Safety-(14).png

Intervistë, ministrja Petrovska: Nuk lejoj të defokusohem nga sulmet ndaj meje, luftë ndaj të gjitha formave të pabarazisë gjinore dhe dhunës

DORA VETË

July 2nd, 2022

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska është në këtë pozitë që nga janari i këtij viti. Më herët ajo ka qenë pjesë e disa institucioneve të vendit si në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kuvend dhe Sekretariatin për çështje evropiane. Petrovska ishte cak i sulmeve virtuale me fyerje dhe sharje në rrjetet sociale gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar, muaj më parë. Ajo shprehet e vendosur që të mos lejojë që sulmet e këtilla ta defokusojnë në qëllimet që ka. Petrovska pranon se politika është terren i vështirë për gratë “por ne gratë i duam sfidat”, thotë ajo.

Intervistoi: Fatlume Dervishi.

Z-nja Petrovska, në mars ishin në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar ku u pritët me nderime të larta nga zyrtarët kurse garda e nderit interpretoi muzikë të vjetër maqedonase. Momenti ishte i bukur kurse takimi i rëndësishëm. Por, jo të gjithë u fokusuan në të. Ishin cak i ngacmimeve masive “online”, gjuhës së urrejtjes dhe linçim në internet, duke marrë komente negative për pamjen tuaj. Si e përjetuat këtë në atë kohë?

Vizita zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar ishte me ftesë të nikoqirit dhe kolegut tim, ministrit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Ben Vallas edhe atë vetëm dy javë pas fillimit të sulmeve ruse në Ukrainë. Ajo ishte vizitë vërtetë e rëndësishme në një periudhë të ndjeshme për familjen transatlantike dhe për partnerët e NATO-s, në një kohë të vështirë për kontinentin, kohë në të cilën u bë realitet i jonë ajo që menduam se është e pamundur të ndodhë në Evropë në shekullin 21 – sulm ushtarak mbi një shtet sovran dhe të pavarur, e pasuar nga vuajtje dhe viktima në njerëz. Nga Londra, bashkë me ministrin Vallas dërguam mesazhin e dënimit të sulmit mbi Ukrainën, por njëkohësisht dërguam edhe mesazhin e bashkimit dhe kohezionin e partnerëve dhe gatishmërinë për të garantuar sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s. Lufta në Ukrainë, emërimi im për ministre të Mbrojtjes, vizita në Londër përkon me sjelljen dhe përballjen me vendime të vështira. Ato vendime të vështira sollën deri te sulmi hibrid i drejtuar direkt ndaj meje, duke nxitur ortekun e komenteve negative të cilat lëvizën nga profesionalizmi im deri te mënyra se si dukem ose vishem. Fuqishëm besoj se gratë që duan të jenë të suksesshme në politikë, duhet të jetë të përgatitura të luftojnë për të drejtat e tyre dhe duhet të jenë të përgatitura për të gjitha llojet e sulmeve. Mënyra se si unë personalisht e tejkaloi këtë problem është duke përsëritur gjithmonë se besimi në vete dhe në aftësitë e mia për të përmirësuar shoqërinë është kyç, si dhe se kjo rrugë nuk është rrugë me lule, por përkundrazi, rrugë e ndjekur nga shumë sfida. Por, dua të theksoj se sulmet e këtilla nuk do ta shkatërrojnë vetëbesimin tim dhe ta marrin fokusin nga ajo që është vërtetë e rëndësishme – reformat në ministri, detyrimet si vend anëtar i NATO-s, detyrimet ndaj të punësuarve në Mbrojtje dhe në Armatë. Nuk do të lejoj të defokusohem. Prandaj, parimet e mia ndaj këtyre dukurive janë vetëm qëndrueshmëri, luftë ndaj të gjitha formave të padrejtësisë, pabarazisë dhe dhunës, të jesh punëtor i vlefshëm dhe të besosh në sukses. Nëse jeni të përkushtuar në krijimin e vlerave dhe nëse nuk keni frikë nga kohërat e vështira, pengesat bëhen shumë të parëndësishme.

A mendoni se ndonjë koleg i juaji burrë do të ishte përballur me komente të tilla për pamjen e tij nëse do të ishte në vendin tuaj? Ose, a dini ndonjë rast të ngjashëm t’i ketë ndodhur ndonjë kolegu ministër?

