Shkruan: Drita Memedi
Numri i grave që zgjedhin të migrojnë është pothuajse i barabartë me numrin e burrave që bëjnë të njëjtën zgjedhje. Për këtë arsye, fluksi i migrimit të grave pritet të vazhdojë të rritet, pasi këto lëvizje tashmë nuk lidhen vetëm me migrimin për arsye të bashkimit familjar, por lidhen edhe drejtpërdrejt me ambiciet individuale të grave, veçanërisht me aspiratat për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe realizimin personal.
Migrimi si një fenomen gjithëpërfshirës ka prekur çdo vend të botës sidomos vendet në zhvillim nga të cilët ka më shumë lëvizje me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës edhe Republika e Maqedonisë së Veriut si shtetet tjera është prekur nga ky fenomen shoqëror. Sipas të dhënave statistikore nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të botuara në botimin me titull “Migrimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut: Profili i shtetit 2021” në një analizë krahasuese prej vitit 2005 në vitin 2020 numri i personave që kanë migruar jashtë vendit është në rritje edhe atë prej 459 000 në vitin 2005 në 693 900 në vitin 2020.
Bazuar në këto të dhëna mund të konstatojmë se migrimi po zhvillohet me një ritëm të shpejtë dhe gjithëpërfshirës i cili si i tillë në dekadat e fundit ka përfshirë edhe vajzat dhe gratë të cilat zgjedhin të largohen nga vendi për arsye nga më të ndryshmet siç janë bashkimi familjar, pasiguria në vend, papunësia, varfëria, diskriminimi gjinor, paragjykimet shoqërore, mungesa e grave në vendimmarrje, vazhdimi i studimeve edhe të tjera.
Që nga shkëputja e Maqedonisë së Veriut nga Federata Jugosllave, qytetarët e vendit tonë kanë migruar drejtë vendeve të ndryshme por këto lëvizje kanë qenë më të rralla për shkak të vështirësive që kishin për tu integruar në një vend të huaj duke mos njohur gjuhën e një vendi Evropian, kulturën dhe mënyrën e jetesës. Nisur nga ky fakt këtë rrugë zgjidhnin ta merrnin vetëm burrat të cilat tradicionalisht janë llogaritur si më të fortë, më të guximshëm dhe më të pavarur se sa gratë. Burrat zgjidhnin të migrojnë kurse gratë ishin ata që qëndronin në shtëpi për tu kujdesur për fëmijët dhe familjet e tyre.
Vështirësisë së integrimit ju shtua edhe vendosja e vizave për Maqedoninë nga vendet Evropiane i cili status do të vazhdonte kështu deri në Konferencën e Brukselit të mbajtur në 15 Korrik të vitit 2009 ku zëvendës-presidenti dhe ministri i drejtësisë Zhak Baro dhe eurokomesari për zgjerim të BE-së Oli Ren, e kumtuan rekomandimin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, nga 1 janari 2010. “Konsideroj se kjo është ditë shumë e rëndësishëm për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE-në”, deklaroi eurokomesari për zgjerim z. Ren, duke theksuar se i paraqet kënaqësi të madhe që ta propozojë heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Heqja e vizave pasoj me lehtësimin të shumta për qytetarët e Maqedonisë së Veriut me theks të veçantë për gratë të cilat kanë dashur të migrojnë. Në vazhdën e këtyre ndryshimeve u përmirësua cilësia e shërbimeve konsullore të ofruara për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që punojnë dhe banojnë jashtë vendit i cili përmirësim konsiderohej si një nga prioritetet e vazhdueshme në politikën e jashtme maqedonase.
Në kushtet e rritjes së migrimit rrethor, ofrimi i vazhdueshëm i informacionit mbi procedurat e migrimit ligjor është po aq i rëndësishëm, sa edhe mbrojtja përmes marrëveshjeve ndërshtetërore për bashkëpunim në fushën e migrimit të punës (veçanërisht për kategoritë e cenueshme të migrantëve, migrantët me kualifikim të ulët, gratë migrante), si dhe rregullimi i funksionimit të agjencive private të punësimit jashtë vendit. Një sfidë e veçantë është kujdesi i vazhdueshëm për diasporën dhe promovimi i lidhjeve të saj me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe bashkëpunimi me diasporën, veçanërisht përfshirja e diasporës në rigjallërimin dhe forcimin e diplomacisë ekonomike, diplomacisë publike dhe kulturore.
