndërgjegjshme se sa domethënëse është arritja e tyre, puna e tyre, kontributi i tyre. Ne themi se, në momentin që bëhemi të ndërgjegjëshme për ndojfarë nevoje për shpërblim, atëherë mund të humbasim integritetin e asaj që japim natyrshëm! Më beso që kjo frikë ishte dhe imja! Nuk di si do pasojë më tej dhe si do zhvillohet, çfarë trajte do marrë, por kam ndërgjegje të plotë se duhet mos i dhënë benzinë suetës! Duhem t’i ruhem vetes mbi të gjitha! Shumë gra marrin shpërblimin nga shoqëria në momentin që votohen të themi në një garë politike, por sa e arsyetojnë atë, kjo është pyetje tjetër! Shumë zonja të nderuara, doktoresha, gazetare, profesoresha, artiste, inxhinjere shpërblehen nga mirënjohja që ta jep një pacient, një lexues, një student, një komunitet apo qytet. Dua të them se nevoja për të qenë i/e shpërblyer në parim nuk është nevojë urtësie, por makuterie…prandaj këtu do kisha thënë vetëm një gjë: bëje punën mirë dhe me zemër, ndiqe pasionin tënd, thirrjen tënde, se tjerat…vijnë vetë! Por, të jesh i/e vlerësuar është një kauzë sublime e llojit të vet! Vlerësimet, kam kuptuar se vijnë në shoqëri të sofistikuara dhe që mirënjohin veten thellë e gjerë. Tek ne, vlerësimi për njeriun e mirë dhe të arrirë është ende në dimension primordial, paradoksalisht ironik, shpërthyes, emocional, konformist, kisha thënë vlerësimi po merr trajta madje biznesi…Mendo ti sa e kemi vrarë veten, ose, mendo ti sa vrazhdësisht vrasim veten ne pa e kuptuar dëmin që ia shkaktojmë gjeneratave që vijnë pas! Të vonuar në prurje origjinale (kjo është temë e gjatë), të trembur para individualizimit si proces individual por dhe institucional, ne ende nuk po e kuptojmë se jetojmë në kënetë mediokre ku mendimi i fuqishëm vritet në rast se vjen nga dikush që paranë dhe karrierën nuk e ka motivin kryesor për jetë! Ndaj, ne gratë, në nuk e marshim vlerësimin sot, kjo nuk duhet të na dergjë në faj dhe mohim, përkundrazi le ta kuptojmë njëherë e zëshëm, beteja jonë është më e rëndë e më e gjatë, por prandaj ka karakter madhështor! Mes të jesh apo të kesh, le të zgjedhim vazhdimisht: TË JESH! Hej, vajzat tona duan nana të fuqishme, jo kokëulura!
Vajzat dhe gratë duhet të njohin veten dhe ta pranojnë joperfektshmërinë tonë njerëzore. Si na kanë thënë, vetëm Zoti është perfekt, njeriu jo! Mos rend pas perfektshmërisë, ajo nuk ekziston. Mos rend pas idesë se je më e mira ose më i miri, as kjo kategori nuk ekziston. Në vend të këtyre trazimeve brendane, ndiqe pasionin tënd, thirrjen tënde, mos ki turp të bësh bisedë të sinqertë me lirinë tënde, duaje trupin tënd, kremtoje libidon, lexo, gabo, eksploro, duaje tjetrin, kur do biesh poshtë një ditë, beso se ooooopppp një tjetër do ngritesh lartë, atje lartë është po aq rëndë sa ç'është atje poshtë. Hej, lëre pasionin të të udhëheqë e mos e udhëhiq ti pasionin. Dhe gjithmonë, mos harro, shpirtërorja është më e fortë se materialja."
Adelina Marku është diplomate në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo njihet si një aktiviste e zjarrtë për të drejtat e njeriut, kolumniste dhe publiciste dygjuhëshe, gazetare dhe intelektuale. Adelina është e diplomuar në mjekësi; mban Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë e në temë: Psikologji Politike; është pjesë aktive e kurseve dhe konferencave të shumta të specializuara në lidership, diplomaci dhe zhvillim ekonomik.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia