Në kohën kur rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në formësimin e opinionit publik, mënyra se si trajtohen çështjet si barazia gjinore në hapësirën digjitale mbeten sfidë e rëndësishme. Në një bisedë për Mollëkuqja.mk, komunikologu Bojan Kordallov foli për rolin e algoritmeve, polarizimin në rrjetet sociale, rrezikun e përmbajtjeve sensacionaliste dhe nevojën për komunikim më të përgjegjshëm, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në fakte në diskutimet publike për barazinë gjinore.
Si e vlerësoni ndikimin e platformave sociale në formësimin e diskursit publik për barazinë gjinore dhe çfarë roli luajnë algoritmet dhe mënyra e shpërndarjes së përmbajtjes?
Rrjetet sociale dhe algoritmet sot kanë ndikim të jashtëzakonshëm mbi atë se cilat informacione do të shpërndahen dhe konsumohen, e rrjedhimisht edhe mbi mënyrën se si publiku i percepton çështjet e barazisë gjinore. Praktikisht, pikërisht nga (keq)përdorimi i platformave digjitale varet nëse do të krijohet hapësirë për dukshmëri më të madhe të temës së barazisë gjinore përmes ndarjes së shembujve pozitivë, përvojave personale, apo për dezinformata, përhapje frike dhe mesazhe plot stereotipe e diskriminim që pengojnë lirinë dhe përparimin ekonomik të çdo njeriu. Prandaj është e rëndësishme të theksojmë se platformat nuk janë hapësirë neutrale, por vende ku njerëz, individë apo grupe të organizuara plasojnë përmbajtje dhe krijojnë hapësirën mediatike digjitale.
Për më tepër, sot algoritmet më së shpeshti shpërblejnë përmbajtjen që shkakton reagim të fortë, e jo gjithmonë atë që është më e saktë, më e përgjegjshme apo më e dobishme. Për këtë arsye, mënyra e shpërndarjes së përmbajtjes mbetet thelbësore. Nëse algoritmi vazhdimisht promovon përmbajtje polarizuese, sensacionaliste apo emocionalisht të ngarkuara, diskursi publik bëhet sipërfaqësor dhe konfliktual. Por nëse në mënyrë të organizuar – pra institucionalisht, mediatikisht dhe demokratikisht – promovohen përmbajtje të bazuara në fakte, përvoja, zgjidhje dhe respekt, hapësira digjitale mund dhe do të jetë një aleat i fuqishëm i barazisë dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të çdo individi.
A i thellojnë rrjetet sociale polarizimet rreth çështjeve gjinore apo krijojnë hapësirë për dialog më të informuar?
Siç e përmenda edhe më herët, rrjetet sociale mund të jenë si në anën e ndritshme, ashtu edhe në anën e errët. Se ku do të pozicionohen, varet nga ne si njerëz, nga rregullimi i platformave dhe nga gatishmëria e institucioneve kompetente në këtë fushë për zbatimin e ligjeve dhe mbrojtjen e interesit demokratik të çdo njeriu. Prandaj, padyshim që rrjetet sociale mund ta thellojnë polarizimin, veçanërisht kur çështjet gjinore paraqiten si betejë ideologjike, e jo si çështje të të drejtave, mundësive të barabarta dhe një shoqërie demokratike të drejtë. Në raste të tilla, njerëzit shpesh mbeten në “dhomat e jehonës”, ku dëgjojnë vetëm qëndrime të ngjashme me të tyret.
Por rrjetet sociale gjithashtu krijojnë hapësirë për dialog më të informuar, sidomos kur ka diskutime të moderuara mirë, përmbajtje cilësore mediatike, dëshmi personale, të dhëna dhe shpjegime nga ekspertë. Pra, problemi nuk qëndron vetëm te platformat, por edhe te mënyra se si i përdorim dhe çfarë përmbajtjeje shpërblejmë si publik.
Si ndikon mënyra e “paketimit” të përmbajtjes (tituj sensacionalistë, narrative emocionale) në perceptimin publik të çështjeve të barazisë gjinore?
