Rrjete sociale. Foto: Valentin Rusu në Canva
Rrjete sociale. Foto: Valentin Rusu në Canva

Mediat sociale i shtyjnë fëmijët të mos e pëlqejnë trupin e tyre

Një studim tregon se mediat sociale ndikojnë negativisht në mënyrën se si të rinjtë e shohin veten. Sipas studiuesve, ato paraqesin një “rrezik serioz” për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve.

Tre nga katër fëmijë, që nga mosha 12-vjeçare, thanë se nuk e pëlqejnë trupin e tyre dhe ndihen në siklet për pamjen fizike. Tek të rinjtë 18 deri në 21 vjeç, kjo shifër rritet në tetë nga dhjetë.

Studimi paralajmëron se ndikimi i mediave sociale mund të dëmtojë shëndetin e të rinjve dhe brezave të ardhshëm.

Pothuajse gjysma e të rinjve të anketuar thanë se janë bërë më të mbyllur në vetvete, kanë filluar të ushtrojnë në mënyrë të tepruar, janë larguar nga shoqëria ose kanë dëmtuar veten. Shkaku kryesor, sipas tyre, janë komentet fyese dhe ngacmimet online për pamjen fizike.

Katër në dhjetë të rinj thanë se përjetojnë probleme me shëndetin mendor. Gati një në pesë ka probleme me imazhin trupor, ndërsa 14% përballen me çrregullime të të ngrënit, si kufizim ekstrem i ushqimit. Megjithatë, vetëm një në dhjetë nga ata që kanë nevojë për ndihmë po marrin trajtim.

Sondazhi tregoi se 97% e fëmijëve mbi 12 vjeç përdorin mediat sociale. Edhe pse gati 70% thanë se ato i bëjnë të ndihen të stresuar ose të depresionuar, të rinjtë vazhdojnë të kalojnë mesatarisht 3.65 orë në ditë në aplikacione.

Shumë prej tyre thanë se vazhdojnë t’i përdorin aplikacionet edhe pse besojnë se përmbajtjet dhe algoritmet po ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor. Këtë e pranuan 54% e fëmijëve 12-14 vjeç, 60% e grupmoshës 15-17 dhe 71% e të rinjve 18-21 vjeç.

Ndërkohë, 95% e të anketuarve thanë se ndihen të pafuqishëm për të hequr dorë nga rrjetet sociale. Ata thanë gjithashtu se kanë katër herë më shumë gjasa t’u drejtohen aplikacioneve sesa familjes apo miqve kur ndihen keq për veten ose trupin e tyre.

Studimi u realizua nga stem4, një organizatë për shëndetin mendor të të rinjve. Në anketë morën pjesë 1,024 fëmijë dhe të rinj nga mosha 12 deri në 21 vjeç. Organizata kërkoi veprim urgjent për këtë problem.

Të tjera