Një studim i kryer nga Ipsos dhe King’s College London, që kishte përfshirë 23 mijë persona në 29 vende, zbuloi diçka shqetësuese: djemtë e rinj të Gjeneratës Z kanë më shumë gjasa se gjyshërit e tyre të besojnë se gruaja duhet t’i bindet burrit. Rreth 31% e djemve të moshës 13-28 vjeç e mbështetën këtë pohim, krahasuar me vetëm 13% të burrave mbi 60 vjeç.
Edhe në mesin e grave shifrat janë befasuese. Gratë e reja ishin më të prirura se gjenerata e gjysheve të tyre të bien dakord me idenë e nënshtrimit, 18% krahasuar me 6%.
Profesoresha Heejung Chung, bashkëautore e studimit, kishte deklaruar se burrat e rinj ndihen të anashkaluar dhe të zhgënjyer nga mungesa e mundësive. Kthimi drejt pikëpamjeve tradicionale gjinore është, sipas saj, mënyra e tyre për të kuptuar botën dhe për t’u kapur pas pushtetit që kanë parë te etërit dhe gjyshërit e tyre.
Mediat sociale luajnë rol kyç në këtë proces. Influencuesit shfrytëzojnë frustrimin e të rinjve duke promovuar idenë se burrat duhet të rivendosin dominimin e tyre. Të rinjtë imitojnë atë që shohin, shpesh pa e kuptuar çfarë nënkupton në të vërtetë.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e mediave tematike që trajtojnë me seriozitet temat gjinore. Kur të rinjtë informohen kryesisht nga platformat sociale, narrativat që qarkullojnë atje formësojnë mënyrën si e shohin botën. Mollëkuqja është aktualisht platforma e vetme mediatike në Maqedoninë e Veriut që shkruan ekskluzivisht për tema gjinore dhe nevoja për një zë të tillë nuk ka qenë kurrë më e madhe.
Rezultatet ndryshojnë ndjeshëm sipas vendeve. Në Suedi vetëm 4% e të anketuarve ranë dakord se gruaja duhet t’i bindet gjithmonë burrit, ndërsa në disa vende aziatike kjo shifër shkoi mbi 60%.
Globalisht 44% e njerëzve besojnë se barazia e grave ka “bërë punën e saj”. Por sipas OKB-së, asnjë vend në botë nuk ka arritur ende barazinë e plotë ligjore për gratë dhe vajzat. Gratë globalisht gëzojnë vetëm 64% të të drejtave ligjore të burrave, duke i ekspozuar ndaj diskriminimit dhe dhunës në çdo fazë të jetës.



