Untitled-design-15.png

Paragjykimet pengojnë vajzat e reja të bëjnë kontrolle gjinekologjike, mungon edukimi seksual i tyre

MARRE

December 22nd, 2021

Paragjykimet, tabutë dhe turpi ndikojnë tek shumë vajza për të mos bërë kontrolle të rregullta te gjinekologu. Adoleshentet, kryesisht, kanë shumë pak informacione mbi anatominë e trupit të tyre, shëndetin seksual dhe riprodhimin. 

Mjekja specializante në degën e gjinekologjisë, Adelina Dalipi, tha që vërehet një hezitim i vajzave të grupmoshave 13-18-vjeçare për t'u paraqitur te mjeku gjinekolog. Kjo për arsye se shumë prej tyre e konsiderojnë të turpshme apo të sikletshme këtë vizitë. Në përgjithësi, pacientet e mitura paraqiten për kontroll vetëm me indikacion dhe simptomatologji siç është dhimbja në pjesën e poshtme të barkut, gjakderdhje të rënda apo diagnostikimi i tumoreve beninje apo prania e cistave, si një ndër diagnozat më të shpeshta në këtë periudhë, shtoi ajo.

“Rekomandohet që kontrollet gjinekologjike të fillojnë në moshën e adoleshencës, domethënë në periudhën 13-15-vjeçare. Kjo është mosha kur fillon zhvillimi i organeve reproduktive, si dhe të karakteristikave gjinore dytësore. Ky kontroll është me rëndësi sidomos në këtë periudhe kur vajzat për herë të parë përjetojnë gjakderdhjen menstruale apo menarhan, paraqitja e akneve në fytyrë, si pasoj e disbalancit hormonal, ndryshimet në peshën trupore, cikle menstruale jo të rregullta, zakonisht gjakosjeve me sasi të mëdha”

Adelina Dalipi

MUNGESA E KONTROLLEVE, PASOJA TË RËNDA SHËNDETËSORE 

Por, mungesa e kontrolleve të rregullta mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin e vajzave adoleshente. Në shkollë fillore mësohet për anatominë e trupit të njeriut, por, gjithmonë duke e anashkaluar gjithçka që ka të bëjë me shëndetin seksual dhe riprodhues.

“Kur jemi te problemet që vajzat e mitura mund t’i hasin në dy vitet e para pas menarhes më të shpeshta janë çrregullime ne ciklin menstrual të cilat zakonisht i detyrohen disbalansit hormonal dhe ovulacionit që është edhe shkaku më i shpeshtë për gjakderdhje jo të rregullta në këtë moshë. Gjithashtu shkak tjetër për gjakderdhje të rëndë dhe të prolonguar është metrorragjia juvenile e cila mund të jetë pasojë e çrregullimeve të mpiksjes së gjakut siç është sëmundja e Von Willebrand. Kjo gjendje mund të çojë në dobësimin e gjakut apo anemisë, andaj edhe vizita te mjeku është e paevitueshme për terapinë e domosdoshme”

Adelina Dalipi

Çrregullimet mund të jenë edhe pasojë e zakoneve të tjera të përditshme, konfirmojnë gjinekologët. 

“Çrregullimet gjithashtu mund të vijnë edhe si pasojë e dietave strikte, nënpesha, anoreksi, mbipesha, bullimi dhe aktivitet i shumtë sportiv. Puberteti i vonshëm është një çrregullim që mund ta hasim gjatë adoleshencës. Ky problem mund të paraqitet për shkaqe të ndryshme endokrine, nënpesha, mbipesha, anemia. Në raste më të rralla mund të jenë prania e masave tumoroze, çrregullime të gjëndrës mbiveshkore dhe sëmundje tjera endokrinologjike”

Adelina Dalipi

“TË RINJTË TË MËSOJNË PËR TRUPIN E TYRE”

Edukimi seksual është bazë për një shoqëri të shëndoshë, vlerësojnë sociologët. Një rol të rëndësishëm për ta ndryshuar këtë mund të kenë shkollat, ku të rinjtë do të mund të mësojnë për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues. Në edukimin tonë formal, sipas një hulumtimi nga Hera, vetëm 13% të nxënësve kanë mësuar për prezervativin, e mezi 2% për kontraceptivët oral. 

