Në një kohë kur media ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si shoqëria i kupton rolet gjinore, ekspertët theksojnë se gazetaria duhet të kalojë përmes një procesi të vazhdueshëm edukimi për raportim të ndjeshëm gjinor, në mënyrë që të shmangen stereotipet, paragjykimet dhe keqinterpretimet që shpesh ndikojnë në opinionin publik.
Keqraportimi në çështjet gjinore mund të shkaktojë dëm të shumëfishtë në shoqëri, duke filluar nga përforcimi i stereotipeve dhe paragjykimeve deri te normalizimi i dhunës dhe diskriminimit.
Kur media përdor gjuhë të pasaktë ose sensacionale, ajo mund të fajësojë viktimën në rastet e dhunës, të minimizojë seriozitetin e problemit ose të shtrembërojë perceptimin publik për rolet gjinore.
Kjo jo vetëm që dëmton individët e përfshirë në lajme, por ndikon edhe në mënyrën se si publiku i percepton gratë dhe burrat në përgjithësi, duke e bërë më të vështirë ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë.
Sipas gazetares dhe redaktores në Alsat M, Fatlume Dervishi, një nga problemet kryesore në raportimin mediatik është prania e gabimeve të pavetëdijshme, të cilat burojnë nga stereotipet e rrënjosura në shoqëri.
“Gazetarët duhet të edukohen për raportim të ndjeshëm gjinor sepse media ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si shoqëria i sheh gratë, burrat dhe rolet gjinore. Një raportim i kujdesshëm ndihmon në shmangien e paragjykimeve, stereotipeve dhe normalizimit të dhunës apo diskriminimit”, thekson Dervishi.
Ajo shton se ndër gabimet më të shpeshta në media janë përdorimi i gjuhës seksiste, fajësimi i viktimës në rastet e dhunës, si dhe fokusimi i panevojshëm në pamjen fizike në vend të arritjeve profesionale.
Sipas saj, këto praktika jo vetëm që dëmtojnë etikën gazetareske, por edhe ndikojnë në mënyrën si publiku i percepton çështjet gjinore.
E njëjta nevojë për edukim profesional theksohet edhe nga Ardit Ramadani, kryeredaktori i Mollëkuqja.mk, portali i parë tematik në tre gjuhë në Maqedoninë e Veriut.
“Kur e themeluam portalin Mollëkuqja, ndër problemet kryesore e kishim mungesën e gazetarëve të cilët ishin të trajnuar që të raportojnë në mënyrë etike, të ndjeshme dhe profesionale për temat gjinore dhe LGBTQ+. Përditë shohim se si mediat me ose pa vetëdije përdorin gjuhë diskriminuese dhe në kundërshtim me kodin etik të gazetarëve në momentin që raportojnë për këto tema” tha Ramadani.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për Mollëkuqja, Nora Kaliqi, kryetarja e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoninë e Veriut ka theksuar se nëse nuk ka gazetari tematike, mediat rrezikojnë të mbeten në nivel incidentesh, duke raportuar pasojat, dhe jo për shkaqet.
“Pikërisht kjo gazetari ka vlerë të veçantë, sepse nuk ndalet vetëm te ngjarja, por përpiqet të shpjegojë procesin, kontekstin dhe pasojat. Gazetaria tematike trajton në vazhdimësi tema që shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike si pabarazinë gjinore, diskriminimin, të drejtat e grave, dhunën me bazë gjinore, varfërinë, shëndetin mendor apo pozitën e grupeve të margjinalizuara. Prandaj, roli i saj është thelbësor jo vetëm për informimin e publikut, por edhe për zhvillimin e mendimit kritik, për zgjerimin e debatit publik dhe për krijimin e kulturës më të përgjegjshme shoqërore”, thotë Kaliqi.
Në këtë drejtim, Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” së fundmi organizoi një trajnim dy-ditor për gazetarë dhe të rinj të interesuar në media dhe barazi gjinore. Trajnimi përfshiu diskutime mbi raportimin etik për tema si dhuna në familje, rolet gjinore dhe shmangien e fajësimit të viktimës, duke ofruar gjithashtu qasje praktike për gazetari më të përgjegjshme.
Pas trajnimit, dhjetë pjesëmarrës do të mentorohen për të shkruar artikuj profesionalë të cilat do të publikohen periudhën në vijim në mollëkuqja.mk



