Foto: Sorapop Udomsri në Canva
Foto: Sorapop Udomsri në Canva

Familja përtej katër mureve

Kur përmendet familja, zakonisht e lidhim atë me shtëpinë. Familja shpesh nënkupton shtëpi, por jo domosdoshmërisht një shtëpi nënkupton strehë të sigurt, për gratë, vajzat apo djemtë. Përveç katër mureve, familja e shëndetshme duhet të ofrojë edhe mirëqenie emocionale, përkatësi dhe ndjenjë sigurie për të gjithë anëtarët e saj. Megjithatë, në raste të caktuara shpesh brenda mungon streha emocionale, siguria dhe vlerësimi për të gjithë anëtarët e saj.

Kur mungon kjo mbështetje emocionale, individët mund të përballen me vështirësi në zhvillimin e tyre personal dhe social. Kjo nuk i bën ata “problem”, por tregon për nevojën që shoqëria dhe familja të krijojnë kushte më të mira për kujdes, komunikim dhe mbështetje të barabartë për të gjithë, pa dallim gjinie.

Familjet tradicionale, në disa raste, funksionojnë mbi norma dhe role të përcaktuara prej kohësh. Ndërkohë, shoqëria ka pësuar ndryshime të mëdha sociale, ekonomike dhe kulturore, të cilat kanë ndikuar edhe mënyrën se si organizohet jeta familjare. Këtu nuk bëhet fjalë për përballje mes “të vjetrës” dhe “të resë”, por për një proces reflektimi dhe përshtatjeje me realitetin aktual.

Nëse do të ktheheshim një shekull më parë, do të shihnim se ndarja e roleve ka qenë e lidhur ngushtë me kushtet ekonomike dhe shoqërore të kohës. Gratë dhe burrat kontribuonin në mënyra të ndryshme, shpesh në varësi të mundësive dhe rrethanave.

Është e rëndësishme të theksohet se mungesa e të drejtave të barabarta dhe e mundësive për gratë nuk ishte zgjedhje, por pasojë e kufizimeve strukturore të kohës. Prandaj, ato modele nuk mund të idealizohen pa marrë parasysh kontekstin historik.

Sot, disa përpjekje për të rikthyer modele të së kaluarës shpesh ndodhin pa e analizuar në thellësi ndryshimin e kushteve shoqërore. “Tradicionalja” mund të ofrojë ndjenjë stabiliteti për disa, por kjo nuk duhet të nënkuptojë kufizim të roleve apo potencialit të individëve dhe e njëjta të ju imponohet.

Por cili është roli i secilit në familje?

Roli i askujt nuk duhet të përcaktohet vetëm nga gjinia. Çdo individ ka të drejtë të zhvillohet, të shprehet lirshëm dhe të kontribuojë në familje sipas aftësive dhe dëshirave të veta.

Partneriteti në familje nënkupton mbështetje të ndërsjellë, emocionale, praktike dhe ekonomike. Nuk është e drejtë që përgjegjësitë të ndahen në mënyrë të pabarabartë, sepse kjo kufizon si gratë ashtu edhe burrat. Burrat, po ashtu, kanë nevojë dhe të drejtë të jenë të përfshirë në kujdesin familjar dhe në shprehjen e emocioneve të tyre, diçka që në shoqërinë tonë rrallë e shohim.

Modelet tradicionale vazhdojnë të ekzistojnë dhe për shumë familje kanë vlera të rëndësishme, si solidariteti dhe përkushtimi. Megjithatë, kur këto modele kufizojnë barazinë dhe mundësitë, ato mund të pengojnë zhvillimin e plotë të individëve dhe të shoqërisë, me theks të veçantë të vajzave dhe grave.

Një familje bashkëkohore synon të ndërtojë marrëdhënie të bazuara në barazi, respekt dhe bashkëpunim. Në një mjedis të tillë, secili ka hapësirë të zhvillohet profesionalisht dhe personalisht, si dhe të marrë pjesë në vendimmarrje.

Në disa familje tradicionale, detyrat e përditshme vazhdojnë të ndahen në mënyrë të pabarabartë. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët e kuptojnë rolin e grave dhe burrave në shoqëri. Për një zhvillim të shëndetshëm, është e rëndësishme që fëmijët të rriten me modele që promovojnë barazi dhe bashkëpunim dhe jo nënshtrim dhe kufizim.

Për të arritur potencialin e plotë, çdo i ri apo e re ka nevojë për mbështetje nga familja dhe rrethi shoqëror. Kjo mbështetje nuk duhet të kushtëzohet nga gjinia, por të jetë e barabartë dhe inkurajuese për të gjithë, si për vajzat po ashtu edhe për djemtë.

Në shumë raste, pritshmëritë shoqërore kanë ndikuar që vajzat të vlerësohen më shumë për statusin martesor sesa për aftësitë dhe arritjet e tyre. Këto perceptime po ndryshojnë gradualisht, ndërsa gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të ndërtojnë jetën e tyre sipas prioriteteve personale dhe profesionale.

E kaluara ka qenë e ndikuar nga kufizime të shumta, ndërsa sot ekzistojnë më shumë mundësi për arsimim dhe zhvillim. Këto mundësi duhet të jenë të barabarta dhe të qasshme për të gjithë, pavarësisht gjinisë.

Prandaj, është e rëndësishme të reflektojmë mbi vlerat që duam të ruajmë dhe ato që duhet të ndryshojmë. Një shoqëri që promovon barazinë krijon hapësirë për zhvillim më të drejtë dhe më të qëndrueshëm.

Familjet që janë të hapura, mbështetëse dhe të ndjeshme ndaj nevojave të çdo anëtari kontribuojnë në rritjen e brezave më të sigurt dhe më të barabartë. Nuk bëhet fjalë për të braktisur traditën, por për ta zhvilluar atë në përputhje me parimet e të drejtave dhe barazisë, ku asnjë anëtar nuk përjashtohet apo kufizohet.

Barazia gjinore nuk është një garë mes grave dhe burrave, por një përpjekje e përbashkët për një shoqëri më të drejtë, ku secili ka mundësi të barabarta për të jetuar me dinjitet dhe për të marrë vendime për jetën e vet.

Mungesa e lirisë dhe e mbështetjes mund të ndikojë në vetëbesimin e të rinjve, duke i bërë ata të hezitojnë në vendimmarrje. Prandaj, është thelbësore që familja të jetë një hapësirë që nxit besim, autonomi dhe përgjegjësi.

Koha kërkon që çdo individ të ketë mundësinë të ndërtojë rrugën e vet, me mbështetje dhe respekt nga të tjerët. Vetëm kështu mund të krijojmë një shoqëri më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse.

Të tjera