Këto komente për të cilat pyesni, vetëm konfirmojnë se në një shoqëri e cila, edhe pse demokratike, duhet vazhdimisht të flasim dhe veprojmë, për shkak të stereotipeve akoma të pranishme për burrin dhe gruan, të cilat pa dyshim e kufizojnë potencialin për zhvillim dhe përparim të plotë. Ka një raport të BIRN i cili tregon se më shumë se tre të katërtat e politikaneve të rajonit kanë raportuar se përjetojnë sulme në internet si rezultat i angazhimit të tyre publik. Nga 22 politikane, 16 kanë thënë se kanë pasur probleme për shkak të angazhimeve të tyre në politikë, nga vërejtjet në internet deri te diskriminimi, kërcënimet, ngacmimet dhe ofendimet. Gratë kanë 27 herë më shumë gjasa të përjetojnë keqtrajtim në internet nga burrat. Një strukturë e këtillë paraqet problem në të cilin duhet të punohet dhe kjo është struktura e cila konkretisht i ka cak gratë që kanë pasur guxim të kenë rol më aktiv në shoqëri. Kjo nuk guxon të na demotivojë por, përkundrazi, të jetë motiv për t’u korrigjuar anomalitë e këtilla në shoqëri. Ajo është dhunë e strukturuar jo vetëm sepse u drejtohet grave, por sepse është e drejtuar ndaj të gjithëve që kanë mendimin e tyre, që kanë pozitë në shoqëri. Në përgjithësi, sfidat kryesore me të cilat përballen gratë lidere, veçanërisht në aspektin e dhunës dhe keqpërdorimit, dalin nga pabarazitë strukturore të cilat kërkojnë vëmendje jashtë sferës politike.

Në mbrojtje dolën një numër i madh i kolegeve tuaja politikane por jo edhe politikanë. Pse mendoni se ndodhi kjo?

Fushata “Edhe unë jam Sllavjanka” e cila filloi në mediat sociale menjëherë pas sulmit ndaj meje dhe personalitetit tim ishte mbështetje dhe solidarizim nga pjesa avangarde dhe progresive e shoqërisë tonë kundër stigmatizimit dhe mizogjinisë. Flet për zgjimin, flet për normalitetin mes raporteve njerëzore, për luftën e drejtësisë ndaj padrejtësisë dhe kundër çdo lloji të rrezikimit të të drejtave të njeriut. Vijë nga një rreth politik në të cilin avancimi i grave në politikë ka marrë nxitje serioze. E dini, kritikat dhe sulmet e ulëta ndodhën pikërisht më 8 Mars, në Ditën e gruas, kur si qeveri bëmë thirrje që me të gjithë mjetet do ta mbrojmë të drejtën e punës dhe të gjitha të drejtat që dalin nga puna jonë, e drejta e vendimmarrjes për jetën tënde, e drejta për të pasur jetë dinjitoze, e drejta për liri dhe siguri. Në kuptimin e menaxhimit, ndonjëherë nuk keni zgjedhje tjetër përveç se të ecni përpara. Në rastin tim, unë e pranova këtë sulm dhe e kuptova se duhet ta çoj këtë udhëtim deri në fund. Në disa raste fuqia, mbështetja dhe shpresa e grave dhe burrave të tjerë me motivuan të vazhdoj. Po ashtu, bëj kujdes që të kaloi kohë me miq që më japin hapësirë të jem unë.

slavja.jpeg

Çfarë terreni është politika për gratë?

“Politika është shumë e rëndësishme për t’ua lënë vetëm burrave”. Kjo është një deklaratë e politikanes gjermane socialdemokrate, Kete Strobel, dhe moto e një filmi dokumentar të jashtëzakonshëm gjerman me një titull shumë domethënës “Të pakompromisët”. Filmi e tregon historinë e grave në politikë gjermane që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë (BRD-Bundesrepublik Deutschland) deri te bashkimi i Gjermanisë, ngjitjen në skenën politike gjermane të kancelares Angela Merkel dhe të politikaneve të tjera të guximshme të cilat sollën barazinë mes burrave dhe grave, të shkruar në Kushtetutën gjermane. Ky shembull është vetëm ilustrim se lufta e grave për vend në shoqëri, për pozitë në politikë, për zë në partitë tona politike është gjithmonë më e vështirë në krahasim me të burrave. Të njëjtën betejë e bëjnë koleget në Berlin, Londër, Uashington por edhe ata në Parlamentin tonë, në Qeverinë tonë, në komunat tona. Angazhimi i grave në politikë, si dhe në fushat e tjera në shoqëri, edhe sot nuk është i lehtë, si dhe në të kaluarën, kur realiteti në politikë për gratë ka qenë larg idilikes dhe ky profesion është përjetuar si dominim nga burrat. Për mua politika është mjet për të bërë dallim pozitiv në jetën e njerëzve, në ndikimin tonë mbi botën. Besoj se misionin ynë është që të lëmë një botë më të mirë për gjeneratat e reja dhe politika është mjet nëpërmjet të cilit mund ta arrijmë këtë mision. Lidershipi është t’i bësh të tjerët më të mirë si rezultat i pranisë tënde dhe të kujdesesh që ai ndikim të jetojë edhe gjatë mungesës tënde. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme, por ne gratë i duam sfidat.

Numri i grave në pozitat drejtuese në shtet është i ulët. A shihen gratë në politikë si përjashtim dhe jo njësoj të afta në krahasim me burrat? Si ta ndryshojmë këtë?

