A është përcaktimi i gjinisë e drejtë absolute e prindërve, akt i ndërhyrjes së njeriut në rendin natyror, apo sfidë ndaj interesit më të lartë të fëmijës?
Zhvillimet e hovshme në teknologji dhe mjekësi, e veçanërisht në fushën e riprodhimit të asistuar kanë sjellë dobi të mëdha për çiftet që përballen me vështirësi me ngjizjen biologjike, dhe kjo po që është për t’u përshëndetur, sepse shumë nga ata kanë arritur të realizohen si prindër. Megjithatë, kjo mënyrë e themelimit të prindërisë, ka hapur shumë diskutime juridike, morale, etike dhe fetare, sidomos kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e gjinisë së fëmijës dhe disa metodave të tjera të mundshme në aspektin e biomjekësisë por të ndaluara juridikisht. Procedurat e fekondimit artificial dhe diagnoza gjenetike paraimplantative mund të përcaktojnë gjininë biologjike të embrionit, duke hapur mundësinë për zgjedhjen e fëmijës së ardhshëm si djalë ose vajzë. Megjithatë, zgjedhja e gjinisë lidhet ekskluzivisht me gjininë biologjike të fëmijës dhe nuk prek identitetin e tij gjinor apo gjininë e gjakut, të cilat janë koncepte të ndryshme dhe nuk mund të përcaktohen paraprakisht para lindjes së fëmijës përmes metodave të biomjekësisë. Gjinia biologjike përcaktohet nga kromozomet dhe karakteristikat fizike të lindura, ndërsa identiteti gjinor reflekton mënyrën se si individi e përjeton dhe e shpreh veten si grua, burrë ose ndryshe, dhe gjithashtu nuk mund të menaxhohet përmes metodave të teknologjisë mjekësore. Nga ana tjetër, gjinia familjare përfaqëson lidhjen juridike ndërmjet dy ose më shumë personave, në bazë të së cilës krijohen të drejta dhe obligime brenda familjes. Kjo lidhje mund të krijohet: 1) në rrugë biologjike (gjinia e gjakut); 2) në bazë të adoptimit (gjinia civile); ose 3) me martesë (gjinia e krushqisë), dhe shpreh marrëdhënie personale që lidhen ngushtë me strukturën e familjes.
Ndërlidhur me temën e përzgjdhjes së gjinisë së fëmijës, Ligji për Fekondim të Asistuar Biomjekësor në RMV në nenin 24 ndalon në mënyrë shprehimore përdorimin e procedurave të fekondimit të asistuar biomjekësor për zgjedhjen e gjinisë së fëmijës, përveç rasteve kur kjo bëhet për parandalimin e sëmundjeve të trashëguara të lidhura me gjininë. Kjo ndalesë ligjore mbron parimet themelore të barazisë gjinore, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, duke vendosur një kufi të qartë midis autonomisë prindërore, të drejtës dhe përgjegjësisë shoqërore.
Në mënyrë të ngjashme, në Shqipëri, metodat e fekondimit artificial dhe diagnoza paraimplantative janë të lejuara, por përzgjedhja e gjinisë për arsye jo-mjekësore ndalohet shprehimisht nga Ligji nr. 8876 “Për Shëndetin Riprodhues”. Sipas këtij ligji, zgjedhja e gjinisë së fëmijës së ardhshëm, lejohet vetëm në rastet përjashtimore, edhe atë në situatat e rrezikut të trashëgimisë së ndonjë sëmundjeje lidhur me gjininë (neni 37). Jashtë këtyre rasteve, praktika bie ndesh me parimet e barazisë gjinore, të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe nga Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë (Përdorimi i teknikave të riprodhimit me ndihmën e elementeve mjekësore nuk lejohet për qëllim të zgjedhjes së gjinisë së fëmijës së ardhshëm, përveç rasteve kur duhet të shmanget një sëmundje e rëndë trashëguese e lidhur me gjininë, neni 14, 1997,). Jo rastësisht këtë krahasim e bëjmë me Shqipërinë, kjo ngaqë, në praktikë, dëshira për të pasur “djalë” ose “vajzë” mbetet e fuqishme veçanërisht brenda familjeve shqiptare, ku kjo procedurë perceptohet si shumë e dëshiruar dhe shpesh shihet si mundësi për të realizuar pritshmëritë e një kulture patriarkale dhe patrilineare. Ky fenomen ka sjellë gjithashtu dukurinë e njohur si “turizëm riprodhues”, ku shumë çifte nga RMV udhëtojnë drejt klinikave private në Shqipëri për të realizuar procedurën e përzgjedhjes së gjinisë. Edhe pse mungojnë të dhëna statistikore të plota, kjo dukuri pasqyron tensionin midis dëshirës personale të prindërve dhe kufizimeve ligjore, duke nënvizuar nevojën për një dialog të strukturuar etik dhe juridik. Por mos harrojmë që, Ligji për Fekondim të Asistuar Biomjekësor është një nga ligjet më liberale dhe moderne, dhe njeh gati të gjitha metodat e riprodhimit artificial, por ndalon përzgjedhjen e gjinisë.