“Më tepër ka të bëjë me familjen dhe tabunë brenda saj, kur bëhet fjalë për edukimin riprodhues apo edukimin seksual. Ky fenomen vijon të trashëgohet brez pas brezi, pasi edhe prindërit dikur nuk kanë pasur njohuri rreth këtyre tematikave, por edhe informacioni ka qenë i cunguar. Tani ka informacione, por dominon frika dhe turpi. Fëmijët vazhdimisht i marrin këto informacione nga bashkëmoshatarët apo edhe nga burime të tjera, kryesisht nga interneti. Po ashtu e rëndësishme është që prindi pavarësisht turpit që ka për ta edukuar fëmijën rreth shëndetit riprodhues, duhet ta mësojë atë për autonominë e trupit”

Marsi Simo, sociologe

Në një pyetësor që sociologia Marsi Simo kreu me 50 vajza dhe gra (anketë e zhvilluar në periudhën shkurt-prill 2021 me kampion të rastësishëm me vajza dhe gra në moshë 12-65-vjeҫare), për të kuptuar se sa informacione kanë vajzat për ndryshimet trupore që lidhen me menstruacionet, rezultoi se vetëm 55.6% e vajzave dhe grave dinin mjaftueshëm për menstruacionet. Kur u pyetën vajzat e reja se sa të lira janë ndjerë të flasin me prindërit për menstruacionet, vetëm 33.3% e tyre e pohuan këtë gjë, ndërsa 28.9% theksuan se nuk e kanë pasur aspak të mundur të flasin me prindërit. Kur vajzat dhe gratë pyeten se si i kanë përjetuar ndryshimet fizike gjatë pubertetit, ato shprehen se kanë pasur turp nga trupi i tyre, janë ndjerë si të neveritura apo të traumatizuara kur i kanë pasur menstruacionet, sidomos të parat.

VAJZAT E REJA NUK MËSOJNË NË SHKOLLË PËR PROBLEMET SEKSUALE

Adoleshentet nuk mbajnë mend ndonjëherë në shkollë të është folur për problemet seksuale që mund t’i has vajza. I vetmi rast ka qenë kur firmat private të pecetave higjienike kanë ligjëruar për ciklin menstrual.

“Unë asnjëherë nuk kam qenë te gjinekologu, si dhe shoqet e mia. Ka ndodhur një ose dy shoqe të drejtohen te gjinekologu vetëm në momentin kur kanë vërejtur ndonjë çrregullim. Në shkollat tona mungojnë ligjëratat sa i përket shëndetit riprodhues.”

A.R, nxënëse në shkollën fillore “Ismail Qemali”  .

Sipas Ardita Abdulit, profesoreshë e sociologjisë në UT, shteti duhet të sigurojë mekanizma në ngritjen e kapaciteteve shëndetësore-gjinekologjike ku do të ofrojë kontrolle falas për moshat adoleshente si dhe ta bëjë të detyrueshëm kontrollin sistematik gjinekologjik. Njëkohësisht është e nevojshme të nxiten mekanizma sensibilizues në kuadër të organizatave të ndryshme, shoqatave joqeveritare organizimin e punëtorive vullnetare mbi informimin dhe edukimin e përgjithshëm shëndetësore.

“Mënyra më adekuate për të krijuar mirëqenien shëndetësore është formimi i kulturës së përgjithshme ku do të diskutohet hapur për rreziqet që mund të kanosin marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Në mentalitetin shqiptarë te viseve tona shumë të rinj e sidomos vajza të reja rezervohen në marrëdhëniet intime paramartesore për shkak të paragjykimeve të rrethit pasi që akoma në shoqërinë tonë virgjëria konsiderohet kusht për krijimin e martesave. Në anën tjetër shumë vajza të reja i fshehin përjetimet e tyre nga frika e trysnive patriarkale e sidomos nëse ndodhin shtatzënitë e papritura nga lidhjet romantike orientohen drejt abortit pasi që fatkeqësisht mundësitë e familjeve shqiptare nuk i pranojnë fëmijët e lindur jashtë martesave, pra nuk mungojnë rastet kur të rinjtë bien viktima të këtyre rasteve”

Ardita Abduli

Përderisa flitet për problemet që vajzat e mitura mund t’i hasin në rast se nuk bëjnë kontrolle të rregullta në gjinekolog, në tërë vendin ka me dhjetëra komuna dhe vendbanime që nuk kanë as gjinekolog. Kjo ndodh në lagjen Shuto Orizari, ku tani e një kohë të gjatë në poliklinikë nuk ka gjinekolog. Sipas një deklarate të dhënë për Alsat nga Salije Bekirkale-Iniciativa “Gratë nga Shuto Orizare” në atë lagje jetojnë prej 8 mijë deri 13 mijë gra që janë në periudhë riprodhimi. 

 

Dorina Ajdini

Dorina Ajdini

Dorina Ajdini është e diplomuar në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin Biznes dhe Ekonomi. Ajo është themeluese dhe kryetare e OJQ EYE. Nga janari i vitit 2021 është e përfshirë në projektin CTRL-Z në Portalb, kurse për pesë vite ka qenë moderatore në TV Alsat. Dorina për dy vjet ka punuar në sektorin e marketingut në Life Radio.