Dhuna ndaj grave. Foto: Doidam10 në Canva
Dhuna ndaj grave. Foto: Doidam10 në Canva

Politika e heshtjes: Dhuna me bazë gjinore, femicidi dhe neglizhenca institucionale në Maqedoninë e Veriut

Tek sa bëheshin gati produkte të ndryshme promovuese me ngjyrë portokalli, 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore i parapriu një tjetër vrasje e një gruaje. Një tjetër femicid që iu shtua një liste gjithnjë e më të gjatë emrash, historish dhe alarmesh të injoruara. Ky fakt nuk është thjesht tragjik; ai është simptomë e një krize të thellë shoqërore por edhe institucionale. 

Femicidi nuk është akt i izoluar dhune. Para se një grua të vritet, ajo zakonisht ka qenë e kërcënuar, e rrahur, e kontrolluar. Para se të ndodhë vrasja, ka pasur sinjale. Dhe para se ajo të heshtet përgjithmonë, shoqëria dhe institucionet kanë heshtur shumë herë.

Rritja e rasteve të femicidit në Maqedoninë e Veriut nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të dhunës së përditshme me bazë gjinore. Shpesh, pas një vrasjeje, diskursi publik përqëndrohet te momenti final: çfarë ndodhi atë ditë, çfarë e “provokoi” dhunuesin, pse “shkoi aq larg”. Ky fokus e fsheh pyetjen më të rëndësishme: çfarë ndodhi më parë dhe pse askush nuk e ndali? 

Heshtja që mësohet në familje dhe normalizohet nga shoqëria

Politika e heshtjes fillon herët, brenda familjes, aty ku dhuna shpesh relativizohet dhe racionalizohet përpara se të emërtohet. Fëmijët rriten duke dëgjuar se problemet “zgjidhen brenda katër mureve”, dhe se durimi është virtyt. Vajzat mësohen të përshtaten, të heshtin dhe të mbajnë barrën e harmonisë familjare, edhe kur ajo ndërtohet mbi frikë dhe dhimbje. Djemtë, ndërkohë, socializohen në idenë se autoriteti mashkullor është i natyrshëm, i pakontestueshëm dhe i mbrojtur nga heshtja kolektive.

Këto mësime krijojnë terrenin ku dhuna perceptohet si pjesë e përditshmërisë dhe jo si shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Heshtja shndërrohet në virtyt moral, ndërsa të folurit për dhunën shihet si tradhti ndaj familjes, turp ndaj komunitetit dhe kërcënim ndaj rendit shoqëror. Në këtë kontekst, viktima nuk përballet vetëm me dhunën e ushtruar mbi trupin e saj, por edhe me peshën e një faji imagjinarë se në rast se nuk hesht ajo ka tradhtuar njerëzit që “e duan më së shumti.”

Kjo heshtje e mësuar në familje riprodhohet dhe përforcohet më pas nga shoqëria e gjerë përmes gjuhës, humorit, dhe stereotipeve gjinore. Dhuna minimizohet dhe banalizohet: “ishte vetëm grindje”, “ishte xhelozi”, “kishin probleme martesore”. Me këto formulime, përgjegjësia zhvendoset sistematikisht nga dhunuesi te marrëdhënia, nga strukturat patriarkale te “keqkuptimet” individuale, duke e bërë dhunën të duket si aksident emocional dhe jo si fenomen shoqëror i prodhuar.

Në rastet e femicidit, ky mekanizëm arrin kulmin e tij. Diskursi publik shpesh përqendrohet në sjelljen e viktimës: pse nuk iku, pse u kthye, pse heshti kaq gjatë. Këto pyetje nuk janë të pafajshme; ato janë forma të dhunës simbolike që e zhvendosin fajin dhe e rikonfirmojnë idenë se mbijetesa është përgjegjësi individuale, jo detyrë kolektive. Në këtë mënyrë, shoqëria jo vetëm që dështon të mbrojë gratë, por edhe justifikon kushtet që e bëjnë dhunën të mundur.

Institucione që legjitimojnë heshtjen

Në letër, Maqedonia e Veriut ka ligje që e njohin dhe e dënojnë dhunën me bazë gjinore, por praktika institucionale shpesh i tradhëton ato përmes mosveprimit, vonesave dhe relativizimit të rrezikut. Raportimi i dhunës nuk shoqërohet domosdoshmërisht me mbrojtje reale, ndërsa procedurat burokratike janë të ngadalta, institucionet të pa-koordinuara dhe përgjegjësia shpesh humbet mes kompetencave të paqarta. Në këtë boshllëk institucional, dhuna jo vetëm që vazhdon, por edhe normalizohet.

Kur një grua raporton dhunën dhe nuk merret seriozisht, është tregues se heshtja duket më e sigurt se raportimi. Kur institucionet minimizojnë rrezikun, ato bëhen pjesë e riprodhimit të dhunës. Urdhërat mbrojtës që nuk zbatohen, rastet që zvarriten dhe mungesa e ndjekjes së dhunuesve e shndërrojnë ligjin në një simbol pa fuqi reale.

Situata bëhet edhe më alarmante për shkak të mungesës të mekanizmave konkretë të mbështetjes për gratë që kërkojnë ndihmë. Në Maqedoninë e Veriut ka shumë pak strehimore për gratë e dhunuara, dhe kapacitetet ekzistuese janë të kufizuara, të pabarabarta gjeografikisht dhe shpesh të varura nga projektet afatshkurtra ose nga organizatat e shoqërisë civile. Kjo do të thotë se për shumë gra, veçanërisht jashtë qendrave urbane, largimi nga dhuna nuk është opsion real. Pa strehim të sigurt, mbështetje ekonomike, këshillim psikologjik dhe mbrojtje institucionale, raportimi i dhunës bëhet një akt rrezikues.

Neglizhenca institucionale nuk është neutrale: ajo prodhon pasoja konkrete, herë edhe fatale. Çdo femicid pas raportimeve të papërfillura tregon se shteti nuk është thjesht spektator, por pjesë e zinxhirit që e bën dhunën të mundur. Mosveprimi është bashkëfajësi.

Dhuna me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut nuk mbijeton sepse mungojnë ligjet, por sepse heshtja është bërë normë, në familje, në shoqëri dhe në institucione. Femicidi është forma më ekstreme e kësaj politike të heshtjes, fundi i parashikueshëm që tolerohet, relativizohet dhe shpërfillet në mënyrë sistematike. Për aq kohë sa dhuna trajtohet si çështje private dhe jo si dështim kolektiv, ndërgjegjësimi do të mbetet simbolik dhe viktimat do të mbeten të pambrojtura. Thyerja e heshtjes kërkon më shumë se fjalë dhe fushata sezonale; ajo kërkon institucione që veprojnë, mekanizma realë mbrojtës dhe një shoqëri që pranon përgjegjësinë e saj përpara se dhuna të përfundojë sërish në vrasje.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera