Analiza nga AKAS me 1.14 miliardë artikuj online të publikuara në mbarë botën midis viteve 2017 dhe 2025 zbuloi se përqindja e artikujve që përmbajnë terma që lidhen me abuzimin mizogjen ra në vetëm 1.3% e të gjitha lajmeve online globale në vitin 2025, niveli më i ulët gjatë kësaj periudhe.
Kulmi u arrit në 2.2% në vitin 2018, gjatë periudhës më të fuqishme të lëvizjes #MeToo.
Nga ekspertët e cituar në lajme për dhunën me bazë gjinore, 24% ishin burra krahasuar me 17% gra.
Raporti ka analizuar edhe mbulimin e rasteve të lidhura me Jeffrey Epstein nga viti 2017 deri në shkurt 2026.
Nga pothuajse 1 milion artikuj për Epstein, termi “dhunë ndaj grave” u përmend në vetëm 0.1% të tyre, ndërsa 25% përmendnin “viktimat”.
Analiza gjithashtu evidentoi dështimin për të trajtuar natyrën strukturore të mizogjinisë.
Raporti rekomandon përmirësimin e mbulimit duke vendosur gazetare dhe redaktore në pozita vendimmarrëse dhe duke vendosur viktimat dhe të mbijetuarat në qendër të rrëfimit.
Gjithashtu sugjerohet që në raportimin për raste të profilit të lartë, mediat të shpjegojnë shkaqet rrënjësore, duke ekspozuar pabarazinë gjinore, normat patriarkale dhe kulturën mizogjine që mundësojnë abuzimin e pushtetit.
Raporte të ndryshme tregojnë se një në nëntë gra në botë ka përjetuar dhunë nga burrat gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa një në tre gra ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës.
Ndërkaq miliona gra dhe vajza preken çdo vit nga dhuna online, studimet sugjerojnë se deri në 60% e grave në botë kanë përjetuar këtë formë abuzimi.



