Gjuha e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut mbetet një sfidë serioze, e drejtuar më së shpeshti kundër komuniteteve etnike dhe personave LGBTIQ+. Ngjarjet politike dhe proceset zgjedhore e rrisin më tej mundësinë e shfaqjes së përmbajtjeve të tilla. Sipas raportit të Komitetit të Helsinikit të publikuar në muajin dhjetor, pjesa më e madhe e rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës shqetësuese janë regjistruar në rrjetet sociale, në formë komentesh ose si postime në profile personale.
“Vetëm përmes platformave të dokumentimit u regjistruan 230 raste të raportuara të gjuhës së urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Pjesa më e madhe e rasteve ndodhën në rrjetet sociale, ku u vu re përhapje e theksuar e gjuhës homofobike dhe transfobike në kontekstin e ngjarjeve si Shkupi Pride, si dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale. Edhe pse u inicuan të paktën tetë procedura ligjore – përfshirë kallëzime penale për përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemeve kompjuterike – reagimi institucional ishte i dobët. Një pjesë e kallëzimeve u hodhën poshtë nga prokuroritë pa arsyetim që do ta pasqyronte rëndësinë e veprës, ndërsa në raste të tjera përgjigjja ende pritet”, thuhet në raport.
Përveç gjuhës së urrejtjes, janë dokumentuar edhe raste të diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe dhunës. Një nga shembujt më shqetësues ishte rasti i një nxënësi në Veles, i cili iu nënshtrua bullizmit të vazhdueshëm në shkollë për shkak të orientimit të supozuar seksual dhe përkatësisë etnike. Ndërkaq situata mbetet problematike edhe në sistemin shëndetësor.
“Për më tepër, personat që jetojnë me HIV vazhdojnë të përballen me diskriminim, veçanërisht në vendin e punës dhe në institucionet shëndetësore. Në disa raste të dokumentuara, pacientët janë detyruar të paraqesin teste për HIV ose u janë mohohen shërbimet. Mungesa e besimit në institucionet i detyron shumë persona LGBTIQ+ të mos i raportojnë shkeljet, gjë që e thellon edhe më tej marginalizimin e tyre”, vazhdon më tej raporti.
Nga ana tjetër, raporti analitik për të drejtat e LGBTI në RMV 2023-2025 i publikuar nga Instituti për të Politika Evropiane (IPE), thotë se korniza ligjor që trajton diskriminimin dhe krimet e urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor është në masë të madhe e konsoliduar dhe e harmonizuar me acquis-në e BE-së dhe standardet evropiane. Megjithatë, zbatimi i saj mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon përmirësime të konsiderueshme.
“Përpjekjet për promovimin e barazisë dhe dënimin e gjuhës së urrejtjes, krimeve të urrejtjes, diskriminimit dhe intolerancës duhet të forcohen. Për më tepër, politikanët duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës diskriminuese. Kodi Penal nuk ka një përkufizim të qartë dhe gjithëpërfshirës të gjuhës së urrejtjes, duke u lënë organeve të zbatimit të ligjit hapësirë të gjerë diskrecioni për të vendosur se cilat raste do të hetohen dhe ndiqen penalisht. Krimet e urrejtjes ndaj personave LGBTI+ mbeten të nënraportuara, kryesisht për shkak të frikës nga hakmarrja dhe mungesës së besimit në organet e rendit, ndërsa mbrojtjet ligjore ekzistuese zbatohen dobët. Për më tepër, krimet e motivuara nga paragjykimi nuk regjistrohen siç duhet dhe nuk hetohen në mënyrë të plotë nga policia dhe prokuroritë”, thuhet në analizën e IPE-së.
Nga instituti shtojnë se, gjuha e urrejtjes, siç përbën krim në Kodit Penal, trajtohet gjithashtu edhe në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku neni 10 i këtij ligji e përkufizon ngacmimin si çdo sjellje të padëshiruar ndaj një individi ose grupi, e bazuar në baza diskriminuese, me qëllim ose efekt të cenimit të dinjitetit ose krijimit të një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues apo frikësues.
“Megjithatë, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk i trajton këto raste përmes procedurave penale. Vendimet dhe rekomandimet e tij, ndonëse me rëndësi, nuk janë juridikisht detyruese. Nëse kryerësi nuk e zbaton një rekomandim, mund të iniciohet një procedurë kundërvajtëse në Gjykatën për Kundërvajtje. Megjithatë, ky proces nuk siguron dëmshpërblim për viktimat e diskriminimit. Për më tepër, mbivendosja midis veprave të gjuhës së urrejtjes në Kodin Penal dhe dispozitave për ngacmim në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi krijon paqartësi juridike. Ky sistem dual e ndërlikon kërkimin e drejtësisë për individët, pasi ngre shqetësime lidhur me parimin res judicata – parimin sipas të cilit një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër. Nëse një diskriminues dënohet me gjobë nga Gjykata për Kundërvajtje sipas ligjit antidiskriminues, ai nuk mund të ndiqet penalisht për të njëjtin akt”, theksojnë nga IPE.
Për përmirësim të gjendjes së gjuhës së urrejtjes, Komiteti i Helsinkit rekomandon moderim të forcuar në rrjetet sociale, përkatësisht angazhim më i madh i platformave (Facebook, Instagram, X, TikTok) për heqjen e përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje dhe sanksionimin e profileve që i përhapin ato. Po ashtu, rekomandohet ndryshime ligjore për transparencë më të madhe, përkatësisht të shqyrtohen mundësitë për ndryshime ligjore që do t’i mundësonin Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi të ketë qasjen në të dhënat e autorëve të gjuhës shqetësuese.






