Shkruajnë: Rita Behadini dhe Era Gjakova
“Jeta është kaq e shpejtë dhe dinamike, dhe sado menaxher i mirë kohor të jesh, thjesht ka gjëra që nuk mund t’i arrish”. Avokatja N.S vetë ka shfrytëzuar mundësinë e ngrirjes së qelizave vezë dhe mendon se gratë të cilat kanë mundësi financiare duhet të ja mundësojnë vetes “shtyerjen e afatit” për t’u bërë nëna.
Përfshirja e grave në tregun e punës dhe ambiciet për karrierë bëjnë tik-takun e orës biologjike një problem shtesë në jetën e grave të cilat duan ta realizojnë veten më vonë në jetë edhe si nëna. “E mendova mirë nëse duhej apo jo ta bëj”, shprehet ajo, “kërkova të informohem mirë për të gjithë procesin dhe erdha në përfundim se ia vlente”.
“Ngrirja e vezëve është një proces aspak i vështirë dhe një mundësi shumë e mirë për gratë për të realizuar veten e tyre në aspektin familjar dhe sinqerisht është një hap që çdo grua që ka mundësinë ekonomike dhe ndjen nevojën, duhet ta bëjë pa u menduar dy herë”.
As Ministria e Shëndetësisë dhe as Fondi për Sigurim Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të dhëna për gratë që vendosin të bëjnë ngrirje të qelizave vezë me qëllim lindjen e një fëmije në të ardhmen. Kjo procedurë nuk realizohet në klinikat dhe spitalet shtetërore në RMV dhe nuk mbulohet si proces nga Fondi për Sigurim Shëndetësor. Mundësia e vetme është realizimi i të njëjtës në klinika private. E njëjta vlen edhe për shtetin e Kosovës.
“Duke qenë se ngrirja (kriopservimi) i qelizave vezë si shërbim shëndetësor nuk mbulohet nga fondet e Fondit, ne nuk kemi të dhëna me të cilat mund t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja.”
Fondi për Sigurim Shëndetësor në RMV
Mos financimi i kësaj procedure nga ana e shtetit diskriminon dhe e bën të pamundur shfrytëzimin e kësaj mundësie për gratë të cilat nuk punojnë, kanë të ardhura më të pakta, ose punojnë profesione të cilat paguhen më pak.
Sipas deputetes së Vetëvendosjes në Kosovë, Albena Reshitaj, ngrirja e qelizave vezë mund t’u japë çifteve, respektivisht grave, më shumë mundësi për planifikimin e familjes dhe për ruajtjen e fertilitetit, sidomos në rastet kur përballen me trajtime mjekësore që mund ta dëmtojnë atë. “Kjo procedurë mund të krijojë një mundësi shtesë që shumë gra të kenë fëmijë në të ardhmen”, shprehet ajo. “Megjithatë, është shumë e rëndësishme që kjo të shoqërohet me informim të plotë mjekësor dhe me një kornizë ligjore të qartë që garanton siguri dhe standarde etike në përdorimin e këtyre teknologjive”.
Çfarë thotë ligji në RMV dhe Kosovë?
Në Maqedoninë e Veriut ngrirja dhe ruajtja e qelizave vezë është e rregulluar në detaje me Ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor, i cili proces realizohet në institucionet e autorizuara shëndetësore. Sa i përket Kosovës, ende nuk ka një ligj të plotë dhe funksional që rregullon në mënyrë gjithëpërfshirëse fertilizimin e asistuar mjekësor. Aktualisht kjo fushë mbështetet kryesisht në dispozita të përgjithshme të Ligjit për Shëndetin Riprodhues (Kosovë, 2007) dhe në Udhëzimin Administrativ për Frytnim të Asistuar Mjekësor (Kosovë, 2013), të cilat nuk e rregullojnë në mënyrë të mjaftueshme këtë sektor që është kompleks dhe i ndjeshëm.
“Ngrirja dhe ruajtja e qelizave vezë është një nga të drejtat riprodhuese të gruas si pjesë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, sqaron për “Mollëkuqja”
Arta Mero
Në ligjin për Fekondim të Asistuar Biomjekësor procesi i ngrirjes së vezëve në Maqedoninë e Veriut është i rregulluar nga neni 30 deri në neni 33 në të cilat përcaktohet se cilat institucione mund ta kryejnë këtë proces, nën çfarë kushtesh mund të kryhet, cilat janë detyrimet e institucioneve shëndetësore në drejtim të sigurimit të vezëve dhe ruajtjen e integritetit të qelizave seksuale. Ligji gjithashtu thekson se: Burri dhe gruaja që, bazuar në njohuritë mjekësore ose përvojën nga shkencat mjekësore, janë në rrezik infertiliteti për shkak të arsyeve shëndetësore, mund të ruajnë spermën, vezët, indet ovariane ose testikulare të tyre në një institucion shëndetësor të autorizuar për përdorim personal (Neni 33 paragrafi 1).
