Ndikimi negativ i rrjeteve sociale po thellohet gjithnjë e më shumë tek adoleshentët, ndërsa platforma si Instagram dhe TikTok po shndërrohen në burime kryesore informimi, argëtimi dhe rrjetëzimi për të rinjtë. Nëse në fillimet e tyre rrjetet sociale shërbenin kryesisht për komunikim me moshatarët dhe ndarje të ideve, sot ato ekspozojnë adoleshentët ndaj një game të gjerë përmbajtjesh që shpesh kanë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në shëndetin e tyre mendor.
Veçanërisht TikTok dhe Instagram promovojnë përmbajtje ku pamja fizike vendoset në qendër. Përdorimi i filtrave, editimeve dhe standardeve joreale të bukurisë krijon një realitet të shtrembëruar, ku trupat “perfektë” paraqiten si normë. Kjo nxit krahasime të vazhdueshme dhe përforcon bindjen se vlera personale lidhet drejtpërdrejt me pamjen e jashtme.
Adoleshentët shpesh ndihen të detyruar të imitojnë sjelljet, veshjen dhe stilin e influencuesve apo bashkëmoshatarëve, duke humbur ndjesinë e identitetit të tyre autentik. Ky presion social shoqërohet me pasiguri, ulje të vetëbesimit dhe, në raste të caktuara, me bullizëm dhe komente stigmatizuese online që e përkeqësojnë edhe më tej gjendjen emocionale të tyre.
Psikologja Lindita Mustafa thotë për Mollëkuqja se rrjetet sociale janë shndërruar në një mjet të vazhdueshëm krahasimi, sidomos tek adoleshentët që ndodhen në fazën e formimit të personalitetit. Sipas saj, ky ndikim është i pranishëm në të gjitha fazat e jetës, por tek adoleshentët ka pasoja të drejtpërdrejta si në shëndetin mendor, ashtu edhe në atë fizik.
“Roli i influencerëve do të ishte shumë i madh nëse na mësonin diçka te vlefshme, po duke garuar pas “like”-ve thejsht u servojnë rinisë gjëra që nuk janë reale, që nuk kanë të bëjnë me realitetin, si p.sh fytyrat pa akne, buzët e fryera, trupin e bukur e kështu me radhë. Kjo është ajo që krijon konflikt në jetën e adoleshentit – pse unë s’jam si kjo ose si ky, çka duhet të bëj që të bëhem si ajo…pastaj nisin problemet e shëndetit mendor, ankthi, depresioni, ose çrregullimet e të ngrenit anoreksia, bulimija, sepse në fakt këtu paraqiten standardet e bukurisë së detyruar (trupi “ideal” të cilën e synojnë të rinjtë)”, thotë Mustafa.
Këto gjetje mbështeten edhe nga studime shkencore. Një hulumtim i publikuar në revistën European Psychiatry nga Universiteti i Cambridge-it ka treguar një lidhje të fortë mes përdorimit të shpeshtë të rrjeteve sociale dhe imazhit negativ trupor. Si vajzat ashtu edhe djemtë adoleshentë raportuan pakënaqësi më të lartë me trupin e tyre, ndërsa ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve të fokusuara në pamje u shoqërua me rritje të rrezikut për çrregullime të të ngrënit, ulje të vetëvlerësimit dhe nivele më të larta ankthi e depresioni. Krahasimi social dhe nevoja për miratim nga bashkëmoshatarët luajnë rol kyç në formësimin e vetëperceptimit.
Sipas psikologes Mustafa, stigmatizimi shpesh normalizohet në mesin e adoleshentëve.
“Të rinjtë shpesh i thonë njëri-tjetrit emra fyes dhe thonë se nuk lëndohen, duke e parë si pjesë të marrëdhënieve sociale. Madje, komentet kritike ose talljet që lidhen me pamjen, si: “pse nuk kujdesesh pak për veten?”, “pse nuk përdor makijazh?”, “pse nuk mban dietë?” ose “pse nuk i rregullon qerpikët?”, shpesh perceptohen si këshilla për të mirën e tyre. Kjo gjuhë internalizohet dhe të rinjtë e kuptojnë se vlera e njeriut është vetëm te estetika, dhe kështu fillojnë ta shohin veten permës syve kritikues (pyesin ChatGPT per kombinimin e ngjyrave te flokeve ose për makijazhin) kisha pacientë qe kurrë nuk e hiqte kapelën se flokët i paska të këqija”, tha ajo.
Mustafa shton se, në disa raste, ndikimi i opinionit të të tjerëve është kaq i fuqishëm sa adoleshentët nuk dalin kurrë pa makijazh ose nuk fotografohen pa filtra. Kjo krijon ankth social dhe për ta trajtuar nevojitet shumë punë dhe mbështetje profesionale.
“Po, në të shumtën e rasteve kam pacientë qe kanë çrregullime në të ngrënit dhe kjo përherë ndodhë kur në prapavijë janë rrjetet socijale duke munduar ti SERVOJNË trendet IDEALE të bukurisë. Të rinjtë mundohen ta arrijnë peshën ideale, bukurinë ideale po edhe për gjatësinë ideale më pyesin ndonjeherë. Ka edhe të tipit të teprimit të ushqimit në bazë emocionale pastaj shkon e nxjerrë atë, vet provokon vjellje, ose nëse janë nën presion të familjes hanë ushqim para tyre pastaj vjellin me qëllim që të mos shtojnë peshë. Kjo ka ndikim negativ në shëndetin mental – bulimija dhe anoreksia hyn te çrregullimet e rënda dhe shpesh herë kerkojnë trajtim të gjatë ndoshta edhe hospitalizim”, tha ajo.
Në këtë kontekst, ajo thekson rëndësinë e ngritjes së vetëdijes tek të rinjtë dhe prindërit për kufizimin e përdorimit të teknologjisë. Monitorimi prindëror, veçanërisht në moshën e paraadoleshencës, komunikimi i hapur dhe kalimi i kohës cilësore me fëmijët konsiderohen thelbësore për parandalimin e ndikimeve negative.
Njëkohësisht, Mustafa thekson nevojën për qasje më të lehtë dhe pa barriera burokratike në shërbimet e shëndetit mendor, si dhe rëndësinë e edukimit mediatik, që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë të dallojnë përmbajtjet reale nga ato të manipuluara, përfshirë filtrat, inteligjencën artificiale dhe lajmet e rreme.




