INTERVISTË | Fifi Janevska për Mollëkuqja: Ka qenë e frikshme të jesh transgjinore në Maqedoni, artistja rrëfen sfidat e tranzicionit

Fifi Janevska, e njohur për publikun rajonal si këngëtare dhe figurë publike që prej paraqitjes së saj në X Factor Adria, për Mollëkuqja.mk sjell një rrëfim thellësisht personal mbi një jetë që, siç thotë vetë ajo, “filloi si një film i mbushur me dhimbje, tradhti dhe luftë për mbijetesë”. Nga momenti kur ishte e vetëdijshme për identitetin e saj që në moshën pesëvjeçare, te tranzicioni, paragjykimet, debatet publike dhe përballjet me diskriminimin institucional. Historia e Fifit është rrëfimi i një ‘lufte’ të vazhdueshme për autenticitet.

Në këtë intervistë, ajo flet pa filtra për sfidat e të qenit person trans në Ballkan, përvojat e vështira në hapësirën publike, por edhe për fuqinë e dukshmërisë, komunitetit dhe jetës së ndërtuar mbi pranimin dhe barazinë në Suedi. “Autenticiteti nuk është zgjedhje, por nevojë”, thotë ajo.

Kur sot e rikujton rrugëtimin tënd jetësor, si do të rrëfeje historinë tënde, nga momenti kur e kuptove identitetin tënd deri te vendimi për të filluar tranzicionin?

“Rruga ime jetësore është sinqerisht si një film i gjatë, që filloi shumë vështirë, i mbushur me dhimbje, tradhti, trishtim, luftë për mbijetesë, marrëdhënie manipulative me burra narcisoidë dhe një thirrje që zëri im të dëgjohej. Por ky film për mua u kthye në një përrallë që unë vetë arrita ta krijoj. Të gjitha negativitetet i ktheva në virtytet e mia, u bëra një person shumë i fortë, i sigurt dhe i vetëdijshëm, dhe falë fillimeve të vështira dhe rënieve, tani jetoj ëndrrën time dhe jam e realizuar si individ. Çdo përvojë e shoh si një bekim, pa marrë parasysh nëse ka qenë negative apo pozitive. Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjitha përvojat që më bënë të jem ajo që jam sot.”

“Për identitetin tim kam qenë e vetëdijshme që nga mosha pesë vjeçare. Kurrë nuk përpiqesha e as nuk dija si ta fsheh identitetin tim. Që nga vogëlia e dija se sapo të bëhesha e pavarur, do të filloja tranzicionin tim. Dija që rruga që do të ndjek do të ishte e vështirë, por për veten dhe të drejtat e mia isha e gatshme për gjithçka! Për shkak se nuk ishte lehtë ligjërisht dhe financiarisht të filloja dhe përfundoja tranzicionin në Maqedoni, vendosa të zhvendosem në një shtet ku mund të arrija qëllimet e mia pa pengesa të panevojshme. Autenticiteti nuk është zgjedhje, por nevojë. Jeta duke u fshehur vazhdimisht sjell shumë më shumë dhimbje sesa rreziku të jesh vetvetja.”

Si ishte procesi i tranzicionit për ty, si në aspekt praktik ashtu edhe emocional, cilat ishin sfidat më të mëdha dhe momentet që të forcuan më shumë?

“Procesi i tranzicionit për mua ishte kompleks, si në nivel praktik ashtu edhe emocional. Pjesa praktike përfshinte hapa mjekësorë, administrativë dhe socialë që shpesh ishin lodhës për shkak të mungesës së informacionit dhe mbështetjes. Emocionalisht, ishte një rrugëtim i mbushur me frikë, por edhe me lehtësim të madh, çdo hap i vogël drejt përputhjes së identitetit tim të brendshëm me botën e jashtme më jepte forcë. Sfidat më të mëdha ishin të gjitha ndryshimet përmes të cilave duhej të kaloja, njerëzit fetishistë që tentonin të më shfrytëzonin, vështirësia ligjore për të ndryshuar gjininë në dokumente në Maqedoni, dhe për këtë shkak e ndryshova vetëm në Suedi. Momente që më forcuan më shumë ishin kur fillova të njoh veten në pasqyrë dhe kur mora mbështetje nga njerëz që më shihnin dhe më pranonin ashtu siç jam.”