Unë besoj se kur gruaja është në pozitë drejtuese, a do të vlerësohet si e aftë ose jo, varet nga rezultati. Gruaja që arrin në pozitë drejtuese i kalon lehtë ato pengesa sepse nuk prekin deri te ajo. Në fund, kur të krahasohen rezultatet, ato janë fakte para të cilave heshtin të gjithë. Ky është qëndrimi që ua rekomandoj të gjitha grave në politikë. Të jenë të hapura dhe të mësojnë nga kritikat e rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me punën dhe të cilat mundet t’i ndihmojnë të bëhet më e mira në pozitën drejtuese që kanë. Kritikat e tjera qëllimkëqija për pamjen, veshjen dhe të ngjashme, janë vetëm zhurmë.

Ju jeni grua me pushtet dhe u përballët me një qasje të këtillë të një shoqërie e cila akoma gratë nuk i sheh si profesionalisht të afta për pozita të rëndësishme. Si mendoni se këto komente ndikojnë te gratë të cilat nuk kanë pushtetin që keni ju por gjithsesi punojnë për të pasur një pozitë ose rol të rëndësishëm në shoqëri?

Ky është stereotip. Unë asnjëherë nuk kam menduar ashtu dhe nuk kam lejuar që kjo të më ndalojë. Kur një grua është ambicioze, vështirë se diçka mund ta ndalojë. Por, mund të kuptoj se lufta për gratë të cilat duan të përparojnë në karrierën e tyre është vërtetë e vështirë. Në 5 vitet e fundit, shumë qartë dhe zëshëm është thënë se kjo garniturë politikë në pushtet nuk toleron stereotipe dhe diskriminim. Ka shumë mekanizma të cilat gratë mund t’i shfrytëzojnë nëse hasin në pengesa që bazohen në stereotipe gjinore. Unë mund të flas për Ministrinë e Mbrojtjes ku vërtetë kemi rezultate nga zbatimi i politikave për barazi gjinore. Ja disa të dhëna; në vitin 2012, përfaqësimi i grave në ushtri ishte 5.7%, sot kjo përqindje është dyfishuar. Në vitin 2012 ka pasur vetëm 9% oficere gra, sot kemi 17% oficere gra në ushtri. Në vitin 2012 vetëm një grua ka qenë kolonele kurse tani kemi 4 kolonele. Në Ministrinë e Mbrojtjes përqindja e përgjithshme e grave është 34%, kurse nga 18 sektorë në ministri, gjysma drejtohen nga gra. E kemi inkorporuar perspektivën gjinore në arsimin ushtarak sepse ajo është rruga për gra në pozita të larta në ushtri, për çka, kemi përpunuar mekanizma për mbrojtje nga ngacmimi në ambient pune dhe gjithë kjo ndihmon në inkurajimin e grave të dalin të vendosura në këtë profesion i cili sipas stereotipeve njihet si profesion burrash. Por, ajo që është më e rëndësishme dhe të cilën unë e potencoj gjithmonë është që burrat vërtetë ta pranojnë faktin që gratë janë të barabarta me to dhe se duhet të ndjehen të mirëseardhura në atë rreth, dhe jo gjithmonë të dëshmojnë se i kanë merituar pozitat e tyre.

Nuk mund të themi se këto raste dhe perceptime janë vetëm në Maqedoninë e Veriut. Në rrafsh botëror, gjatë viteve të fundit flitet hapur për këto pabarazi gjinore dhe për diskriminimin gjinor. Vajzat e reja dhe gratë secilën ditë ekspozohen ndaj çfarëdo lloji të sjelljes së shoqërisë e cila u thonë se si të duken dhe si të sillen për të qenë të pranuara dhe jo si të ndërtohen si personalitete dhe profesioniste. Cili është mesazhi juaj për ato gra dhe vajza? 

Unë i inkurajoi të gjitha vajzat dhe gratë ambicioze të mos gjunjëzohen ndaj diskriminimit gjinor dhe para sulmeve, por fuqishëm dhe me vendosmëri të luftojnë raportin ambivalent ndaj gruas–sulmeve në internet. Kritikat të cilat plasohen si sulme të ulëta mos i merrni personale dhe vazhdoni me shembullin tuaj ta tregoni të kundërtën e figurës që duan ta prezantojnë për ju ata që ju sulmojnë. Unë jam e para mes kolegëve dhe kolegeve politikanë për të cilën kritika është e mirëseardhur dhe mësoj prej atyre kritikave, ndryshoj. Por kur ajo është kritikë e pabazë dhe ka për qëllim uljen e vetëbesimit si dhe sulmon politikat pas të cilave qëndron shteti, ajo nuk kalon. Jini të guximshme, shikimi juaj le të drejtohet nga e ardhmja, ecni fuqishëm dhe me vendosmëri nëpër të gjitha pengesat.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia