Qendrat e udhëzimit për viktimat e dhunës seksuale janë hapur që tetë vite, por duke menduar që këto qendra do të sigurojnë trajtim më efikas të viktimave të dhunës seksuale, realiteti është dëshpërues. Konventa e Stambollit, të cilën RMV e ka ratifikuar më 22 dhjetor 2017, parasheh themelimin e qendrave të udhëzimit, qendrave të krizave si dhe qendrave për trajtim afatgjatë për viktimat e dhunimit dhe dhunës seksuale. Pavarësisht që nga ratifikimi kanë kaluar nëntë vite, përveç tre qendrave udhëzuese: në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, qendrat tjera nuk ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut.
Elena Dimushevska, drejtore ekzekutive në Rrjetin Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje thotë që qëllimi i qendrave udhëzuese sipas Konventës është mbështetja urgjente e viktimës së dhunimit apo dhunës seksuale e cila duhet të përfshijë ndërmarrjen e më shumë veprimeve.
“Qendrat udhëzuese për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunimit sipas Konventës së Stambollit duhet të sigurojnë mbështetje urgjente në momentin e parë kur do të përjetohet dhunë seksuale apo dhunim. Pra, fillimisht të sigurohen prova pasi që çdo ndërhyrje mjekësore e cila do të ndërmerret mbi viktimën i fshin apsolutisht të gjitha provat pasi që përdoren medikamente, mjete dezinfektimi, të gjitha këto i kontaminojnë provat. Absolutisht që viktima mund të jetë në gjendje të rëndë mjekësore, kjo është një situatë që duhet të vlerësohet në situatën individuale, por nëse ka mundësi që të merren provat para se të bëhet intervenimi mjekësor atëherë atij duhet t’i jepet përparësi. Roli i qendrave udhëzuese është që t’i marrin këto prova, t’i jepet mbështetje mjekësore viktimës e më pas edhe mbështetje psikologjike dhe pasi që të jepet mbështetja urgjente të fillohet të bisedohet për mundësinë për të raportuar.”
Gjithsesi, realizimi i plotë i qëllimit të qendrave udhëzuese vështirësohet nga përplasja ligjore që ekziston në mes legjislacionit vendas dhe Konventës së Stambollit sa i përket raportimit, pasi që si në Konventën e Stambollit por edhe sipas shumë ligjeve të shteteve evropiane parashihet që raportimi i dhunës seksuale apo dhunimit të bëhet sipas vullnetit të viktimës dhe prandaj fokusi vendoset në mbledhjen e provave. Pra, raportimi i krimit duhet të bëhet në atë moment kur viktima të ndjehet e gatshme, që nënkupton se krimi mund edhe asnjë herë të mos raportohet. Nga ana tjetër, ligjet pozitive në RMV parashohin raportim të detyrueshëm të këtyre krimeve pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së viktimës.
Dimushevska thotë që vullneti i viktimës duhet pasur parasysh, prandaj ashtu siç e parasheh edhe Konventa, mbledhja e provave është kyçe për të zbardhur veprën penale dhe mbështetja psikologjike urgjente është e një rëndësie të veçantë për viktimat.
“Viktima mund të mos dojë që të raportojë pasi ajo mund të jetë e frikësuar dhe e traumatizuar, por kjo nuk do të thotë që ajo nesër, pas disa ditësh apo pas një muaji nuk do të dojë që ta raportojë dhunën. Prandaj mbledhja e provave dhe ruajtja e tyre është e rëndësishme në procedurë penale. Por po aq e rëndësishme sa mbledhja e provave është edhe intervenimi urgjent i psikologut dhe psikoterapistit. Dhunimi por edhe format tjera të krimeve seksuale janë krime të rënda dhe lënë pasoja serioze, sidomos dhunimi i cili në të shumtën e rasteve te ne kryhet nga persona të njohur, qoftë nga parteri intim, i afërm apo familjar. Prandaj është e rëndësishme që të merren provat dhe të sigurohet mbështetja psikologjike.”
Realiteti tregon se në qendrat tona udhëzuese për viktimat e dhunës seksuale, mbledhja e provave është ndër veprimet e fundit të cilat kryhet pasi që përparësi i jepet raportimit.
