Foto: Flora Shabani (profili në Instagram)
Foto: Flora Shabani (profili në Instagram)

Intervistë | Dy dekada në ekran, Flora Shabani: Sfidë e dyfishtë për gratë, më ka kushtuar

Hyri në media shumë e re, vetëm 14 vjeç, pa e ditur se po futej në një terren të ashpër ku jo gjithmonë mbijetojnë më të mirët, por më të fortët. Mes kamerave, ritmit të shpejtë dhe një publiku shpesh të pamëshirshëm, Flora Shabani u rrit profesionalisht duke u përballur me sfida që shkonin përtej gazetarisë, paragjykimeve, presionit dhe një betejë të vazhdueshme në ekran.

Në një bisedë për Mollëkuqja, ajo rrëfeu dy dekada në ekran si një rrugëtim që ka kërkuar shumë më tepër se talent: qëndrueshmëri, sakrificë dhe një forcë të madhe për të mbrojtur identitetin e saj. Shabani foli hapur për “sfidën e dyfishtë” që përjetojnë gratë në mediat vizuale.

Cilat janë sfidat më të mëdha që gratë përballen në mediat vizuale krahasuar me burrat?

Gratë në mediat vizuale nuk përballen vetëm me konkurrencë profesionale, por me një terren shumë më të ashpër dhe shpesh të padrejtë. Ndryshe nga burrat, ne duhet të dëshmojmë vazhdimisht se meritojmë të jemi aty, jo vetëm me punë, por edhe duke thyer paragjykime që na ndjekin në çdo hap.

Po ashtu, presioni publik është shumë më i ashpër ndaj grave. Kritika shpesh kalon kufirin profesional dhe bëhet personale, gjë që kërkon një forcë të madhe emocionale për ta përballuar pa humbur fokusin.

Dhe mbi të gjitha, sfida më e madhe është të mbetesh autentike në një ambient që shpesh të shtyn të përshtatesh me modele të gatshme. Të ruash identitetin tënd, ndërkohë që lufton për vendin tënd, është ndoshta beteja më e vështirë, por edhe më e rëndësishmja.

A mendoni se gratë në ekran shpesh gjykohen më shumë për aspektin estetik sesa për përmbajtjen e tyre profesionale dhe pse ndodh kjo?

Po, dhe kjo është një nga padrejtësitë më të mëdha në këtë profesion. Gratë shpesh reduktohen në pamje, ndërsa puna, përkushtimi dhe përgatitja mbeten në hije.

Por realiteti është ky, në momentin që ti e ndërton veten si zë i fortë dhe i qëndrueshëm, ky perceptim fillon të thyhet. Nuk ndodh menjëherë, sepse shoqëria shpesh përpiqet të ta mohojë suksesin, por në fund, konsistenca fiton. Unë e kam përjetuar këtë personalisht. Mua më janë dashur gati dy dekada për ta ndryshuar këtë perceptim dhe për të ndërtuar një identitet që nuk lidhet vetëm me ekranin, por me përmbajtjen dhe seriozitetin profesional.

Dhe ajo që kam kuptuar është se vetëm puna e sigurt, e ndershme dhe “pa brryla” e ndërton një sukses të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Sepse në fund, ajo që mbetet nuk është imazhi, por besueshmëria që ke ndërtuar me publikun.

Me gjithë këto vite në ekran, cilat kanë qenë disa nga momentet më sfiduese për ju në këtë profesion, dhe sa kanë ndikuar pritshmëritë apo perceptimet që lidhen me rolin e grave në media?

Unë kam hyrë në këtë botë shumë herët, vetëm 14 vjeç, pa e ditur realisht se sa e ashpër është. Media është një botë e egër, dhe aty mbijetojnë vetëm më të fortit!

Momentet më sfiduese nuk kanë qenë vetëm profesionale, por edhe personale. Kam paguar një çmim nga jeta publike, duke i mohuar vetes shumë gjëra që ndoshta do t’i kisha shijuar ndryshe nëse nuk do të isha pjesë e ekranit. Privatësia, qetësia dhe liria për të qenë thjesht vetja shpesh komprometohen në këtë rrugë.

Përveç kësaj, jam përballur me paragjykime nga më të ndryshmet, që nga dyshimet për aftësitë e mia, deri te etiketimet e padrejta që vijnë shpesh vetëm sepse je grua në ekran. Ka pasur momente kur është dashur të luftoj jo vetëm për punën time, por edhe për dinjitetin tim profesional. Ka pasur tentativa për të më vendosur në korniza, për të më kufizuar apo për të më nënvlerësuar. Por unë kam zgjedhur të mos i pranoj këto kufij.

Në këtë profesion, askush nuk ta fal vendin që meriton. Duhet ta fitosh me shumë punë, ta mbrosh çdo ditë dhe mbi të gjitha, të mos e humbasësh veten gjatë rrugës.

Si mund të ndryshohet kultura e redaksive dhe e publikut për të pranuar gratë jo vetëm si prezantuese, por si zëra kritikë dhe analitikë?

Duhet më shumë guxim nga redaksitë dhe nga vetë gratë. Redaksitë duhet të ndalojnë së menduari për gratë si “fytyra të ekranit” dhe t’u japin hapësirë reale në vendimmarrje dhe analiza. Nga ana tjetër, edhe gratë duhet ta marrin këtë hapësirë pa kërkuar leje. Sepse nëse pret që dikush të ta japë, shpesh do të mbetesh duke pritur. Ndryshimi ndodh kur ti vendos të mos pranosh më kufizimet që të vendosen. Duhet potencuar që edhe publiku ka një rol shumë të rëndësishëm. Publiku duhet të mësohet t’i dëgjojë gratë për atë që thonë, jo t’u hidhet menjëherë me paragjykime apo sulme, sidomos në rrjetet sociale. Fatkeqësisht, shpesh reagimi i parë nuk është reflektimi mbi përmbajtjen, por gjykimi personal!

Çfarë këshille do t’u jepnit vajzave të reja që duan të hyjnë në media, por hezitojnë për shkak të paragjykimeve dhe presionit publik?

Nëse vendos të hysh në media, duhet ta bësh një marrëveshje me veten, nuk do të jetë e lehtë, por do t’ia vlejë.

Mos prit që dikush të të hapë rrugën. Mos prit mbështetje të garantuar, favore apo “terren të shtruar” nga familja, partneri apo “miqtë”. Sepse në shumicën e rasteve, ato edhe nëse vijnë nuk zgjasin përgjithmonë.

Unë jam dëshmia që mund t’ia dalësh vetëm me forcat e tua. Kam filluar shumë e re, pa e ditur ku po hyja, dhe çdo hap e kam ndërtuar vetë, me punë, sakrificë dhe shumë qëndrueshmëri.

Në këtë profesion, askush nuk ta fal suksesin. Përkundrazi, shpesh përpiqen të ta mohojnë. Por nëse je e fortë, e përgatitur dhe nuk dorëzohesh, mund të arrish gjithçka që meriton, pa iu detyruar askujt asgjë. Dhe kjo është fitorja më e madhe.

Të tjera