Mënyra se si paketohet përmbajtja mund të jetë vendimtare, veçanërisht duke pasur parasysh se statistikisht është vërtetuar që edhe sot, por edhe më herët, në përqindjen më të madhe lexojmë vetëm titujt dhe disa fjali kyçe të një informacioni. Kjo do të thotë se titujt sensacionalistë mund ta shtrembërojnë perceptimin për një temë serioze brenda pak sekondash. Kur barazia gjinore paraqitet përmes konfliktit, e sidomos përmes prizmit të frikës apo provokimit, publiku mund të reagojë emocionalisht dhe jo racionalisht. Kjo më pas reflektohet edhe në diskursin publik të partive politike dhe institucioneve dhe, në vend që të flasim për demokraci funksionale dhe institucione funksionale, vazhdojmë të sillemi në rrethin e ndarjeve, përplasjeve dhe polarizimit.
Problemi kryesor lind kur emocioni përdoret për manipulim dhe jo për informim. Prandaj është e rëndësishme që përmbajtja të jetë e qartë, njerëzore, por edhe e përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, të përmbajë fakte dhe të përjashtojë edhe mundësinë më të vogël për stigmatizim shtesë.
Sa i qëndrueshëm është ndikimi i fushatave online dhe aktivizmit në ndryshimin e qëndrimeve dhe sjelljeve në jetën reale – a krijojnë ato vetëm klikime apo edhe ndryshim real?
Fushatat online mund të sjellin ndryshim real, por vetëm nëse nuk mbeten në nivel përfitimi apo profiti të bazuar në klikime, pëlqime dhe hashtagë. Që të ketë ndikim të qëndrueshëm, aktivizmi online duhet të lidhet me arsimin, masat institucionale, aktivitetet lokale, politikat publike dhe mbi të gjitha me ndryshimin e kulturës së komunikimit përmes së cilës në publik diskutohet për këto tema të rëndësishme.
Vetëm fushatat për ngritjen e vetëdijes publike që nxisin mirëkuptim, përfshijnë përfaqësues të të gjitha komuniteteve, ofrojnë zgjidhje konkrete, shpjegojnë përfitimet për çdo njeri nga zbatimi i plotë i barazisë gjinore dhe krijojnë partneritete, mund të ndikojnë pozitivisht në ndryshimin e qëndrueshëm të vetëdijes publike. Pra, pyetja nuk është nëse aktivizmi online është i rëndësishëm apo i nevojshëm, por nëse është i menduar mirë, i lidhur me jetën reale dhe gjithëpërfshirës për të gjithë ata që janë të gatshëm të bashkohen. Pa përjashtuar asnjë grup, përveç individëve që kryejnë vepra penale, për të cilët institucionet publike janë përgjegjëse të veprojnë.
Cilat praktika konkrete duhet të ndjekin mediat, institucionet dhe krijuesit e përmbajtjeve për komunikim më të përgjegjshëm të çështjeve të barazisë gjinore në hapësirën digjitale?
Do të veçoja disa parime bazë: ton pozitiv në mesazhe, mospërjashtim të asnjë individi apo grupi, informacione faktike të thëna në gjuhë të kuptueshme dhe shumë tregime personale që shpjegojnë pse barazia gjinore është e rëndësishme dhe pozitive për çdo individ.
Për më tepër, por jashtëzakonisht e rëndësishme, është të shmanget gjuha që krijon stereotipe apo që e redukton barazinë gjinore në përplasje partiake ose ideologjike.
Gjithashtu, nëse flasim vetëm për komunikimin digjital, do të theksoja sërish se ai duhet të jetë i qartë dhe i qasshëm për çdo njeri: gjuhë e kuptueshme, përmbajtje vizualisht tërheqëse në përputhje me trendet dhe përshtatjet më të fundit algoritmike të rrjeteve sociale më të njohura dhe mesazhe që nxisin dialog dhe empati, e jo ndarje.