Asesi nuk duhet harruar se, prindërit kanë të drejtë të vendosin për mënyrën dhe momentin e krijimit të familjes, një e drejtë që buron nga respektimi i jetës private dhe asaj familjare, të mbrojtura edhe nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, disa dëshira individuale na bëjnë me dije se kjo liri nuk është absolute. Kur dëshira për zgjedhjen e gjinisë del përtej qëllimeve shëndetësore, ajo mund të keqpërdoret, duke u kthyer në një mjet për të imponuar preferenca individuale mbi përcaktimin e gjinisë së fëmijës së ardhshëm. Shteti, përmes rregullimit ligjor dhe respektimit të kodit etik, ndërhyn jo për të kufizuar dëshirën e prindërve, por për të parandaluar krijimin e një “mozaiku” për jetën njerëzore dhe për të mbrojtur interesin publik, parimin e barazisë gjinore dhe dinjitetin e individit që ende nuk ka lindur. Në këtë kontekst, kufizimet ligjore mbi përzgjedhjen e gjinisë janë të justifikuara, pasi ato sigurojnë që avansimi mbi shkencën mjekësore t’i shërbejë jetës dhe jo preferencave personale. Ajo që më habit më shumë është se kjo ndodh në një shoqëri që shpesh janë kundër koncepteve të identitetit gjinor dhe i sheh ato si një rrezikshmëri moraliste, ndërkohë që në mënyrë tinëzare bëhen pjesë e procedurave për përcaktim të gjinisë biologjike së fëmijëve të tyre.
Shikuar nga aspekti etik, përzgjedhja e gjinisë ngre pyetje esenciale mbi kufijtë e autonomisë prindërore: a përfshin e drejta për t’u bërë prind edhe të drejtën e tyre për zgjedhjen e gjinisë së fëmijës? Sipas bioetikës bashkëkohore, çdo veprim që prek një individ të ardhshëm duhet të respektojë parimet e drejtësisë, duke garantuar që zgjedhjet riprodhuese të mos e identifikojnë fëmijën në një objekt dëshire dhe të mos cenojnë barazinë gjinore. Përzgjedhja e gjinisë për arsye jo-mjekësore shkel këto parime, pasi e trajton fëmijën si mjet për realizimin e dëshirave të prindërve, rrezikon të forcojë stereotipet gjinore dhe dëmton përpjekjet për barazi, veçanërisht në një shoqëri me histori të preferencave gjinore.
Teknologjia e riprodhimit të asistuar lejon identifikimin e gjinisë me saktësi të lartë dhe kjo është e vërtetuar, mirëpo në këtë kontekst rregullimi ligjor dhe kodi etik bëhen të domosdoshëm për të shmangur abuzimet. E drejta duhet të garantojë që avansimet në shkencën e mjekësisë duhet ti shërbejnë nevojave të njeriut dhe përmirësimit të jetës, jo tregut apo pritshmërive prindërore. Andaj, sistemet juridike vendosin kufij përmes ndalesave ligjore mu për të shuajtur ambicjet e pakontrolluara të njeriut dhe egot patriarkale. Mos harojmë që përzgjedhja e gjinisë, përmirësimi i kapaciteteve fizike apo intelektuale të fëmijës së ardhshëm dhe metoda të ngjashme janë pjesë e eugenetikës, dhe janë të ndaluara universalisht për arsye etike dhe juridike, duke mbrojtur respektin për dinjitetin dhe të drejtat e individit që ende nuk ka lindur.
Balancimi që duhet të vendoset dhe ruhet është i qartë: respekti për autonominë riprodhuese të prindërve, mbrojtjen e barazisë gjinore për fëmijën dhe shoqërinë, si dhe përmbushja e obligimeve ligjore brenda kufijve etik dhe moral. Vetëm duke kuptuar dallimin midis gjinisë biologjike, identitetit gjinor dhe gjinisë familjare (gjakut, adoptimit dhe krushqisë), mund të ndërtojmë politika dhe praktika të natalitetit që përfitojnë nga avansimet shkencore, ndërkohë që ruajnë dinjitetin, barazinë dhe drejtësinë sociale, dhe kjo gjithnjë duke pasur parasyshë interesin më të lartë të fëmijët që nga momenti i ngjizjes së tij. Në përpjekjen për të zgjedhur, njeriu shpesh harron se jeta nuk është projekt që mund të programohet, por dhuratë që duhet respektuar. Andaj, nuk është në dorën e njeriut të ndryshojë rrjedhën natyrore të jetës, e cila mbetet përtej dëshirave dhe kontrollit tonë. Edhe pse teknologjitë e riprodhimit të asistuar ia ofrojnë njeriut këtë mundësi, ato nuk mund të zëvendësojnë madhështinë natyrore të krijimit, duke mos harruar këtu se tek fëmija nuk ka asgjë artificiale, pasi ndërhyrja ndodh vetëm në procesin e ngjizjes, kur ajo nuk mund të realizohet në mënyrë biologjike. Pikërisht këtë ekuilibër e mbron bioetika, e cila kujdeset që avansimet shkencore të mos e tejkalojë kufirin e dinjitetit njerëzor dhe të mos cenojë rendin natyror të jetës që ligji synon ta ruajë.





