“Nderi” i Elif Shafak, temë diskutimi në takimin e përmuajshëm të “Mollëkuqja”

Romani “Nderi” i Elif Shafak u diskutua mbrëmjen e djeshme në një takim të përmuajshëm të librit, me organizim të “Mollëkuqja” dhe “Klubi i Librit Shkup”.

“Nderi” i Elif Shafak gërmon në shtresat e ndërlikuara të dinamikës së familjes, identitetit kulturor dhe kërkimit të lirisë individuale në sfondin e shoqërive turke dhe kurde. Romani ndjek jetën e ndërthurur të dy motrave, Pembes dhe Xhemiles, teksa lundrojnë në kompleksitetin e dashurisë, traditës dhe sakrificës.

Gjatë takimit u diskutua mbi fenomene të ndryshme të cilat gjithashtu i shohim edhe në shoqërinë tonë si: femicidi, patriarkati, standardet e dyfishta, tradita dhe paragjykimet. Theks i veçantë gjatë diskutimit ju vendos koncepteve “nder” dhe “moral”, koncepte këto të cilat në shoqërinë tonë, por edhe më gjerë, konsiderohen absolute dhe portretizohen varësisht preferencave të patriarkatit.

Ky projekt i “Mollëkuqja” ka për qëllim nxitjen e leximit të librave të autoreve gra, duke dashur që të nxis dashurinë për librat dhe leximin, por edhe të mbështesë gratë në letërsi.

Друго