Të gjithë këto ndryshime hapën shtigje të reja të migrimit në vendin tonë me çka edhe dukshëm ndryshoj struktura gjinore e migrimit ku sipas të dhënave të Eurostat-it të cilat tregojnë ndryshime të mëdha, u theksuan veçanërisht në periudhën 2007-2015, kur numri i grave në vendet evropiane pritëse u dyfishua dhe pjesa e tyre në numrin e përgjithshëm të migrantëve u rrit nga 44.7% në 48.1%.69. Pas vitit 2015, pjesa e grave mbeti në rreth 48%, duke nënkuptuar një mbajtje të migrimit familjar. Hulumtimet në vitet 1970 dhe 1980 filluan të përfshinin gratë, por nuk shkaktuan një ndryshim dramatik në të menduarit rreth asaj se kush migroi, si shpjegohej imigracioni ose pasojat e mundshme. Një nga pyetjet qendrore në lidhje me gratë gjatë kësaj periudhe ishte nëse migrimi i “modernizoi” gratë, duke i emancipuar ato nga vlerat dhe sjelljet e tyre tradicionale të supozuara.
Gratë bëhen më të sigurta teksa shohin më shumë mundësi që u hapen para tyre. Në vitet e fundit termi “feminizmi i migrimit” është bërë i zakonshëm, prandaj numri i grave që zgjedhin të migrojnë jashtë vendit është afërsisht i njëjtë me atë të burrave.
Faktorët që çojnë gratë drejtë migrimit
Bazuar në të dhënat Entit Shtetëror të Statistikës gjatë vitit 2021 shkalla e papunësisë te gratë ka arritur shifrën prej 55 036 nga numri i përgjithshëm i popullsisë aktive. Gratë e papunësuara ballafaqohen me mungesë të të hyrave mujore dhe vjetore dhe për pasojë janë edhe më të varfëri se sa burrat dhe të varur nga të hyrat e tyre, prandaj edhe viteve të fundit kanë zgjedhur rrugën e migrimit me qëllim të përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës. këtë tezë e përforcojnë më shumë të dhënat nga Enti Statistikor Shtetëror ku nga numër i përgjithshëm i personave që marrin ndihmë sociale minimale në vitin 2021, 37% e përdoruesve ishin gra kundrejt 63% burra
Krijimi i politikave për mbrojtje sociale në Maqedoninë e Veriut nuk korrespondon me nevojat e qytetarëve të këtij vendi, me theks të veçantë të grave. Gratë ndihen të pasigurta jashtë shtëpisë edhe atë në rrugë, në vendin e punës, nëpër institucione të ndryshme, në spital, në park, etj. Në vazhdimësi ata mund të jenë pre e ndonjë sulmi seksual, provokimi, sharje, fyerje, apo ngacmimi nga gjinia e tjetër, gjë për të cilën askush nuk mban llogari edhe nëse këto raste paraqiten te organet kompetente. Kjo pra është një ndër arsyet pse gratë zgjedhin të migrojnë sepse të jetosh me frikë ose ankth nuk është zgjedhja më e mirë për të jetuar dhe në kërkim të sigurisë më të madhe ata zgjedhin të lëshojnë vendin.
Historikisht, bashkimi familjar ka qenë një nga arsyet kryesore të imigrimit në BE. Është një kanal hyrjeje që u mundëson atyre që tashmë banojnë ligjërisht në një Shtet Anëtar, t’u bashkohen atyre pjesëtarët e familjes. Për më tepër, ai ndihmon në krijimin e stabilitetit kulturor, duke lehtësuar integrimin e shtetasve të vendeve të treta që banojnë në Shtetet Anëtare të BE-së dhe, eventualisht duke promovuar ekonomik dhe kohezionin social.
