Në kohën kur rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë realitetin, gazetarja, prezantuesja dhe influencerja Almedina Ismaijli në një bisedë për Mollëkuqja.mk theksoi se platformat digjitale kanë hapur hapësirë për zëra të rinj, por njëkohësisht vazhdojnë të ushqejnë stereotipa dhe përmbajtje sipërfaqësore. Ajo foli për për ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë, sfidat e aktivizmit online, barazinë gjinore, përgjegjësinë e influencerëve dhe nevojën për më shumë mendim kritik në hapësirën digjitale.
Si e shihni ndikimin e platformave sociale në avancimin e barazisë gjinore te të rinjtë? A kanë krijuar më shumë hapësirë për zërat e margjinalizuar, apo vazhdojnë të riprodhojnë stereotipa ekzistuese?
Rrjetet sociale kanë dhënë hapësirë për zëra që më parë nuk dëgjoheshin, por le ta themi troç, nuk janë aq progresive sa duken. Krahas aktivizmit, ato vazhdojnë të ushqejnë stereotipa çdo ditë, sidomos përmes standardeve joreale të pamjes dhe roleve të vjetra që paketohen si “modernitet”. Pra, po, ka më shumë zë, por edhe shumë zhurmë që shpesh e mbyt mesazhin real.
Cilat janë ndikimet më pozitive që keni vërejtur nga aktivizmi feminist online, sidomos te të rinjtë, dhe cilat janë rreziqet kryesore që rrjetet sociale sjellin për çështjet gjinore?
Pozitivja është që të rinjtë sot reagojnë më shpejt dhe nuk heshtin si më parë. Por problemi është që shumë nga ky “aktivizëm” ka mbetur në nivel postimesh dhe story-sh. Është bërë e lehtë të dukesh i/e angazhuar pa bërë realisht asgjë. Rreziku më i madh është pikërisht ky, banalizimi i një kauze serioze në diçka që konsumohet si trend.
A mendon se disa forma se si zgjedhin aktivistët t’i qasen “luftës” për barazi gjinore mund të sjellin rezultate të padëshirueshme?
Absolutisht po. Ka plot që e përdorin feminizmin si etiketë për vëmendje. Qasjet senzacionaliste, dramatizimi i tepruar dhe ndarja ekstreme mes gjinive vetëm e dëmton kauzën. Në vend që të flitet për barazi, shpesh krijohet konflikt artificial që shet më shumë në rrjete. Kjo nuk është aktivizëm.
Nga përvoja ime në hapësirën digjitale, kam vënë re që të rinjtë shpesh ndikohen shpejt nga këto narrative, pa e analizuar sa janë të qëndrueshme apo reale. Megjithatë, në përgjithësi mendoj se kemi rini të shëndoshë dhe inteligjente, që në fund të ditës di ta dallojë çfarë është e vërtetë dhe çfarë është vetëm zhurmë në rrjete sociale.
Sa krijojnë perceptim negativ sot influencerët përmes qasjeve të tyre në adresimin e çështjeve apo reklamave, si i menaxhon ti?
Megjithatë, më pëlqen influencingu në vendin tonë, sepse në përgjithësi influenceret tona janë më natyrale, më të thjeshta dhe më autentike në krahasim me atë që shohim jashtë. Nuk kemi aq shumë “perfeksion artificial”, dhe kjo është një vlerë e madhe. Shumë prej tyre japin mesazhe të mira dhe janë shembull pozitiv për të rinjtë.
Influencerët kanë përgjegjësi më të madhe sesa pranojnë. Kur promovon çdo gjë për pagesë, pa filtër dhe pa vlera, automatikisht mund të ndikojë negativisht në perceptim, edhe për çështje serioze si ato gjinore.
Unë personalisht mundohem të jem shumë selektive me bashkëpunimet dhe të mos promovoj diçka që nuk e besoj vetë. Madje, te unë asnjëherë nuk e keni dëgjuar shprehjen “ky produkt ma ndryshoi jetën”, sepse mendoj që duhet të jem reale dhe t’i qëndroj besnike audiencës. Në fund, njerëzit e ndjejnë kur diçka është e vërtetë dhe kur jo.
Çfarë duhet të ndryshojë në mënyrën se si përdoren platformat sociale, në mënyrë që të kontribuojnë më efektivisht në avancimin e barazisë gjinore dhe jo në regres?
Mendoj që sfida nuk qëndron vetëm te përdorimi i platformave sociale, por te mënyra se si strukturohet dhe konsumohet përmbajtja brenda tyre. Shpesh algoritmet favorizojnë përmbajtje të shpejtë, sensacionale dhe sipërfaqësore, ndërsa temat me peshë shoqërore, si barazia gjinore, nuk marrin gjithmonë vëmendjen që meritojnë.
Gjithsesi, është shumë e rëndësishme të theksohet edhe progresi. Sot ekziston një nivel shumë më i lartë i vetëdijes, sidomos te gratë dhe te të rinjtë, të cilët kanë më shumë qasje në përmbajtje edukative dhe informuese. Diskutimet për dhunën, përvojat personale dhe pabarazitë gjinore janë bërë më të hapura, gjë që më parë ka qenë shumë më e kufizuar. Kjo ka ndihmuar në normalizimin e dialogut dhe në fuqizimin e shumë individëve që të njohin më mirë të drejtat e tyre dhe të reagojnë, ose të raportojnë.
Për të avancuar më tej, nevojitet një qasje më e përgjegjshme nga të gjitha palët: krijuesit e përmbajtjes, mediat dhe vetë audienca. Është thelbësore të promovohet mendimi kritik dhe të favorizohet përmbajtja që edukon dhe informon, jo vetëm ajo që gjeneron reagime të menjëhershme.
Në thelb, barazia gjinore nuk ndërtohet vetëm në hapësirën digjitale, por rrjetet sociale mund të jenë një instrument shumë i fuqishëm progresi kur përdoren me vetëdije dhe drejtim të duhur.