“Gruaja ka të drejtën absolute mbi trupin e saj si dhe të drejtën të vendosë për fatin e materialit të saj riprodhues, pra të vendos në ngrirje dhe ta ruaj qelizën e saj vezë për arsye nga më të ndryshmet përfshirë këtu arsye subjektive, mjekësore apo humane, edhe atë: për përdorim vetanak, për shtyerje të procesit të amësisë, pritje për momentin e përshatshëm për martesë, për shkak të karrierës, për shkak të ndonjë trajtimi mjekësor që do të pasojë pas ruajtjes së qelizës vezë, për arsye të shëndetit riprodhues, tejkalimit të jopjellshmërisë, për dhurim të qelizës së saj çifteve jopjellore, planifikim të monoprindërisë, etj.”, shprehet Arta Mero.
Komisioni Shtetëror për Fertilizimin e Asistuar Biomjekësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë në RMV është përgjegjës për procedurat e realizuara nëpërmjet Ligjit për Fekondim të Asistuar Biomjekësor. Në Kosovë ky komision quhet Komisioni për Frytnim të Asistuar Mjekësor (FAM).
“Kosova ka patjetër nevojë për një ligj të qartë dhe të mirë strukturuar që rregullon fertilizimin e asistuar biomjekësor. Shumë çifte përballen me infertilitet dhe shpesh detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit, prandaj një kornizë ligjore e mirë është e domosdoshme”, thotë deputetja e Vetëvendosjes, Reshitaj. Sipas saj, një ligj i mirë duhet të balancojë tri elemente: nevojën e çifteve për trajtim, mbrojtjen e interesit të fëmijës dhe sigurinë juridike të sistemit. Pa këtë balancë, shprehet ajo, rrezikojmë të krijojmë probleme të reja në të ardhmen.
“Për momentin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk ofrohet shërbimi i ngrirjes së vezëve derisa të krijohet korniza ligjore për këtë, por teknikisht Klinika e Gjinekologjisë deklarohet se e ka këtë mundësi. Pra gratë në Kosovë e kanë të vështirë ta kryejnë një procedurë të tillë në institucione shtetërore ndërkohë në ato private çmimet janë të larta”
Paulina Nushi Muhaxhiri.
Në Kosovë projekt-ligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor në vitin 2023 ngjalli debat në publik sepse parashihte realizimin e procedurës in-vitro edhe nga nënat e vetme të cilave ju lejohej të krijonin familje edhe nëse nuk ishin të martuara. Projektligji për shëndetin riprodhues dhe feritilizimin e asistuar mjekësor nuk ka arritur të miratohet në Kuvend në Kosovë ndonëse është hedhur disa herë në votim që nga tetori i vitit 2023.
“Sa i përket Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (Kosovë, 2023), në parim ai është një hap i rëndësishëm për ta rregulluar këtë fushë. Megjithatë, në formën aktuale ka mangësi që duhet të adresohen para miratimit përfundimtar. Veçanërisht është e rëndësishme të rregullohen qartë çështjet që lidhen me donatorët e qelizave riprodhuese, transparencën e procedurave dhe mbrojtjen e të drejtës së fëmijës për të njohur origjinën biologjike”
Albena Reshitaj
Sa kushton ngrirja e qelizave vezë?
“Mollëkuqja” ka hulumtuar disa nga klinikat private në Shkup dhe Prishtinë për të parë kostot e kësaj procedure. Në Maqedoninë e Veriut, njësoj si edhe në Kosovë, nëntë institucione shëndetësore kanë licencë valide për të ofruar shërbime për frytnim të asistuar mjekësor, të gjitha institucione private. Gjithsesi, institucionet shëndetësore në Kosovë janë treguar shumë më të rezervuara dhe jotransparente në ndarjen e informatave për çmimet.
Avokatja N.S ka paguar 2000 euro për procesin e ngrirjes së qelizave vezë dhe çdo muaj paguan 250 euro për ruajtjen e tyre. Çmimet për procesin e ngrirjes së vezëve, që nga fillimi i terapisë, terapitë hormonale, tërheqja e vezëve, dhe ruajta e tyre, lëvizin varësisht nga nevoja e çdo pacienti individualisht dhe ofertave apo paketave të ofruara nga vetë këto institucione shëndetësore.