Si është të jesh person trans në Ballkan, ku ndjen më shumë mungesën e pranimit dhe ku sheh shenja ndryshimi?

“Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur jetoja në Ballkan. Në kohën kur isha atje, ishte fikshëm e vështirë, ndërsa tani mendoj se gjërat janë më të lehta dhe shpresoj që të rinjtë nuk kalojnë ato që unë kam kaluar. Të jesh trans në Ballkan do të thotë të balancosh vazhdimisht midis dukshmërisë personale dhe sigurisë. Mungesa e pranimit ndjehet kryesisht në institucione, sistemin shëndetësor dhe ndërveprimet sociale të përditshme, ku mosdija shpesh çon në stigma. Megjithatë, shoh shenja ndryshimi, më shumë të rinj, aktivistë dhe media të pavarura hapin hapësirë për dialog, dhe temat e identitetit gjinor janë më të dukshme se më parë. Ndryshimet janë të ngadalta, por ekzistojnë. Një gjë shumë e rëndësishme për mua është të mësohet të bëhet dallimi mes një personi realisht trans dhe fetishistëve që përvetësojnë statusin trans për interesa personale, shpesh për prostitucion, fatkeqësisht.”

Me çfarë paragjykimesh ose diskriminimesh ke hasur personalisht dhe si kanë ndikuar ato në perceptimin tënd mbi rolin e komunitetit LGBTQI+ në shoqëri?

“Personalisht kam hasur forma të ndryshme paragjykimesh, nga shikime dhe ofendime deri te diskriminimi institucional dhe mungesa e respektimit të identitetit tim. Por, sinqerisht, kurrë nuk më ka shqetësuar mendimi i të tjerëve, kështu që shumë lehtë mund të kapërceja disa situata. Kam qenë aq shumë e diskriminuar sa në “X Factor” më vunë në bend me Marinela Xhogani, sepse nuk ishin të sigurt nëse duhet të më vendosnin te burrat apo gratë. Kishte debate dhe propozime në parlament nga X politikanë që të më ndalonin në TV, ndërsa unë vetëm këndoja dhe ekzistoja në këtë planet. Këto përvoja më mësuan rëndësinë e ekzistencës së një komuniteti LGBT të fortë dhe solid. Nuk më thyen, por më forcuan bindjen se dukshmëria dhe zëri i komunitetit janë kyç për ndryshime shoqërore. Besoj se përmes luftës së përbashkët, edukimit dhe pranisë në hapësirën publike mund të krijohet një shoqëri më e drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, siç është këtu në Suedi, ku njerëzit jetojnë në paqe, barazi dhe askush nuk shqetësohet për orientimin e fqinjit.”

Sa ofrojnë vendet e Ballkanit mundësi për tranzicion dhe cilat janë sfidat kryesore në këtë proces?

“Mundësitë për tranzicion në vendet e Ballkanit janë të kufizuara. Disa shtete kanë kuadër minimal ligjor ose mjekësor, por proceset janë të gjata, të shtrenjta dhe shpesh poshtëruese. Sfidat kryesore janë mungesa e mjekëve të specializuar, procedurat ligjore jo funksionale dhe mungesa e mbështetjes sistematike. Për këtë arsye, shumë persona trans janë të detyruar të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit, gjë që thellon pabarazinë.”

Çfarë mesazhi do t’u jepje personave trans që janë në fillim të rrugëtimit, dhe shoqërisë e institucioneve që shpesh nuk e kuptojnë realitetin e tyre?

“Për personat trans që janë në fillim të rrugëtimit, do t’u thoja se nuk janë vetëm dhe identiteti i tyre është i vlefshëm, pavarësisht sa i vështirë është rrugëtimi. Nuk ka një mënyrë ose kohë “të duhur” për tranzicion çdo hap është personal dhe meriton respekt. Për shoqërinë dhe institucionet, mesazhi është se realitetet trans nuk janë ideologji, por jetë njerëzore, dhe pranimi, edukimi dhe mbrojtja institucionale nuk janë privilegj, por të drejta themelore të njeriut. Jini vetvetja, unik dhe gjithmonë plot besim. Bota do t’ju shohë me ato sy me të cilët ju shihni veten.”

Të tjera