Disa të rinj të intervistuar nga Mollëkuqja ngritën shqetësime nga lloji i përmbajtjeve që u shfaqet në rrjetet sociale nga platformat online si TikTok dhe Instagram, kryesisht që promovojnë përmbajtje diskriminuese dhe që nxisin dhunë. Sara, studente në Universitetin e Tetovës theksoi se rrjetet sociale në promovojnë shpesh disa pikëpamje të gabuara për rolet gjinore.
“Shpesh më dalin video ku burrat paraqiten si ‘dominues’, ndërsa gratë si të dobëta ose si persona që duhet vetëm të binden. Problemi është se këto video prezantohen si diçka normale apo edhe ‘cool’ për të rinjtë. Apo shpesh video të vajzave/grave ASMR duke pastruar e bërë punë të shtëpisë”, thotë Sara.
Një tjetër e re nga po ky qytet tregon se në platformat sociale shpesh has përmbajtje me tallje seksiste dhe stereotipe gjinore të maskuara si humor.
“Ka shumë video ku vajzat ofendohen ose nënçmohen dhe njerëzit e quajnë thjesht ‘shaka’. Me kalimin e kohës, kjo e normalizon gjuhën fyese dhe diskriminimin. Ose shpesh shoh djem/burra që tallen me lloj-lloj vajze, por edhe djem dhe që fatkeqsisht marrin shumë reagime”, thotë ajo.
Një student nga Shkupi thotë se algoritmet shpesh i shtyjnë të rinjtë drejt përmbajtjeve gjithnjë e më ekstreme.
“Ka video që promovojnë urrejtje, kontroll ndaj vajzave apo dhunë psikologjike. Nëse i sheh vazhdimisht, fillon t’i konsiderosh normale dhe mendoj se japin efekt negativ te të rinjtë, pavarësisht progresit që po shënojmë në ndryshimin e mentalitetit”, thotë ai.
Sipas të rinjve, përmbajtjet e tilla po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rrjetet sociale, sidomos në përmbajtjet e shkurtra video që shpërndahen shpejt mes të rinjve.
Njohës të edukimit mediatik vlerësojnë se mungesa e edukimit digjital dhe moskuptimi i mënyrës se si funksionojnë algoritmet i bën të rinjtë më të cenueshëm ndaj këtyre narrativeve.
Kryeredaktori i Mollëkuqja.mk, Ardit Ramadani thotë se përballë këtyre përmbajtjeve, zgjidhja nuk është vetëm ndalimi apo censura, por edukimi.
“Të rinjtë duhet të mësojnë si funksionojnë algoritmet, si të dallojnë manipulimin, gjuhën diskriminuese dhe narrativet që normalizojnë dhunën apo pabarazinë gjinore. Edukimi medial dhe diskutimet e hapura në shkolla, familje dhe media janë thelbësore që të rinjtë të ndërtojnë mendim kritik dhe të mos e pranojnë çdo përmbajtje që u shfaqet online si normale”, thotë Ramadani.
Ekspertë dhe hulumtime të ndryshme theksojnë se edukimi mbi barazinë gjinore, mendimin kritik dhe përdorimin e sigurt të rrjeteve sociale mbetet thelbësor për të parandaluar normalizimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit online.