Disa nga këto institucione shëndetësore çmimin për ngrirjen e vezëve e japin si pako e të tjera për çdo fazë të procesit e kanë të ndarë. Kështu, testet hormonale mund të kushtojnë nga 15 deri 30 euro, terapia hormonale individuale varësisht nga spitali por edhe nevoja e pacientit mund të fillojë nga 300 deri 1300 euro. Kurse sa i përket procesit të marrjes të vezëve, ngrirjes dhe ruajtjes së tyre, institucionet shëndetësore kanë oferta të ndryshme.
“Mollëkuqja” ka hulumtuar çmimet deri në momentin e tërheqjes së vezëve, çmimet për një vit ruajtje, çmimet për terapitë hormonale individuale dhe kohëzgjatjen e të gjithë procesit. Sipas të dhënave tona, çmimi më i lartë për ofrimin e shërbimit të tërheqjes së vezëve deri te tërheqja është 2000 euro, kurse më i ulti 200 euro. Ruajtja e vezëve pas tërheqjes varet si nga numri i vezëve ashtu edhe nga kohëzgjatja. Kështu, çmimet fillojnë nga 245 euro dhe mbërrijnë deri në 2700 euro. I tërë procesi zgjat nga 8 deri në 30 ditë, varësisht nga nevojat individuale të pacientit.
Duke analizuar parametrat e lartë përmendura, “Mollëkuqja” ka kalkuluar paratë që një grua duhet të ketë në xhep në fillimin e kësaj procedure, duke kalkuluar edhe ruajtjen e qelizave vezë sipas paketave të ofruara nga spitalet. Çmimi më i ulët që kemi arritur të kalkulojmë është 1500 euro, kurse çmimi më i lartë kap shifrën afër 4300 euro. Kjo padyshim është një kosto e lartë, duke pasur parasysh edhe faktin që nuk mbulohet si procedurë nga shteti. Sipas profesoreshës Arta Mero, kjo praktikë lë hapësirë për diskriminim ndaj grave të cilat nuk mund ta përballojnë financiarisht, duke ju dhënë sërish mundësinë vetëm shtresave më të larta të shoqërisë ta përdorin si praktikë.
“Edhe pse mundësia e ngrirjes dhe ruajtjes së qelizave vezë është e rregulluar me normat ligjore të Maqedonisë së Veriut, ende ka një ngecje të përdorimit të saj bazuar në traditën kultutore të shoqërisë sonë. Gjithashtu, meqë janë të larta kostot e ruajtjes së qelizave vezë apo blerjes së tyre për fekondim alogjenik (në situata kur fekondimi nuk mund të bëhet nga qeliza vezë vetanake), në një shoqëri si e jona, jo të gjitha gratë kanë mundësi materiale t’ia ofrojnë vetes këtë opcion të planifikimit familjar. Prandaj në këtë metodë të shtyerjes së amësisë për një kohë të caktuar, nuk kanë qasje të gjitha gratë” Arta Mero
“Duke më njohur mua familja ime nuk janë befasuar dhe e kanë pritur mirë. Personalisht nuk është se jam rrëfyer në ambiente që nuk kanë kapacitet ta kuptojnë këtë proces për t’u përballur me paragjykimet. Por aty ku jam rrëfyer është pritur shumë mirë.”, tregon N.S për “Mollëkuqja”
Megjithatë, kjo nuk është e vërteta e shumë grave të tjera të cilat paragjykohen për mënyrën se si duan të realizohen si nëna. Presioni social, përveç kostove të larta, shumë shpesh bën që gratë të tërhiqen dhe të mos i shfrytëzojnë mundësitë të cilat ligji ua ofron.
“Barra e presionit bjen mbi gratë që ju kërkohët të bëhën nëna, të krijojnë të ardhura dhe të jenë në hap më shkollimin dhe emancimpimin e tyre. Shteti duhet të punoj në krijimin e kornizës ligjore që ju mundëson grave ngrirjen e vezëve në QKUK që ato të realizojnë shtatzënitë e planifikuara sipas moshës kur ato duan. Shtatzënia nuk duhet të jetë presion social por dëshirë dhe realizim i objektivave të një gruaje kur dhe si ajo do”, thotë për Mollëkuqja gazetarja Paulina Nushi Muhaxhiri.
Zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë ka zgjeruar kufijtë e moshës riprodhuese të gruas, duke i dhënë asaj mundësinë të realizojë qëllimet profesionale pa u kushtëzuar nga martesa apo presioni i “orës biologjike”. Ngrirja e qelizave vezë është një e drejtë themelore riprodhuese, që i mundëson gruas të vendosë vetë për trupin dhe të ardhmen e saj riprodhuese, pavarësisht nëse arsyeja është subjektive, mjekësore apo humane. Në thelb, kjo teknologji përfaqëson fuqizimin e gruas për të zgjedhur kur dhe si të bëhet nënë.



