Tirana ka marshuar krah për krah për krenari

Tirana ka marshuar më datë 24 maj Krah për krah e zemër për zemër. Dylberat e aleatët mbushën qytetin me ngjyra e dashuri të pakushtëzuar. Nën sloganin e fuqishëm “Krah për Krah”, parada e 13-të ishte thirrje për solidaritet dhe qëndresë e palëkundur kundrejt rritjes globale të retorikave anti-queer.

“Ky slogan është një thirrje për unitet, solidaritet dhe qëndresë të përbashkët,” tha Xheni Karaj, bashkë-organizatore e Javës së Krenarisë dhe drejtore e organizatës Aleanca LGBT, në një bisedë me Dylberizm. “Vetëm duke ecur krah për krah si persona LGBTIQ+, aleatë, familjarë, aktivistë dhe qytetarë që besojnë në barazi, mund të krijojmë një shoqëri ku askush nuk mbetet pas”, shtoi Xheni.

Në një vit të trazuar nga gjuha e urrejtjes në politikë, media dhe rrjete sociale, përgjigjja e komunitetit ishte një – ne nuk do të heshtim. Përkundrazi, me krenari dhe vendosmëri, marshuan për dinjitet, për jetën, për dashurinë.

Marshi solli bashkë një laramani të njerëzve dhe  identiteteve të ndryshme -dylbera, aleatë, aktivistë e vizitorë të rinj – të gjithë duke ecur si një. Kurse pankartat dhe mesazhet folën për guxim, dhimbje, krenari dhe shpresë. Nga thirrjet kundër diskriminimit, te fjalët dashamirëse që kujtonin se dashuria është e drejtë e jo privilegj.

Me ndikimin në rritje të lëvizjeve globale anti-LGBTIQ+, organizatorët zbatuan protokolle të shtuara sigurie këtë vit, duke punuar ngushtë me policinë e shtetit dhe institucionet ndërkombëtare për të mbrojtur pjesëmarrësit.“Rreziku i sulmeve verbale dhe fizike është real”, pohoi Xheni. “Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit dhe institucione ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve”.

“Për komunitetin tonë, ky marsh nuk është kurrë thjesht simbolik,” vuri në dukje Xheni. “Është një përgjigje ndaj politikanëve që armatizojnë homofobinë, ndaj institucioneve që qëndrojnë të heshtura dhe ndaj një shoqërie që ende përjashton. Por mesazhi ynë – për rajonin dhe më gjerë – është i qartë: ne nuk do të heshtim dhe nuk do të fshihemi.”

Pavarësisht kërcënimeve, Tirana Pride e këtij viti qëndron si një testament i këmbënguljes queer. Siç tha Xheni për Dylberizm “Pavarësisht klimës armiqësore, ekziston një forcë që nuk mund të ndalet — forca e njerëzve që duan dhe mbrojnë njëri-tjetrin. Krah për krah”.

Ky marsh e slogan i këtij viti, mishërojnë besimin se vetëm bashkë jemi më të fuqishëm.

Java e Krenarisë në Tiranë filloi nga data 19 maj dhe do të përfundoj me 25 maj. Java përfshiu aktivitete të ndryshme si ekspozita, shfaqje, panele diskutimi dhe performancë drag.

  • Artikulli fillimisht është publikuar në Dylberizm.

Të tjera