Safety-(6).png

Në RMV zyrtarisht ka 294 pedofilë, shumica janë në liri „me raste” mund të informohemi se kush janë ato

SEEN

May 21st, 2022

Gjithsej 294 pedofilë të regjistruar kemi aktualisht në Maqedoninë e Veriut, pjesa më e madhe prej tyre janë në liri por nën vëzhgim ndërkaq 124 vuajnë dënimin në burg. Ueb-faqja "Regjistri i Pedofilëve" më së shpeshti është jo-funksionale se sa në shërbim të të interesuarve, edhe atë vetëm në gjuhën maqedonase. „Arsyetohen” nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Pse, çka dhe si – për Mollëkuqja flasin ekspert të juridikut, sociolog e psikolog.

Nga numri total i pedofilëve të regjistruar në regjistrin e posaçëm të personave të dënuar për vepra penale për abuzim seksual të të miturve dhe pedofili, 281 janë burra dhe 13 janë gra.

Nga numri i lartëpërmendur, vetëm 124 prej tyre janë në vuajtje të dënimit me burg ndërkaq të tjerët janë liruar. Megjithatë, nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale sigurojnë për „Mollëkuqja" se edhe pse këta persona, gjegjësisht 170, janë liruar, emri i tyre do vazhdojë të figurojë në regjistër në pjesën e statusit të tyre me qëllim të parandalimit të kryerjes së veprave të ngjashme në të ardhmen.

Regjistri përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për 11 krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ndaj fëmijëve, aty janë të shënuara emri, mbiemri, pseudonimi, datëlindja, adresa e vendbanimit-qëndrimit, krimi për të cilin janë dënuar, masa e dënimit, fillimi, pushimi apo ndryshimi i vuajtjes së dënimit me burg.

REGJISTRI I PEDOFILËVE ME DEFEKTE DHE VETËM NË GJUHËN MAQEDONASE

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale nuk e panë të arsyeshme të përgjigjjen në pyetjen e „Mollëkuqja" se pse ky regjistër nuk është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç obligon Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Nga MPS megjithatë, "arsyetohen" për defektet në ueb-faqjen.

Që nga themelimi  në vitin 2012 e deri më sot, Regjistri i Posaçëm i personave të dënuar për veprat penale për abuzimin seksual të të miturve dhe pedofili është vazhdimisht në funksion, me ndërprerje të shkurtra të natyrës teknike ose për përmirësimin dhe përditësimin e tij në mënyrë efektive

thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për „Mollëkuqja"

Tash një javë gazetari i portalit Mollëkuqja tenton të hap Regjistrin e Pedofilëve i cili është nën kompetencë të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, por tentativat rezultuan të pasuksesshme. Ueb-faqja është totalisht jo-funksionale.

Edhe pse nga ministria kompetente arsyetohen që ndërprerjet ndodhin për shkak të përditësimit të informacioneve, rikujtojmë që „Mollëkuqja" e ngriti këtë çështje nga viti i kaluar dhe që atëherë kjo faqje është jashtë funksionit.

NË VETËM 3 MUAJT E PARA TË 2022, KANË NDODHUR 3 PËRDHUNIME, 9 KRIME KUNDËR FËMIJËVE

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), numri i përgjithshëm i krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual për vitin 2019, 2020 dhe 2021 është 230. Ndërsa për tre-mujorin e parë të këtij viti është 12. Informatat më të detajuara mund të shihen në ilustrimin më poshtë:

PEDOFILIA DHE LIGJI, SQARON RATKOCERI

Kur jemi te drejtësia, profesoresha universitare e së drejtës penale, Vedije Ratkoceri thotë se në kuptimin juridik, se çfarë konsiderohet abuzim seksual i fëmijëve varet nga inkriminimi përkatës i çdo legjislacioni veç e veç dhe mosha përkatëse që e ka caktuar legjislacioni si kufi ndarës i asaj se kush konsiderohet fëmijë.