“Qendrat tona udhëzuese e pranojnë viktimën, i sigurojnë trajtim mjekësor nëse është urgjente dhe më pas punëtori social, i cili është edhe koordinator i qendrës bisedon me viktimën. Koordinatori ka për obligim që rastin ta raportojë menjëherë. Policia para se të dërgojë inspektor të delikteve të gjakut, dërgon nëpunës policor të cilët do të vlerësojnë se a bëhet fjalë për dhunim dhe në rast se po, atëherë e thirrin inspektorin e delikteve seksuale. Inspektorët në këtë rast do të bëjnë intervistë për herë të tretë në periudhë të disa orëve. Inspektori më pas e kontakton prokurorin publik i cili është kujdestar si dhe pasi që t’i ketë ndërmarrë veprimet e nevojshme, atëherë inspektori e kontakton Mjekësinë Ligjore për të mbledhur provat.”
Edhe pse procedura e lartësqaruar duket e shpejtë, ajo në realitet merr shumë orë për t’u përfunduar, kurse në ndër kohë viktima mund të ketë nevojë për të konsumuar ujë, për t’u ushqyer, për të kryer nevoja fiziologjike dhe të gjitha këto bëjnë që provat të cilat gjinden në trupin e viktimës të zhduken apo të kontaminohen, gjë që vështirëson tej mase procedurën penale.
Prezenca e qendrave udhëzuese për viktimat e dhunës sekuale është pothujse e pa njohur për qytetarët por edhe për institucionet shtetërore si MPB dhe Prokuroria Publike. Viktimat paraqiten në stacionin policor asnjëherë zyrtarët policorë nuk i dërgojnë viktimat në këto qendra të cilat supozohet të japin trajtim adekuat për viktimat e krimeve seksuale.
“Këto qendra janë hapur në vitin 2018 dhe as nëpunësit policor shpesh nuk kanë informacion për ekzistimin e këtyre qendrave prandaj edhe shpesh kjo procedurë realizohet në stacionet policore. Policia pothuajse asnjëherë nuk e dërgon viktimën në qendrat udhëzuese, vetëm nëse viktima shkon vet në këto qendra. Kur viktima shkon në polici qendrat udhëzuese nuk kyçen fare në procedurë. Në bazë të raportit të publikuar nga ne në vitin 2018, nëse i shohim raportimet për dhunë seksuale dhe dhunim në Tetovë më pak se gjysma e viktimave kanë qenë në qendrat udhëzuese dhe në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për persona të mitur.”
Një tjetër problematikë me të cilën përballen qendrat për udhëzimin e viktimave të dhunës seksuale është sistematizimi dhe organizimi i tyre. Lokacioni i qendrave është pranë institucioneve shëndetësore në qytetet përkatëse, por pos koordinatorëve të cilët nuk janë të punësuar në qendrat dhe të cilët nuk paguhen për punën që e bëjnë në qendër, askush tjetër nuk është është i punësuar aty.
“Te qendrat tona udhëzuese nuk ka koordinatorë të punësuar aty, njëra është psikologe dhe dy të tjerat janë punëtore sociale të cilat janë të punësuara në spitalet përkatëse dhe e luajnë rolin e koordinatoreve të qendrave, pra ato janë në qendrat udhëzuese kur janë në orarin e punës kurse kur viktimat vijnë në këto qendra jashtë orarit të punës, ato vijnë atëherë kur paraqitet viktima. Nuk ka ekip tjetës përveç koordinatoreve. Në rastet kur ka psikolog në orar të punës ai/ajo mund të kontaktohet. Këto koordinatore nuk paguhen për punën që bëjnë dhe në raste kur ato thirren jashtë orarit të punës atyre ky angazhim nuk ju kompenzohet dhe pasi që nuk ka as sistematizim dhe nuk janë njësi organizative, qendrat vetëm ekzistojnë aty.” Dimushevska
Nga viti 2018 e deri në vitin 2024, në qendrat për udhëzim të viktimave të dhunës seksuale janë shërbyer vetëm 29 viktima të dhunës seksuale. Tabela në vijim shfaq realitetin e dy qendrave, në Tetovë dhe Kumanovë sa i përket numrit të viktimave që kanë kërkuar ndihmë në këto qendra.
| Viti | 2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | 2023 | 2024 |
| TETOVË | 0 | 1 | 8 | 0 | 2 | 3 | 3 |
| KUMANOVË | 0 | 3 | 2 | 0 | 0 | 5 | 2 |
“Mollëkuqja” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar nëse ata planiikojnë ndryshime në mënyrën se si qendrat funksionojnë. Nga atje thonë se janë të vetëdijshëm që ekziston mospërputhje mes ligjeve dhe Konventës së Stambollit.
