Asnjë mjek dhe asnjë institucion shëndetësor nuk ka raportuar dhunë në familje për ndonjë pacient të vetin në Qendrën për Parandalim dhe Kontroll të Dhunës në Familje në Tetovë. Mjekët, pavarësisht fushës së punës, kanë detyrim ligjor që të raportojnë dhunën në familje atëherë kur te një pacient i tyre hasin shenja të cilat mund të vijnë si pasojë e dhunës së përjetuar. Nga shoqata HERA sugjerojnë që raportimi i dhunës të mundësohet nëpërmjet sistemit “Termini im”.
Nga Qendra për Parandalim dhe Kontroll të Dhunës në Familje në Tetovë thonë se raportimet më të shpeshta janë nga stacionet policore, kurse raportimet nga mjekët apo institucionet shëndetësore janë inekzistente.
“Nuk kemi asnjë raport të regjistruar të rasteve të dhunës në familje të paraqitura nga institucionet shëndetësore ose mjekët direkt tek ne, më shpesh kemi të raportuar incidente nga Ministria e Punëve të Brendshme – SPB -Tetovë.”
Vena Matevska, Koordinatore Programi në HERA shprehet se vazhdon të mos ketë protokolle konkrete për raportim të dhunës nga punonjësit shëndetësor dhe propozon që raportimi i dhunës në familje të bëhet përmes sistemit “Termini Im”, gjë që do të ndihmonte për të pasur një pasqyrë të qartë për punën por edhe për ndërmarrjen e masave në rastet konkrete.
“Ende nuk ka protokolle të qarta sipas të cilave të gjithë punonjësit e shëndetësisë do të veprojnë dhe do të ofrojnë mbështetje të ndjeshme gjatë raportimit, regjistrimit dhe ofrimit të mbështetjes psikosociale. Ende mungon evidenca dhe raportimi i dhunës nga punonjësit e kujdesit shëndetësor, dhe ky është një aspekt mbi të cilin duhet të punohet më tej. Punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të jenë në gjendje të regjistrojnë në Termini Im edhe dyshimet për dhunë në familje dhe/ose dhunë me bazë gjinore.”
Ministria e Shëndetësisë nuk mban evidencë se sa mjek kanë raportuar dhunë në familje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kurse kjo e fundit nuk klasifikon profilet e raportuesve, andaj dhe nuk ka mundësi të identifikohet profili i raportuesit.
“Lidhur me numrin e mjekëve që kanë raportuar dhunë në familje, ju informojmë se në kuadër të përpunimit statistikor të Ministrisë, treguesi statistikor është emërtimi i përgjithshëm “raportues” (i shpërndarë sipas strukturës gjinore), d.m.th. sipas rregulloreve për përpunimin statistikor, nuk ka ndonjë përcaktues për statusin profesional të atyre që raportojnë dhunë në familje ose lloje të tjera krimesh.”
Shumë shpesh mjekët janë të parët të cilët bien në kontakt me viktimat e dhunës në familje. “Personeli mjekësor është shpesh i pari që ka kontakt me viktimën”, konfirmojnë nga Qendra, “kështu që roli i tyre në njohjen dhe raportimin e dhunës është thelbësor për mbrojtjen dhe sigurinë e viktimës.” Këtë e konfirmon edhe Matevska nga shoqata HERA. Ajo njofton se mjekët trajnohen për të njohur shenjat fizike, psikologjike por edhe sjellje të ndryshme të cilat mund të jenë indicie për dhunë në familje.
“Sistemi shëndetësor është një nga dyert e hyrjes për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, nuk duhet të lejojmë që punonjësit dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë të mos trajnohen për identifikim dhe mbështetje në kohë. Është detyrim i vendit dhe institucioneve tona të sigurojnë që trajnimi dhe shërbimet të jenë të arritshme dhe afatgjata. Kjo është arsyeja pse Ministria e Shëndetësisë duhet të përgatisë gjithashtu një Program Parandalues për Dhunën me Bazë Gjinore përmes të cilit financimi i shërbimeve, trajnimi, mbledhja e të dhënave dhe fushatat do të sigurohen vazhdimisht, si dhe bashkëpunimi shumësektorial.”
Mosfunksionimi i zinxhirit sektorial kur vjen puna te raportimi i dhunës në familje bën shumë shpesh që procedurat të pësojnë vonesa dhe viktimat të ngelin nëpër korridoret e spitaleve apo policisë. Sipas Qendrës, mungon informacioni dhe sensibilizimi i personelit shëndetësor me viktimat, dhe nuk respektohen memorandumet e bashkëpunimit dhe programit për bashkëpunim shumësektorial.
“Ka komunikim të paqëndrueshëm dhe informal midis institucioneve dhe përfshirje të pamjaftueshme të punonjësve të shëndetësisë në trajnimin e vazhdueshëm me Qendrat dhe Ministrinë e Brendshme.”
Ministria e Shëndetësisë bashkë me organizata të sektorit civil realizojnë trajnime për personelin mjekësor në drejtim të ndërgjegjësimit për dhunën në familje dhe dhunën në bazë gjinore. Sipas Ministrisë, në vitin 2025 trajnimin fillestar mbi njohjen e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore e ndoqën 30 gjinekologë.
“Ministria e Shëndetësisë organizon trajnime të rregullta për punonjësit e kujdesit shëndetësor, si për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, ashtu edhe për të vepruar dhe trajtuar, të cilat janë në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këtë fushë, si dhe organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat profesionale si HERA, UNFPA dhe MAGO.”
Nga HERA konfirmojnë për “Mollëkuqja” se që nga viti 2019 HERA së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qendrën për Mjekësi Familjare kanë zhvilluar trajnime sistematike për mbi 250 punonjësit shëndetësor.
Vena Matevska, Koordinatore Programi në HERA thekson rëndësisnë e raportimit të dhunës në familje nga mjekët dhe punonjësit shëndetësore, pasi që ajo mund të jetë edhe dera e parë ku viktima troket.
“Të dhënat janë të rëndësishme për përmirësimin e statistikave, por vetë ekzistenca e të dhënave dhe statistikave lejon gjithashtu krijimin e duhur të shërbimeve sipas nevojës dhe vëllimit të kërkuar.”