Copy-of-Untitled-(1)-1652904909.png

"Në Kodin Penal të RMV-së kemi veprën penale në nenin 188 – Sulm seksual i fëmijëve nën moshën 14 vjeçare. Sipas këtij neni “ai i cili do të kryejë marrëdhënie apo veprim tjetër seksual ndaj fëmijës që nuk ka mbushur 14 vjet do të dënohet me më së paku 12 vjet burgim (paragrafi 1). Paragrafi i dytë më tej parasheh edhe formën më të rëndë të kësaj vepre penale, ku theksohet se nëse për shkak të veprimit të kryer të përshkruar në paragrafin 1 do të shkaktohet lëndim i rëndë trupor, vdekje apo pasoja të tjera të rënda  apo nëse vepra është kryer nga më shumë persona apo në mënyrë të vrazhdë dhe nënçmuese, kryerësi do të dënohet me më së paku 15 vite burgim apo me burgim të përjetshëm (paragrafi 2)”, sqaron Vedije Ratkoceri.

Ratkoceri thotë se nga viti 2008 e këndej kemi trajtim më serioz në shtetin tonë për të luftuar dhe parandaluar abuzimin seksual të fëmijëve. Por pavarësisht këtyre hapave konkret dhe të rëndësishëm në hartimin e politikave penale shtetërore, në praktikë situata lë për të dëshiruar.

Ende në gjykatat e vendit shqiptohen dënime të ulëta për këto vepra. Regjistri publik nuk është funksional vazhdimisht dhe shumë pak është bërë për promovimin e tij, në mënyrë që publiku i gjerë të ketë njohuri për ekzistimin dhe qëllimin e këtij regjistri, që është një mjet shumë i fuqishëm parandalues për këto raste. Tretmani mjekësor-farmakologjik nuk u zbatua asnjëherë në asnjë rast, ndërsa raste prej vitit 2014 e këndej kishim mjaft. Në fund, në vitin 2019 edhe u hoq nga legjislacioni, pa zhurmë dhe pa asnjë diskutim më të gjerë. Vlen të potencohet se ky tretman është një tretman bashkëkohor, human dhe i domosdoshëm për trajtimin e pedofilëve, në mënyrë që ata të mos e përsërisin veprën penale

Vedije Rakoceri

SIPAS SOCIOLOGËVE, PEDOFILIA PARAQET SJELLJE DEVIJANTE QË MERITON MË SHUMË VËMENDJE NGA PUBLIKU

Sociologu Latif Mustafa thotë se pedofilia është ves dhe sjellje devijuese me ç'rast individi i pjekur në moshë synon të dominojë dhe abuzojë seksualisht me trupin e të miturit, gjë që bëhet kundër vullnetit të këtij të të miturve.

Copy-of-Untitled-1652904837.png

“Të miturit e që janë në moshë të njomë, shpeshherë nuk janë edhe të vetëdijshëm për fenomenin dhe psikopatologjinë e pedofilëve dhe bëhen viktimë e lehtë e tyre. Njëra ndër format më të shpeshta që i hasim sot është përdorimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar i rrjeteve sociale me ç’rast të miturit bien pre e këtyre individëve. Rasti i fundit në Kosovë, ku një mësues në pension, vihej në kërkim të të miturave, ngriti alarmin se shoqëria jonë rrezikohet fort nga njerëz me karakter psikopatik. Institucionet shkollore dhe mediat duhet të ngritin zërin për këtë fenomen dhe të merren me edukimin në lidhje me identifikimin e rreziqeve të mundshme që shkaktojnë rrjetet dhe informimin e institucioneve të sigurisë në lidhje me denoncimin e rasteve, ngaqë, ekspozimi ndaj këtij rreziku s'ka qenë asnjëherë më i lartë se sot”, tha Mustafa.