Realisht edhe ky lloj migrimi i bart në vete pasojat pozitive edhe negative. Aspekti pozitiv vërehet në segmentin e integrimit dhe ruajtjen e bërthamës familjare, por ky bashkim familjar në ndërkohë jep efektet e veta negative nga vendi edhe ku largohen gratë (në këtë rast RMV) me çka sjell deri në uljen e numrit të popullsisë, rënien e natalitetit si dhe plakjen e popullsisë.
Një trend tjetër i ri i migrimit është edhe migrimi në kërkim të perspektivës më të mirë gjegjësisht studimeve jashtë vendit. Dekadën e fundit një numër i madh i të rinjve dhe të rejave migrojnë jashtë vendit me qëllim të ngritjes akademike.
Pasojat e migrimit të grave në vendin tonë
Rritja e numrit të fëmijëve të lindur jashtë vendit korrespondon me ndryshimet në pjesëmarrjen e grave, të cilat shoqërohen me një rritje të numrit të grave në moshë pjellore (15-49 vjeç) nga 78681 (2015) në 85158 (2020) dhe të grave në moshë optimale riprodhuese (20-34 vjeç) nga 39043 në 40967 persona, përkatësisht. Kjo rezultoi në një rritje të vazhdueshme të numrit të fëmijëve të lindur jashtë vendit. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, nga viti 2015 deri në vitin 2019, 24,500 fëmijë kanë lindur jashtë vendit, që përfaqëson 22.5% të lindjeve totale në vend (109,009 fëmijë).81 Në vitin 2019, pjesa e numrit të fëmijëve të lindur jashtë vendit në numrin total të fëmijëve të lindur në vend arriti në rreth 25.4%. Sa i përket vendeve pritëse, rreth 70% bien në tre vende evropiane pritëse (Zvicër – 7,006, Itali – 5,544 dhe Gjermani 4,712 fëmijë). Megjithatë, duhet të kihet parasysh se këto të dhëna nuk përfaqësojnë një mbulim të plotë të fëmijëve të lindur jashtë vendit, d.m.th. numri i tyre është dukshëm më i lartë sot.
Antman thotë se në mënyrë specifike, migrimi femëror është gjetur se zvogëlon investimet në shkollim të fëmijëve të lënë pas. Një gjë e këtillë është evidente edhe në vendin tonë sepse me migrimin e grave (në të shumtën e rasteve nëna) kanë migruar edhe fëmijët nëpërmjet procesit të bashkimit familjar gjë e cila ka sjell deri në uljen e numrit të nxënësve nëpër shkolla. Realiteti i sotshëm është klasa me 3, 4 ose 5 nxënës gjë që ndikon në uljen e kualitetit të arsimit. Gjithashtu vlen të theksohet se shumica e grave i përkasin edhe profesionit të edukatoreve dhe si pasoj e migrimit të tyre sot ballafaqohemi me mungesë të edukatoreve të profesionalizuara në këtë fushë.
Ndryshimi i trendeve të migrimit i cili për Republikën e Maqedonisë së Veriut rezultojë me intensifikimin e lëvizjeve të grave prej Maqedonisë së Veriut drejt shteteve Evropianë, solli një ndryshim të madh në të tërë strukturën e shoqërisë pasi që me këtë lëvizje ndryshuan shumë raporte në institucionin familjar, ndryshoj përkujdesa ndaj personave të moshës së tretë të cilin më përpara e kanë bërë gratë, u ul numri i natalitetit sepse një numër i madh i fëmijëve lindin jashtë vendit tonë, gjë që ndikon edhe me uljen e numrit të nxënësve nëpër shkolla dhe mbylljen e paraleleve. Bazuar në situatën e krijuar shihet qartazi se fluksi i grave të cilat do të zhvendosen prej vendit tonë do vazhdoj të rritet sepse ky fluks tani më nuk lidhet vetëm me migrimin për bashkim familjar por lidhet drejtpërdrejtë me ambiciet e grave të cilat duan të ndryshojnë mënyrën e jetesës.





