Alarm: Maqedonia qëndron më dobët në Ballkanin Perëndimor për të drejtat LGBTQ+

Maqedonia e Veriut edhe në raportin më të fundit të ILGA Europe është ranguar kah fundi i listës së vendeve për sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTI. ILGA Europe është një organizatë ombrellë ndërkombëtare dhe e pavarur që mbron të drejtat e njeriut dhe barazinë e komunitetit LGBTI në Evropë dhe Azinë Qendrore.

Sipas këtij raporti, në vitin 2025, vendi është vlerësuar me 29,26% dhe është renditur në vendin 31 nga 49 vendet sa i përket pozitës ligjore dhe politike të personave LGBTI, në fushat siç është barazia, gjuha e urrejtjes, njohja juridike e gjinisë dhe hapësirës për shoqërinë civile. 

Maqedonia ka shënuar një rënie të lehtë në krahasim me vitin e kaluar dhe ka rangimin më të dobët në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Më mirë e renditur në rajon është Kosova, e cila zë vendin e 28 me 34,82%, e ndjekur nga Serbia në vendin e 27 me 35,26% dhe Shqipëria në vendin e 26 me 35,45%. Ndërkaq më mirë nga vendet e rajonit qëndron Mali i Zi, i cili renditet në vendin e 19 me 49,28%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 39,63% zë vendin e 24-të.

Në pesë vendet e para janë renditur Malta – 88.83%, Belgjika – 85.31%, Islanda – 84.06%, Danimarka – 80.10% dhe Spanja – 77.97%. Mesatarja e Bashkimit Evropian është 51.13, ndërsa mesatarja e Evropës është 41.85%.

Organizata ILGA ka publikuar edhe një raport as i përket situatës ligjore dhe politike të këtij komuniteti në vitin 2025, ku në pjesën për Maqedoninë e Veriut thuhet se, tërheqja e financimit nga SHBA në përgjithësi, dhe në veçanti e financimit nga USAID-i, ka pasur një ndikim të rëndë në punën e organizatave dhe aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTI, si dhe në ofrimin e shërbimeve dhe programeve të avokimit për komunitetin LGBTI. Organizata si Coalition MARGINS, LGBTI Support Center, TRANSFORMA dhe Skopje Queer Center u detyruan të reduktojnë stafin e tyre dhe të mbyllin shumicën e programeve dhe shërbimeve të dedikuara për komunitetin dhe për personat më të cenueshëm LGBTI, të cilët kanë nevojë urgjente për mbështetje.

“Kjo përfshin mbylljen e shërbimeve të mbështetjes psiko-sociale, mbështetjes juridike, programeve të trajnimit për institucionet shtetërore dhe ofruesit e shërbimeve, aktiviteteve kulturore, punës me komunitetin dhe programeve të avokimit. LGBTI Support Center u detyrua të mbyllë Shtëpinë e Sigurt – një strehë për personat LGBTI të pastrehë që kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës. OJQ Ekvalis u detyrua të mbyllej menjëherë dhe të ndërpriste aktivitetin e saj. Organizatat e mbetura presin se do të detyrohen të mbyllen në të ardhmen, pasi financimi nga SHBA përbënte një pjesë të konsiderueshme të buxheteve të tyre”, thuhet në raport.

ILGA Europe e sheh si shqetësuese këtë situatë, duke pasur parasysh rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e organizatave kundër të drejtave, përhapjen në rritje të dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe ngushtimin e hapësirës për OJQ-të që punojnë për të drejtat e njeriut dhe barazinë.

“Pavarësisht aspiratave të saj për integrim në BE, Maqedonia e Veriut po përballet me një ngushtim alarmant të hapësirës qytetare, të nxitur nga rritja e mobilizimeve kundër barazisë gjinore dhe regresi demokratik. Organizatat e shoqërisë civile , veçanërisht ato që avokojnë për barazi gjinore dhe të drejtat e personave LGBTI, përballen me barriera në rritje ligjore, financiare dhe institucionale, duke filluar nga pengesat administrative dhe ndërprerja e financimeve, deri te delegjitimimi publik. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut shpesh etiketohen si “agjentë të huaj” dhe bëhen objekt i fushatave të dezinformimit që e paraqesin barazinë gjinore dhe seksuale si një ideologji të dëmshme”, thuhet më tej në raport. 

Duke pasur parasysh këtë situatë, ILGA i rekomandon qeverisë së RMV-së që të të trajtojë dhe të procedojë rastet e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe të sigurojë mbrojtje për aktivistët që përballen me fushata shpifëse; të zhvillojë dhe zbatojë fushata gjithëpërfshirëse ndërgjegjësimi dhe programe edukative në përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, për të promovuar në mënyrë aktive një diskurs publik gjithëpërfshirës dhe respektues, si dhe mirëkuptim dhe respekt për diversitetin dhe barazinë gjinore; të sigurojë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të zërave të ndryshëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke dënuar çdo kërcënim, dhunë apo diskriminim ndaj individëve apo grupeve që avokojnë për barazi gjinore dhe të drejtat e personave LGBTI.

Po ashtu, rekomandohet që Qeveria të sigurojë zbatimin efektiv të mekanizmave për luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, të forcojë kapacitetet e prokurorive publike dhe të rregullojë hapësirën online për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin; të mbrojë garancitë ekzistuese për barazi gjinore dhe kundër diskriminimit, të adresojë sigurinë e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe të sigurojë që asnjë e drejtë e fituar të mos dobësohet përmes procedurave legjislative jotransparente apo presionit politik nga lëvizjet kundër barazisë gjinore. 

Të tjera