Para disa javësh, në fshatin Sllupçan, një vajzë e mitur u abuzua seksualisht dhe u shantazhua nga 17 burra, përfshirë një të afërm të saj dhe një figurë fetare e fshatit. Një krim që, në çdo shoqëri pak funksionale, do të kishte shkaktuar tronditje të thellë publike, reagim të menjëhershëm institucional dhe një zemërim kolektiv që nuk do të qetësohej derisa të vihej drejtësia në vend. Në shoqërinë tonë, ky krim u trajtua ashtu si zakonisht trajtohen rastet e tilla: si një incident i izoluar, si një lajm i pakëndshëm që mund të harrohej brenda një jave. Nuk u pa si dështim kolektiv i familjes, i komunitetit, i institucioneve dhe i normave që predikojnë moral publik, por që mbyllin sytë kur diçka kaq e rëndë ndodh.
Alarmi moral që do të duhej të na shurdhonte veshët, sepse një fëmijë u përdhunua, bëri fare pak zhurmë. Pati tentativë për relativizim. U tentua të minimizohet. U zhvendos vëmendja. Arritëm të flasim edhe për luftën e vitit 2001, për të dëshmuar se burrat e këtij fshati nuk janë përdhunues, por trima, sikur heroizmi i djeshëm të ishte alibi për krimin e sotëm. Kujtesa selektive u përdor si mburojë morale, si mekanizëm për ta mbytur zemërimin publik dhe për t’i kaluar në heshtje çdo proces pasues. Fatkeqësisht, kjo funksionoi.
Kjo është pasqyra më brutale e moralit të rremë që predikohet brenda komunitetit shqiptar në Maqedoni. Një moral që prodhohet dhe riprodhohet si mekanizëm pushteti, jo si sistem vlerash. Ai nuk shërben të udhëzojë në diçka etike, por për të rregulluar sjelljen përmes frikës, për të instaluar turpin si mjet disiplinimi dhe për të mbajtur nën kontroll ata që devijojnë nga kufijtë e “pranueshmes”. Ky moral vepron përmes presionit kolektiv, thashethemit, stigmatizimit dhe kërcënimit të përjashtimit social. Nuk ka nevojë të jetë i drejtë apo koherent; mjafton të jetë funksional për ruajtjen e rendit ekzistues.
Brenda këtij rendi, morali nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Ai ngarkohet mbi disa trupa më shumë se mbi të tjerë. Gratë dhe vajzat bëhen terreni kryesor i zbatimit të tij: janë të ekspozuara, të pambrojtura dhe të shënjestruara. Shumë raste, para këtij me vajzën nga Sllupçani, do të duhej të ishin këmbana se drejtësia nuk mbaron me ndëshkimin institucional, por duhet të krijojë një hapësirë ku gratë dhe vajzat mund të denoncojnë pa frikë, pa turp dhe pa u ekspozuar ndaj gjyqit publik. Asgjë nuk mund ta rikuperojë dëmin emocional dhe fizik që kjo vajzë dhe viktima të tjera të dhunës seksuale do ta mbartin gjatë gjithë jetës. Ky rast nuk qëndron i vetëm; ai flet për një rend që sistematikisht i mbron dhunuesit dhe i mëson viktimat të heshtin.
Ky rend zbulohet qartë edhe përmes një matematike të thjeshtë: fshati ka rreth 2 000 burra, që do të thotë se rreth 1% e burrave të fshatit kanë kryer një krim ekstrem të koordinuar ndaj një fëmije. Kjo nuk është një pakicë e parëndësishme. Këtu nuk kemi 17 burra të rastësishëm, por një kushëri, një figurë fetare që predikon moral dhe 15 burra të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë krim. Kur kaq shumë burra ndihen të sigurt ta bëjnë këtë ndaj një fëmije, në një fshat të vogël ku të gjithë njihen dhe ku asgjë nuk mbetet vërtet e fshehtë, problemi është strukturor. Derisa shumica vazhdojnë të fshihen pas frazës “jo krejt burrat”, morali i rremë mbetet aty për të mbrojtur dhunuesit.



