Në epokën digjitale, platformat e mediave sociale nuk janë më vetëm vende për ndarjen e fotografive apo komunikim me miqtë. Ato janë bërë faktorë të rëndësishëm në formësimin e opinionit publik dhe ndërveprimit social, të cilat shpesh sjellin edhe ndikime negative.
Një nga fenomenet më shqetësuese në mediat sociale është mizogjinia, pra urrejtja ose përçmimi ndaj grave. Mizogjinia online shfaqet në forma të ndryshme: nga komentet seksiste dhe ngacmimet deri te kërcënimet me dhunë dhe fushatat e koordinuara për diskreditim.
Një nga shqetësimet më të mëdha është se dhuna online mund të shndërrohet shpejt në dhunë fizike.
Mollëkuqja analizoi dy studime të mëdha mbi shqetësimet dhe ndikimet që platformat sociale sjellin te vajzat/gratë dhe te djemtë/burrat.
Si ndikojnë mediat sociale në normat gjinore te djemtë adoleshentë?
Hulumtimet e mëparshme janë fokusuar kryesisht te ndikimi i pabarazisë gjinore online ndaj vajzave dhe grave.
Megjithatë, rritja e influencuesve mizogjinë si Andrew Tate dhe rritja e vëmendjes ndaj dhunës kanë shtuar shqetësimet për ndikimin negativ që mediat sociale mund të kenë te djemtë dhe burrat e rinj.
Një studim i ALIGN mbi përdorimin e mediave sociale dhe normat gjinore te djemtë adoleshentë tregon se pak studime janë fokusuar drejtpërdrejt në ndikimin e mediave sociale mbi normat gjinore ose maskulinitetin te djemtë adoleshentë, ndërkaq se hulumtimet ekzistuese mbi ndikimin e mediave sociale te normat gjinore të djemve dhe burrave të rinj nuk janë të unifikuara dhe përfundimet nuk mund të përgjithësohen lehtë.
Gjetjet sugjerojnë se ndikimi tek adoleshentët varet nga mënyra se si ata ndërveprojnë me mediat sociale dhe nga lloji i përmbajtjes që shohin ose përdorin.
“Përdorimi i mediave sociale nga adoleshentët ndikohet dhe njëkohësisht ndikon nga normat gjinore që ekzistojnë në familje, grupet shoqërore dhe rrjetet e tyre. Disa adoleshentë mund të jenë më të ndjeshëm ndaj ndikimeve të mediave sociale sesa të tjerët. “Pjesa e padukshme” e platformave sociale – si funksionimi i algoritmeve, modelet e biznesit dhe niveli i rregullimit ka ndikim të madh, por shpesh të nënvlerësuar, në përmbajtjen që shohin adoleshentët”, thuhet në studim.
Raporti thekson se nevojiten më shumë kërkime, por edhe ajo që dihet deri tani tregon se debati mbi ndikimin e mediave sociale te normat gjinore dhe maskuliniteti duhet të trajtohet me kujdes.
Në vend që mediat sociale të shihen vetëm si rrezik, raporti sugjeron fokusimin te rreziqet konkrete, por edhe potenciali pozitiv që mund të kenë në kontekste të caktuara.
Ndikimi i mediave sociale te gratë dhe vajzat
Një studim nga departamenti për të Drejtat e Qytetarëve dhe Çështjet Kushtetuese i Parlamentit Evropian tregon se në Bashkimin Evropian, përdorimi i mediave sociale është pak më i lartë te gratë sesa te burrat në të gjitha grupmoshat.
Studimi tregon se Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok, WhatsApp dhe Pinterest janë më të popullarizuara te gratë, ndërsa Twitter, LinkedIn, Reddit, Discord, Twitch dhe Telegram përdoren më shumë nga burrat.
Studimi thotë se djemtë dhe burrat kanë më shumë gjasa të përfshihen në sjellje të rrezikshme online, si sexting, shpërndarje materialesh të dhunshme, ngacmime online, hakerim dhe mashtrime kibernetike.
“Kalimi i më shumë kohe në mediat sociale lidhet me rritje të simptomave depresive si te djemtë ashtu edhe te vajzat, por ndikimi është më i madh te vajzat. Faktorët përfshijnë mungesën e gjumit cilësor, ngacmimet online, vetëvlerësimin e ulët dhe imazhin negativ për trupin”, thuhet në studim.
Studimi tregon se vajzat dhe gratë kanë më shumë gjasa se djemtë dhe burrat të përjetojnë probleme me imazhin trupor dhe çrregullime të të ngrënit të lidhura me përdorimin e mediave sociale.
“Vajzat dhe gratë përjetojnë më shpesh abuzim seksual dhe gjinor online, përfshirë marrjen e fotografive seksuale të padëshiruara, kërkesat për fotografi intime dhe shpërndarjen e imazheve të tyre pa leje. Politikanet dhe gazetaret përballen me nivele më të larta të abuzimit dhe ngacmimeve gjinore dhe seksuale online sesa kolegët e tyre burra”, thotë studimi.
Ndër të tjera thuhet se normalizimi i mizogjinisë dhe ideologjive të supremacisë mashkullore te të rinjtë përbën një kërcënim serioz dhe urgjent për gratë dhe vajzat në mediat sociale.
“Vajzat raportojnë gjithashtu se qasja e lehtë në pornografi të dhunshme po ndikon në mënyrën se si djemtë e kuptojnë seksin dhe marrëdhëniet”, thuhet në raport.
Në mesin e rekomandimeve thuhet se duhet të rishikohen programet arsimore për të siguruar që djemtë dhe vajzat të marrin edukim të kuptueshëm dhe të bazuar në fakte mbi edukimin mediatik, pëlqimin digjital, etikën digjitale, abuzimin seksual përmes imazheve, dhunën gjinore online si dhe normat gjinore.
Ndryshe, përballë këtyre sfidave, ekspertët rekomandojnë kombinimin e inovacionit teknologjik me rregullore më efektive, edukim mediatik dhe politika për barazi gjinore, në mënyrë që mediat sociale të shërbejnë si mjet për pjesëmarrje dhe jo për dhunë.