RRJETET SOCIALE KANË KRIJUAR NJË HAPËSIRË TË SIGURT PËR PEDOFILËT, POR SI MUND TË PARANDALOHET DHE CILAT JANË EFEKTET QË BART PEDOFILIA, FLASIN DY PSIKOLOGET

Pedofilia si një lloj abuzimi seksual ndaj fëmijëve, sipas psikologes Nebahate Ziberi-Imeri dita ditës po merr përmasa më të mëdha me zhvillimin e teknologjisë dhe numri i të ekspozuarve ndaj kësaj dukurie është rritur. Ajo sqaron se ende për këtë nuk flitet haptas dhe kjo ende më shumë e thellon problemin, i dëmton viktimat kështu duke ju shkaktuar pasoja psikologjike.

Por, sipas saj kjo nuk do të thotë se duhet të rijmë duar kryq dhe të heshtur para kësaj problematike dhe kur e themi këtë flitet pikërisht për masa parandaluese.

Copy-of-Untitled-(3).png

“Pa dyshim se prindërit dhe kujdestarët duhet të kenë shumë kujdes në atë se në çka ekspozohet fëmija dhe adoleshenti. Gjëja e parë që duhet bërë këtu është të vërejmë në ndryshimin e sjelljes. Djali apo vajza mund të përjetojnë ndryshime në sjellje, humor, vështirësi për të fjetur, ankthe, makthe. Në disa raste, ata flasin për seks në mënyrë të përsëritur, mund të refuzojnë disa anëtarë të familjes ose papritur të ndjejnë frikë ose ankth për të qenë në kontakt me një person të afërt. Duhet të jenë shumë vigjilentë, nëse ka shenja që flasin për dëmtime fizike, skuqje në pjesët intime, çarje vagjinale apo anale. Të rriturit nuk duhet të neglizhojnë këto simptome, ata duhet të jenë vigjilentë, të monitorojnë vazhdimisht dhe në çdo shenjë të kërkojnë ndihmë për të përcaktuar se çfarë po ndodh”, tha Ziberi-Imeri.

Nga ana tjetër, psikologja Edlira Destani sqaron se abuzuesit e fëmijëve me apo pa diagnozë të pedofilisë, nuk mendojnë se kanë një sëmundje apo çrregullim, ndaj edhe nuk ju shkon në mend që kanë nevojë për trajtim. Ajo sqaron se ata asnjëherë nuk pranojnë bashkëpunim. Por sipas saj, e kundërta është me fëmijët e abuzuar sepse ata mbi të gjitha bartin një dëshpërim të thellë dhe më lehtë pranojnë që t'ju ofrohet ndihmë.

Copy-of-Untitled-(2).png

“Shpesh herë pedofilët janë afër ambientit të fëmijës që duan të abuzojnë, kanë mungesë të plotë të empatisë, kanë një vlerësim të ulët të vetes, por të njëjtën pretendojnë edhe që e bëjnë të tjerët, pra nuk e vlerësojnë të tjerët, mund të kenë pësuar abuzime në fëmijëri.  Ndaj edhe fëmijët e abuzuar mund të kenë një përcjellje në abuzues në një moshë relativisht të mesme, nëse nuk merren masa për t'i ndihmuar në kohën e duhur. Fëmijët e abuzuar gjithashtu ndryshojnë sjelljen menjëherë pas abuzimit, bëhen të mbyllur, ndryshojnë ritmin e ushqimit, gjumit dhe aktiviteteve të tjera. Bëhen aksioz, fitojnë elemente antisociale, agresivitet, humbasin besimin edhe tek prindërit në shumicën e rasteve”, tha Destani.

Ndryshe, opinoni në vend mori një mesazh të fortë për sa i përket kësaj çështjeje pas bërjes publike të skandalit të “Dhomës Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave. Krijuesit e së cilës u dënuan me katër vite burg. Së fundmi, në Shqipëri emisioni televiziv “Piranjat” për çdo javë identifikon raste të pedofilëve, në Shqipëri dhe Kosovë të cilët abuzojnë me fëmijë-vajza, ku një nga pedofilët në këtë rast përfundoi edhe para organeve të drejtësisë.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia