Kanceri i gjirit vlerësohet të jetë një nga shkaktarët kryesorë të mortalitetit tek gratë në mbarë botën. Megjithatë, një hulumtim i fundit nga Shoqata Amerikane e Kancerit ka treguar se diagnostikimi i hershëm, zhvillimi i metodave mjekësore dhe trajtimi efektiv mund ta bëjnë këtë sëmundje të menaxhueshme, duke ulur ndjeshëm shkallën e vdekshmërisë.
Raporti i publikuar tregon se në SHBA, normat e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit kanë rënë me 44% që nga viti 1989, duke shmangur rreth 517,900 vdekje.
“Lajmi inkurajues është se shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit vazhdon të bjerë falë përparimeve në zbulimin dhe trajtimin e hershëm,” tha Angela Giaquinto, shkencëtare dhe autore kryesore e studimit.
Po si është situata në Maqedoninë e Veriut?
Megjithëse SHBA-të kanë bërë përparime të mëdha, për Maqedoninë e Veriut këto suksese mbeten të largëta si në aspektin gjeografik ashtu edhe shkencor. Në vendin tonë, kanceri i gjirit jo vetëm që është një ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë tek gratë, por ka tendenca rritjeje nga viti në vit.
Statistikat e fundit të publikuara në RMV tregojnë se në vitin 2023 kanceri i gjirit ju mori jetën 346 grave. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kanceri i gjirit zë vendin e parë për nga numri i rasteve të reja të neoplazmave malinje tek gratë në periudhën 2017–2021:
- 2017: 808 raste të reja me një shkallë incidence prej 78.03/100,000 gra.
- 2019: 778 raste me një shkallë prej 75.13/100,000 gra.
- 2021: 806 raste me një shkallë prej 87.08/100,000 gra.
Përsa i përket mortalitetit, përqindja më e ulët u regjistrua në vitin 2011 (26.3%, me 272 jetë të humbura), ndërsa përqindja më e lartë ishte në vitin 2022 (38.5%, me 356 jetë të humbura).

Me gjithë shifrat alarmante të vdekshmërisë, në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet sfidë gjetja e një termini për kontroll, përkatësisht për incizim mamografik (metodë që përdoret kryesisht për diagnostikimin e kancerit të gjirit) dhe ekografisë së gjirit (ekzaminimi i strukturës së indit të gjirit) jo vetëm për rastet si masë parandaluese për gratë e moshës 45 vjeç, por edhe për gratë që tashmë janë diagnostikuar me kancer në gji.
Rrjedhimisht, një incizim mamografik në spitalet private në Maqedoninë e Veriut kap koston prej 4.500 denarësh (rreth 73 euro). Por, çmimi mund të arrijë deri në 9.000 denarë (rreth 150 euro) në rast se përfshihet edhe ekografia e gjirit dhe ndonjë kontroll shtesë.
Në një bashkëbisedim me Rita Behadinin, në podkastin “Llafe grash”, teksa flet për sfidat e rënda që kalon një grua e prekur nga kanceri i gjirit, qofshin ato shëndetsore apo emocionale-psikologjike, aktivistja Liridona Beqiri theksin e vëndon dhe tek sistemi i dobët shëndetësor në RMV që e rëndon edhe më shumë procesin e kurimit.
“Fatkeqësisht jetojmë në një sistem të rrënuar shëndetësor. Sado që shpresojmë se diçka do të rregullohet apo marrim ndonjë premtim për ndryshime nga politikanët në shërbimet shëndetësore, faktet flasin ndryshe. Nuk mundet të them se gratë hasin në mirëkuptim sa i përket qasjes në shërbime cilësore mjekësore. Mungojnë terminet për mamografi, terminet për egzaminime klinike, për eho të gjirit, etj.. kemi shumë ankesa”, thekson Liridona Beqiri.
Në sistemin elektronik “Termini im” ose www.mojtermin.mk, nuk figurojnë të gjitha qytetet, kurse terminët e lirë brenda një jave, shfaqen vetëm në pak qytete të vendit. Për qytetet e tjera që janë në këtë platformë, terminë të lira ka vetëm nga viti 2025.