Debati për barazinë gjinore në rrjetet sociale po dominohet gjithnjë e më shumë nga narrativa të shtrembëruara, sensacionalizëm dhe mungesë konteksti, ku algoritmet favorizojnë përmbajtje përçarëse mbi diskutimin e mirëfilltë. Në këtë realitet, mediat shpesh dështojnë të luajnë rolin e tyre informues, duke rënë në grackën e klikimeve dhe duke amplifikuar stereotipe apo zëra problematikë. Për këto sfida dhe ndikimin e platformave sociale në perceptimin e çështjeve gjinore në një bisedë për Mollëkuqja, gazetarja dhe hulumtuesja nga Tirana, Valbona Sulçe, foli për atë se si po deformohet debati publik dhe çfarë duhet të ndryshojë në qasjen mediatike.
Si e shihni rolin e mediave në rrjetet sociale në formësimin e debatit për barazinë gjinore, a po e shtyjnë përpara këtë diskutim apo po e deformojnë dhe dëmtojnë?
Rolin e mediave sociale e shoh më shumë si pasqyrues të mentalitetit që ekziston në shoqëri rreth temave të për barazisë gjinore, sesa si ndikues. Aty më shumë polemizohet mbi deklarata të shkëputura nga konteksti lidhur me rolet gjinore në shoqërinë e sotme, të cilat performohen nga burrat dhe nga gratë.
Me aq sa kam ndjekur, diskutimet që janë hapur në rrjetet sociale në Shqipëri lidhur me barazinë gjinore kanë të bëjnë me pavarësinë ekonomike të grave, me rolin e tyre si nëna, me modelet e sjelljes që shfaqin në rrjetet sociale gratë dhe vajzat. Është krijuar një narrativë sikur gratë po marrin shumë të drejta, dhe po lënë pas dore detyrimet e tyre. Në këtë kuptim, rrjetet sociale po e deformojnë debatin për barazinë gjinore duke e vënë në një dritë të shtrembër dhe sipas një këndvështrimi të vjetër që i mat me peshore të drejtat e njerëzve.
Barazia gjinore nuk është mall që vendoset në kandar, kaq të drejta për gratë dhe kaq për burrat, ato janë të drejtat e njeriut. Barazia gjinore matet në shanse të barabarta dhe mundësi të barabarta për të plotësuar potencialin njerëzor tek cdo njeri. Liria nuk është kurrë e tepërt, për askënd.
Si ndikon mënyra e raportimit të mediave në rrjete sociale (tituj, foto, video të shkurtra) në mënyrën se si publiku i percepton çështjet gjinore, a po e kryen media funksionin e saj apo më shumë krijon sensacion dhe klikime?
Media historikisht ka ndikuar shumë në mënyrën sesi publiku i percepton çështjet gjinore duke nisur që nga numri i grave dhe vajzave që ftohen në cilësinë e eksperteve në lajmet që përcillen apo edhe tek këndi që i jepet historive që kanë në qendër gratë. Po ndërsa deri para shpikjes së rrjeteve sociale, sensacioni u takonte tabloideve, tani kjo prirje është përhapur masivisht në të gjitha mediat.
Tani mediat kanë rënë në grackën e algoritmeve, të cilat në mënyrë të qëllimshme e shkëmbejnë popullaritetin me suksesin në mënyrë që sa më shumë njerëz të rrinë të kyçur në rrjet sa më gjatë. Mirëpo ky nuk është qëllimi i medias cilësore. Gabimisht , mediat sot janë njehsuar me platformat ku operojnë duke u kthyer në medium, pra thjesht në mjete ku të tjerët hedhin përmbajtje, duke e reduktuar rolin e tyre në lavjerrës. Në fakt, mediat kanë lindur për ta mbajtur pushtetin të përgjegjshëm dhe për t’u dhënë njerëzve një arenë debati të shëndetshëm nëpërmjet ballafaqimit të opinioneve, gjithë duke u mbështetur në fakte dhe parimet bazë të etikës.
Shpejtësia e konsumit të informacionit nëpërmjet titujve, fotove apo videove të shkurtra u ka hequr mediave një element të rëndësishëm, siç është konteksti i ngjarjeve dhe pyetjeve si dhe pse , të cilat kërkojnë më shumë kohë për t’u përpunuar, por nga ana tjetër krijojnë një publik që mendon, jo thjesht një konsumator pasiv që kalon nga një faqe në tjetrën pa i mbetur asgjë në mend.
Cilat janë disa nga praktikat më problematike që shihni te mediat online kur raportojnë për çështje gjinore në platformat sociale?