“Qendrat janë krijuar në bazë të standardeve dhe rekomandimeve të Konventës së Stambollit. Shteti, brenda mundësive të tij, i themeloi në vitin 2018 dhe është vendi i parë në rajon që ka qendra të tilla enkas për viktimat e përdhunimit. Megjithatë, nevojiten përmirësime për përmbushjen e plotë të standardeve, pra përmirësimin e rregulloreve ligjore në lidhje me raportimin e krimit, si dhe mbledhjen e provave dhe ekzaminimin e viktimave të përdhunimit.”
Të pyetur nëse ata ndajmë fonde enkas për funksionimin e qendrave, nga Ministria u përgjigjën se vetëm në vitin 2018 dhe 2019 janë ndarë fonde për menaxhimin e qendrave, kurse çdo vit, nga viti 2018 e tutje janë ndarë fonde për shërbimin e kategorive të caktuara.
“Për menaxhimin e Qendrave në vitin 2018 dhe 2019 janë planifikuar gjithsej 300.000,00 denarë, ose 100.000,00 denarë për secilën qendër për koordinatorët e qendrave të caktuar nga vetë institucionet publike shëndetësore. Për shërbime, përkatësisht qasje në Qendër (ekzaminime dhe menaxhim të përdhunimeve) për gratë e pasiguruara ose gratë viktima të cilat kanë qenë pa sigurim shëndetësor për një pjesë të caktuar të jetës së tyre – përmes Programit për mbrojtje aktive shëndetësore të nënave dhe fëmijëve, ISHP-së, Departamentit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Spitalit të Përgjithshëm Klinik dhe Klinikës të Kumanovës, në mënyrë specifike i janë ndarë:
2018 – 300.000,00 denarë
2019 – 300.000,00 denarë
2020 – nuk ka të dhëna
2021 – 30.000,00 denarë
2022 – 30.000,00 denarë
2023- 180.000,00 denarë
2024 – 90.000,00 denarë.”
Dimushevska jep rekomandimet e saj se si do të duhej që qendrat tona udhëzuese të funksionojnë në mënyrë që të përmbushin maksimalisht qëllimin e tyre.
“Praktika tregon se duhet të ketë koordinatore dhe ato duhet të paguhen për këtë. Qendrat duhet të funksionojnë 24/7 tërë kohën të ketë person i cili do të jetë aty. Qendrat mund të lidhin kontrata me psikoterapist individual apo me ndonjë organizatë, me ndonjë këshillimore psikologjike në mënyrë që ato të jenë të disponueshëm kurdo që viktimat të paraqiten në qendrat udhëzuese dhe t’i paguajnë në bazë të shërbimeve të cilat i japin. Ekzistimi i qendrave është shumë i rëndësishëm, ne kemi shumë dhunime: ajo që ne kemi numër të vogël të raportimeve nuk është tregues që ne nuk kemi dhunime apo krime seksuale por kjo dmth që viktimat nuk paraqesin pasi që ekziston frika, por edhe paragjykimi dhe stereotipet.”
Krimet seksaluale për shkak të mënyrës se si kryhen dhe për shkak se cënojnë lirinë seksuale, integritetin fizik dhe psiqik të viktimës, hyjnë në kategorinë e krimeve të rënda dhe mu për këtë shkak, ekzistimi i qendrave për udhëzimin e këtyre viktimave është shumë i rëndësishëm. Këto viktima kanë nevojë për trajtim të veçantë, por edhe qasje të specializuar nga të gjithë personat zyrtarë, prandaj institucionet shtetërore duhet të kontribuojnë që këto qendra të përmbushin qëllimin e tyre dhe të ndihmojnë sa më shumë viktima të dhunës seksuale. Qendra udhëzuese në Shkup është e pozicionuar në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, në Kumanovë është në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm, kurse qendra udhëzuese në Tetovë gjendet në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës.





