Komuniteti LGBTI në Maqedoninë e Veriut përballet edhe më tej me diskriminim të përhapur, dhunë dhe përjashtim social, si dhe me pengesa sistematike që kufizojnë të drejtat dhe sigurinë e tyre, thonë raporteve e organizatave kredibile vendore dhe ndërkombëtare që kanë bërë analiza dhe monitoruar gjendjen në këtë fushë.
Sipas hulumtimit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), në Maqedoninë e Veriut vetëm 21% e të anketuarve mund të flasin hapur për identitetin e tyre – shumë më pak se mesatarja evropiane prej 51% – ndërsa 74% shmangin në mënyrë aktive shfaqjet publike të afeksionit për shkak të frikës nga ngacmimi.
Shkalla e shqetësimit për sigurinë e tyre dëshmohet edhe nga fakti se 43% shmangin zona të caktuara për të ulur rrezikun e sulmit. Diskriminimi shtrihet edhe në vendin e punës, ku 27% e personave LGBTI+ janë përballur me diskriminim në vendin e punës ose me probleme gjatë punësimit në vitin që i parapriu hulumtimit të agjencisë, përqindje kjo më e lartë se mesatarja e BE-27 prej 19%.
Sipas raportit analitik mbi të drejtat e personave LGBTI+ në Maqedoninë e Veriut 2023–2025, që u publikuan nga Instituti për Politika Evropiane, organi kryesor për barazi në vend është Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, megjithatë që nga themelimi i tij në vitin 2021 ai vazhdon të përballet me sfida që pengojnë funksionimin e tij efektiv.
“Një sfidë kryesore është mungesa e pavarësisë financiare, e cila kufizon aftësinë e Komisionit për të vepruar në mënyrë autonome dhe për të përmbushur mandatin e tij pa presione të jashtme. Përveç kësaj, mungesa e personelit të mjaftueshëm administrativ ndikon ndjeshëm në kapacitetin e Komisionit për të shqyrtuar ankesat, për të zhvilluar hetime dhe për të zbatuar aktivitete të ndërgjegjësimit. Këto kufizime strukturore ndikojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e grupeve të cenueshme, përfshirë komunitetin LGBTI+, anëtarët e të cilit shpesh mbështeten te Komisioni për trajtimin e rasteve të diskriminimit dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, thuhet në raport.
Por edhe përkundër këtyrë të dhënave, shteti ende nuk ka miratuar stragjinë për barazinë e komunitetit LGBTI, ndërsa për këtë kishte vërejtje edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, ku mes tjerash thuhet se, mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTIQ duhet të përmirësohet.
“Miratimi i një strategjie apo plani kombëtar për barazinë e personave LGBTIQ është ende në pritje. Nuk janë ndërmarrë hapa për zbatimin e aktgjykimit të janarit 2019 të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) lidhur me njohjen ligjore të gjinisë. Gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit vazhdon në rrjetet sociale. Në vitin 2024, organizatat e shoqërisë civile raportuan 230 raste të dyshuara të gjuhës së urrejtjes të bazuara në orientimin seksual dhe identitetin gjinor (298 raste në vitin 2023), megjithatë reagimet ligjore mbeten të pamjaftueshme”, theksohet në raport.
Më tej thuhet se, kuadri ligjor për të drejtat procedurale të të dyshuarve dhe të akuzuarve, si dhe për të drejtat e viktimave të krimit, është pjesërisht i harmonizuar me acquis-in e BE-së dhe ka nevojë për përmirësim.
“Ndihma juridike falas është e qasshme përmes 34 zyrave rajonale të Ministrisë së Drejtësisë, shoqatave përkatëse civile, klinikave juridike pranë fakulteteve juridike dhe përmes avokatëve të certifikuar për ofrimin e ndihmës juridike dytësore. Megjithatë, sistemi i ndihmës juridike në procedurat penale duhet të forcohet më tej për të përmirësuar qasjen në drejtësi. Në veçanti, nevojitet rishikimi i kritereve të pranueshmërisë për mbrojtjen e detyrueshme dhe për ndihmën juridike falas për personat pa mjete të mjaftueshme, si dhe për përfaqësimin e interesave të viktimave të krimit”, kanë theksuar nga KE.
Nga ana tjetër, procesi i OKB-së – Rishikimi Periodik Universal (UPR), të drejtat e personave LGBTI+ i ka identifikuar si një fushë prioritare që kërkon përmirësim. Ato rekomandojmë mbrojtje më të fortë ligjore, reagim më të mirë të policisë ndaj rasteve të diskriminimit dhe dhunës, si dhe miratimin e politikave më gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e të drejtave të grupeve të cenueshme.
Sipas tyre, harmonizimi i politikave kombëtare me këto angazhime është thelbësor jo vetëm për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, por edhe për avancimin e zhvillimit demokratik të Maqedonisë së Veriut dhe për forcimin e mundësive të saj për integrim në Bashkimin Evropian.





