Dhuna seksuale nuk është një akt i vetëm por një spektër shkeljesh që shtrihet përgjatë gjithë jetës së grave. Ajo përfshin brutalitetin e përdhunimit, torturën e dhunimit seksual ku përdoren mjete apo objekte, detyrimin për të parë ose për të marrë pjesë në pornografi, dhe tmerrin e prostitucionit të detyruar. Për shumë gra, dhuna merr formën e detyrimit poshtërues që ato të kryejnë marrëdhënie seksuale me miqtë e dhunuesit, duke trajtuar trupat e tyre si plaçka që mund të qarkullojnë nga një dorë dhunuesi në tjetrën.
Këto akte, sado të ndryshme në metodë, ndajnë të njëjtin thelb: janë të gjitha strategji dominimi, të hartuara për të thyer autonominë e grave dhe për t’u kujtuar atyre se trupat e tyre nuk ju përkasin plotësisht.
Pasojat e dhunës seksuale shtrihen përtej momentit të sulmit. Gratë që i heshtin përvojat seksuale traumatike mbartin plagë të përjetshme – ankth, depresion, shtatzëni të padëshiruara, infeksione seksualisht të transmetueshme dhe frikë të vazhdueshme nga intimiteti. Dhuna seksuale nuk shënjestron vetëm trupin, ajo prek psikën, shpirtin dhe rendin shoqëror që ua minimizon dhimbjen grave, ua vë në dyshim fjalën dhe e normalizon vuajtjen e tyre.
Por nëse e kaluara na ka treguar brutalitetin e dhunës fizike seksuale, e tashmja ka zbuluar mutacionet e saj digjitale. Shekulli XXI solli një formë të re dhune: shpërndarjen e fotografive intime të grave pa pëlqimin e tyre. Burrat i shpërndajnë fotografitë nudo të grave që ato ua dërgojnë në besim për të përforcuar intimitetin në epokën e madhe të digjitalizimit, duke i shfrytëzuar këto fotografi si trofe nëpër grupet e platformave sociale ku ata bisedojnë me miqtë e tyre, të cilat shndërrohen në arena poshtërimi kolektiv për gratë. Ky “atraksion” nuk është “humor mes shokësh”, është dhunë seksuale e rrezikshme dhe brutale ku mohohet e drejta e zgjedhjes, dhunohet privatësia dhe intimiteti i gruas kthehet në spektakël.
Gratë që shohin intimitetin e tyre të ekspozuar pa dëshirën e tyre, përjetojnë të njëjtën traumë si gratë që detyrohen në prostitucion apo gratë që detyrohen të përfshihen në marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre: ato objektivizohen, zhvishen nga çdo kontroll mbi trupin/veten dhe ekspozohen ndaj pamëshirës së një kulture që e relativizon dhembjen e tyre. Bota digjitale, për fat të keq, e ka bërë këtë dhunë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të qëndrueshme. Ajo që dikur ishte e kufizuar brenda një dhome, tani mund të rishikohet dhe të rikthehet pafundësisht me një klikim të vetëm, të arkivohet në cloud dhe të ringjallet në momentet më të papritura të jetës së një gruaje.
Në thelb të të gjitha këtyre formave të dhunës, qoftë fizike apo digjitale, është e njëjta logjikë brutale: gruas nuk i përket trupi i vet. Ato trajtohen si pronë e burrave, mjet që përmbush kënaqësitë dhe kapriçot e tyre, trupi i gruas instrumentalizohet për t’u përdorur si simbol pushteti. Dhuna seksuale nuk përfaqëson dëshirë apo sensualitet, është kontroll, është heshtje e imponuar, është rikujtim se shoqëria patriarkale i vendos burrat dhe kapriçot e tyre mbi trupat dhe jetët e grave.
Për ta luftuar dhunën seksuale në të gjitha format e saj, shoqëria së pari duhet të refuzojë ta fragmentojë atë dhe ta pranojë spektrin e plotë dhe shumëdimensional të saj. Viktima e përdhunimit, gruaja e detyruar të marrë pjesë në pornografi, prostituta e detyruar të bëjë skllavëri dhe vajza e re, nudoja e së cilës bën xhiro nëpër grupet digjitale të bisedave mes shokësh – të gjitha janë të mbijetuara të të njëjtit zinxhir dhune, të së njëjtës shtypje – asaj që të vjedh të drejtën më themelore: të drejtën që t’i përkasësh vetes. Dhe këto akte duhen emërtuar me emrat e tyre të vërtetë: dhunë, jo “gabim”; krim, jo “shaka”; padrejtësi sistemike, jo “fatkeqësi rastësore”.
Dhuna seksuale ushqehet me heshtje, shumohet në hije. Lulëzon kur gratë fajësohen sepse besuan, kur burrat i justifikojnë veprimet e tyre si të padëmshme dhe ky justifikim aprovohet nga e gjithë shoqëria, kur ligjet nuk e arrijnë dot shpejtësinë e teknologjisë dhe kur komunitetetet dështojnë të konfrontojnë kulturën e të drejtës. Për ta ndalur atë nevojitet më shumë se thjesht ndëshkimi i autorëve, duhen çrrënjosur sistemet që lejojnë margjinalizimin e vuajtjeve të grave dhe sistemet që e promovojnë trupin e tyre si të disponueshëm për t’u përdorur si mjet pushteti dhe argëtimi.
Sepse, qoftë në një rrugicë të errët, pas dyerve të mbyllura, apo nën dritën verbuese të një ekrani telefoni, e vërteta mbetet e pandryshueshme: intimiteti nuk është i hapur për shfrytëzim publik, liria e gruas nuk është e diskutueshme, dhe gruaja nuk është as send, as pronë, as mall që shfrytëzohet dhe shkëmbehet.





