Ministria e Drejtësisë ka katër vite që nuk zbaton ligjin: Konkursi për ndihmë juridike falas nuk është hapur as këtë vit

Ministria e Drejtësisë “premtoi” që në vitin 2026 do të hapet konkurs për ndarje të fondeve për shoqatat dhe klinikat juridike të cilat janë të autorizuara për të ofruar ndihmë juridike falas. Megjithatë, fundi i prillit na gjen pa asnjë konkurs të hapur as këtë vit. 

“Dy vjet më parë, kjo thirrje nuk u publikua për arsye financiare, d.m.th. Departamenti i Ndihmës Juridike Falas nuk ka buxhetin e vet dhe nuk lejohet ta publikojë këtë thirrje derisa të marrë fonde nga Ministria e Financave. Ministria e Drejtësisë planifikon të sigurojë fonde për këtë qëllim që në vitin 2026 me qëllim zbatimin e mëtejshëm të ligjit”, deklaruan nga Ministria e Drejtësisë në gusht të vitit 2025.

Sipas nenit 11 të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas, Ministria e Drejtësisë ka detyrim ligjor për të hapur konkus për të kompenzuar ndihmën juridike falas të ofruar në shoqata, klinika juridike apo institucione të autorizuara. Megjithatë, ky është i katërti vit që Ministria e Drejtësisë nuk hap konkurs të tillë, gjë që pamundëson që viktimat e dhunës në familje të arrinë deri te këshillat juridike, ndihma e formave të ndryshme si dhe deri te përfaqësimi i tyre falas. 

“Ministria e Drejtësisë nuk ka hapur konkurs për financim të organizatave joqeveritare për dhënie të ndihmës juridike falas për vitin 2025 dhe 2026”, thonë nga Ministria e Drejtësisë nëntë muaj pasi premtuan. 

Viktimave të dhunës në familje ju rrezikohet qasje e barabartë në drejtësi si pasojë e mos ndarjes së fondeve. Klinika Juridike “Emine Zendeli” është një ndër klinikat që “pëson” nga kjo neglizhencë e Ministrisë së Drejtësisë. Koordinatorja e kësaj klinike, Arta Mero, thekson se klinika, në mungesë të fondeve nga Ministria e Drejtësisë, punon vullnetarisht, por kjo situatë kufizon ndihmën që klinika mund të ua jep viktimave të dhunës në familje. 

“Në mungesë të financimit të rregullt, klinika juridike vazhdon të punojë pro bono dhe herë pas here mbi bazë të ndonjë projekti eventual, gjë që ndikon drejtpërdrejt në joqëndrueshmërinë financiare të saj. Kjo situatë kufizon mundësinë për të angazhuar staf të specializuar, për të mbuluar shpenzimet procedurale dhe për të zgjeruar numrin e rasteve që mund të marrim përsipër, duke ndikuar kështu negativisht tek viktimat që mbeten pa mbrojtje juridike efektive. Kapaciteti njerëzor në këto raste është vendimtar, pasi viktimave u nevojitet ndihmë e menjëhershme dhe profesionale, një angazhim që klinika e jep me çdo kusht dhe në çdo kohë kur të na drejtohet klienti.”

Zoran Vasilevski nga Komiteti i Helsinkut, shprehet se shoqatat dhe klinikat të cilat ofrojnë ndihmë juruidike falas vazhdojnë të ndihmojnë personat në nevojë pavarësisht mos marrjes së fondeve, por sipas tij kjo nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë. 

“Në vitin 2024 është vërejtur një rënie e dukshme e shërbimeve të dhëna nga shoqatat e autorizuara për ndihmë juridike falas, sepse shumica prej tyre përballen me probleme serioze financiare. Në këtë kuptim, nuk bëhet fjalë për mohimin e shërbimeve të caktuara juridike, por për uljen e cilësisë dhe të azhurnimit në ofrimin e tyre. Deri tani nuk është i njohur rast i ndonjë shoqate të autorizuar që ka ndërprerë plotësisht dhënien e shërbimeve në kuadër të ndihmës juridike primare, por është vetëm çështje kohe kur edhe një trend i tillë do të fillojë nëse këto organizata nuk sigurojnë mjete minimale financiare – të domosdoshme për angazhimin e këshilltarëve juridikë për ndihmë juridike falas.

Pamundësia për të pasur qasje në ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje nënkupton që të njëjtët nuk kanë përfaqësim cilësor, e si rrjedhojë edhe nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.

“Në praktikë kjo përbën një formë të mohimit të drejtësisë. Kur viktimat nuk mund të përfitojnë ndihmë juridike falas, ato shpesh detyrohen të përfaqësojnë veten pa njohuritë e nevojshme juridike ose të heqin dorë nga ndjekja e procedurave. Mosqasja në sistemin e drejtësisë rrezikon realizimin e të drejtave të tyre themelore duke e lënë në këtë mënyrë viktimën në rrethin vicioz pa ndihmë dhe pa përkrahje institucionale. Nëse nuk ofrohet mbulim i financiar i shërbimeve të ndihmës juridike falas, viktimat e dhunës mbi bazë gjinore përballen jo vetëm me dhunën vetë, por edhe me një sistem që nuk arrin t’i mbrojë në mënyrë efektive.”

Ministria e Drejtësisë, me arsyetim se viktimat e dhunës në familje kanë të hyra mujore, ka refuzuar edhe kërkesën e Klinikës Juridike “Emine Zendeli” për ndihmë juridike sekondare falas. 

“Klinika jonë juridike ka aplikuar për klientët viktima të dhunës mbi bazë gjinore, për ndihmë juridike sekondare falas, me qëllim që t’iu mundësohet përfaqësim nga një avokat për përfaqësim në procedurat e mëtejme gjyqësore për të cilat Klinika Juridike nuk ka kompetecë ligjore vet të veprojë. Megjithatë, këto kërkesa janë refuzuar nga Ministria e Drejtësisë me arsyetimin se viktimat kanë të hyra mujore, pa marrë parasysh rrethanat reale të tyre ekonomike dhe sociale.

Mos shpallja e këtij konkursi pamundëson ofrimin e këshillave të përgjithshme juridike dhe informacioneve të përgjithshëme juridike lidhur me të gjitha procedurat që i qëndrojnë në dispozicion viktimës, si procedura e përgjithshme administrative, kontestet administrative, procedurat civile dhe penale. Për më tepër, në disa raste, shoqatat e autorizuara shoqërojnë viktimën në institucionin përkatës për paraqitjen e dhunës së përjetuar, ndërkohë që disa shoqata kryejnë edhe monitorim të proceseve gjyqësore që lidhen me dhunën në familje ose dhunën me bazë gjinore.

Овој напис е дел од проектот „ЗАШТИТА СО ЗАКОН: Се грижиме за правна поддршка и заштита за жртвите на сексуално и родово-базирано насилство“, кој го спроведува Центарот за Еднакви Можности „Бубамара„, во рамки на акцијата „СЕ ГРИЖИМЕ: Заедно се бориме против сексуалното и родовото насилство “, финансирана од Европската Унија, а предводена од Националната мрежа против насилство врз жени и семејно насилство. Содржината на овој документ е единствена одговорност на Центар за Еднакви Можности „Бубамара„, и на никој начин не може да се смета дека ги претставува ставовите и гледиштата на Европската Унија.

Друго