Disa nga praktikat më problematike që shoh në mediat online kur raportojnë për çështje gjinore kanë të bëjnë me shkeljen e privatësisë dhe publikimin e fotove apo të dhënave personale të grave dhe vajzave që janë të përfshira në çështje të abuzimit seksual, sidomos të të miturave.
Gjithashtu e shoh si problematike dhënien platformë personave mizogjenë dhe urrejtës ndaj grave në mediat online nën pretekstin e lirisë së mendimit. Këto janë mesazhe përçarëse për shoqërinë dhe në vend që të krijojmë komunitet, krijojmë parcela që i mbajnë njerëzit të vendosur në llogore, si atëherë kur gratë nuk kishin të drejta, as të flisnin, as të dilnin në punë, as të shkolloheshin.
Kjo krijon kakofoni dhe kthim mbrapa në vlera që shoqëria i ka fituar me mund. Një tjetër problematikë është menaxhimi i komenteve në mediat online ose më mirë, mosmenaxhimi i komenteve. Aty zhvillohen sulmet më të paskrupullta ndaj grave dhe vajzave dhe kthehen në një kosto shumë të lartë për zërat publikë. Edhe mos verifikimi i videove ose i fotove që gjenerohen nga inteligjenca artificiale është një tjetër praktikë problematike që e shoh të përhapur në mediat online.
A kemi shembuj ku mediat në rrjete sociale kanë kontribuar realisht në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e barazisë gjinore?
Po, kemi. Mollëkuqja është një ndër to. Në Shqipëri, podkastet e AWA-s mbi feminizmin, mbi ngacmimin seksual, podkasti AJO me gratë gazetare dhe kineaste kanë gjetur mbështetje nga publiku duke marrë mijëra klikime. Në Kosovë, emisioni ZANAT është një platformë shumë e mirë debate për çështje gjinore. Megjithatë, nuk janë të mjaftueshme për të rritur në ato nivele ndërgjegjësimin për mbrojtjen e barazisë gjinore sa kohë kundër-narrativa është shumë më e përhapur dhe më intensive.
Rrjeti për Raportimin e Diversitetit RDN po bën një punë shumë të mirë me monitorimet që i kryen çdo muaj në krejt Ballkanin dhe do ju ftoja që ti ndiqnit në rrjetet sociale për të parë prirjet, ato negative, por edhe shembuj pozitivë nga të cilët mundet të mësojmë sesi ta kryejmë më mirë rolin tonë si media.
Kur në media apo rrjete sociale përdoret gjuhë që stereotipizon gratë ose viktimat e dhunës, sa efektiv janë mekanizmat ekzistues për sanksionim dhe reagim institucional, dhe ku e shihni më shumë problemin: te mungesa e rregullave apo te moszbatimi i tyre në praktikë në hapësirën digjitale?
Këtu do flas për Shqipërinë, sepse prej vitit 2023 ne kemi ndryshuar ligjin e mediave audiovizive duke futur nenin që dënon gjuhën seksiste në mediat audiovizive. Mund të them me krenari si një ndër nismëtaret e ndryshimit të ligjit, që pas 3 vitesh kemi një ndërgjegjësim më të madh nga operatorët audiovizivë, që kanë prani edhe në rrjetet sociale, për frenimin e gjuhës seksiste.
AMA- Autoriteti i Medias Audiovizive që është institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit, ka regjistruar dhjetëra kërkesa për heqje të përmbajtjeve seksiste nga ekrani apo rrjetet sociale dhe ka ndëshkuar me tërheqje vëmendjeje ose me gjobë mediat përkatëse. Sigurisht, kjo vlen për televizionet, ndërsa për mediat sociale, çështja është e parregulluar. Megjithatë unë mendoj se duke dhënë shembullin me televizionet dhe duke investuar më shumë në edukimin medatik të audiencave, të cilët duhet të raportojnë në çdo rast përmbajtje seksiste, situata do të përmirësohet më tej.
Çfarë duhet të ndryshojnë mediat në mënyrën e përdorimit të platformave sociale për të pasur ndikim më pozitiv në çështjet e barazisë gjinore?
Mediat duhet t’i përdorin rrjetet sociale për atë që ato janë- si mediume për të arritur sa më shumë njerëz me përmbajtje të verifikuara dhe opinione jo helmuese. T’i qëndrojnë larg tundimit për t’u bërë të klikueshëm me çdo kusht dhe të mos u japin platformë kokave të nxehta dhe narrativave përçarëse që i duan njerëzit të nënshtruar ndaj një ideje apo një gjinie. Jemi shumë pak për t’u urryer mes veti dhe për t’u ndarë akoma më tej.




