Përkujdesja për të moshuarit ende shihet si “punë grash”, ndikojnë rolet gjinore

Tetëdhjetë përqind e personave që përkujdesen për të moshuarit janë gra. Ndërkohë që ekziston nevojë dhe kërkesë për përkujdesës burra, konfirmon Qanije Selimi, udhëheqëse e Shoqatës Milenium të cilët mundësojnë përkujdesje falas për të moshuarit. Përzgjedhja e profesionit ndikohet nga rolet gjinore, si rrjedhojë përkujdesja ndaj të moshuarve konsiderohet si “punë grash”.

“Rolet gjinore ndikojnë në përzgjedhjen e profesionit, duke bërë që numri i burrave në shërbimet e përkujdesjes për të moshuarit të jetë i ulët. Stereotipet që e shohin kujdesin si “punë grash”, stigma sociale, mungesa e modeleve mashkullore dhe pritshmëritë tradicionale ndikojnë në këtë fenomen. Megjithatë, po bëhen përpjekje për të ndryshuar këtë perceptim dhe për të inkurajuar më shumë burra në këtë sektor.”

Përpos roleve gjinore që vështirësojnë përfshirjen e burrave në profesione përkujdesëse, Selimi thotë se përballen me sfidën e transportit publik, por sfiduese është edhe koncepti i përkujdesjes për gjininë e kundërt.

“Sfidat janë të ndryshme, duke filluar prej transportit publik në vendet rurale e deri te stereotipet mbi kujdesin për gjininë e kundërt kur vjen fjala për përkujdesjen e higjienës personale.”

Sipas Selimit, ndryshimet demografike, nevojat e individëve dhe zhvillimet sociale sollën deri te nevoja për një shërbim i cili do të mundësojë përkujdesjen për të moshuarit.

“Në rajonin e Pollogut viteve të fundit rinia ka emigruar jashtë vendit dhe si pasojë e kësaj të moshuarit jetojnë vetëm pa pasur afër persona të cilët mund të kujdesen per ta, sidomos për ata që janë me shëndet të dobët.”

Selimi shprehet se gratë duhet inkruajuar për t’u kyçur në tregun e punës, duke mundësuar kështu pavarësinë ekonomike e cila jo vetëm që rrit vetëbesimin por ndikon një të ardhme më të mirë për to.

“Mbështetja e grave në tregun e punës, sidomos për ato që kanë vështirësi në përshtatje, kanë qenë të papunësuara për një kohë të gjatë apo vetëkujdesen, është thelbësore për fuqizimin e tyre ekonomik dhe social. Kjo ndihmon në rritjen e vetëbesimit, lehtësimin e integrimit, krijimin e mundësive, përmirësimin e kushteve të punës dhe luftimin e diskriminimit. Në sektorë si përkujdesja për të moshuarit, një kulturë mbështetëse ndihmon në rritjen e vlerësimit dhe mirëqenies së punonjëseve, veçanërisht për gratë që përballen me sfida shtesë duke u vetëkujdesur.”

Shërbimi i përkujdesjes për të moshuarit realizohet në ambiente shtëpiake dhe funksionon duke ofruar një gamë shërbimesh që i ndihmojnë të moshuarit të jetojnë në kushte të sigurta dhe të rehatshme në shtëpinë e tyre, ndërkohë që marrin mbështetje për nevojat e përditshme dhe shëndetësore. E pyetur se si funksionon ky shërbim, Qanije Selimi në vijim jep sqarim të detajuar.

  • Vlerësimi i nevojave të të moshuarit

Vlerësimi i situatës shëndetësore dhe sociale: Para se të fillohet shërbimi, një vlerësim i detajuar bëhet nga profesionistët për të kuptuar nevojat shëndetësore dhe sociale të të moshuarit. Ky vlerësim mund të përfshijë shqyrtimin e kushteve shëndetësore, aftësisë për të kryer aktivitete të përditshme, si dhe nevojave për mbështetje emocionale dhe shoqërore.

Plani i kujdesit personalizuar: Bazuar në vlerësimin e bërë, krijohet një plan kujdesi i cili përshtatet me nevojat dhe dëshirat e personit të moshuar. Ky plan mund të përfshijë mbështetje për aktivitete të përditshme, ndihmë shëndetësore, dhe angazhim social.

  • Llojet e Shërbimeve të Ofruara

Selimi sqaron se ofrohet një gamë e gjërë e shërbimeve nga të cilat mund të përfitojnë të moshuartit. Kështu në kuadër të përkujdesjes përfshihen:

  • Kujdesi personal (për aktivitete të përditshme):
    • Përkujdesje për higjienën personale: Ndihmë në aktivitete si larja, veshja, dhe higjiena e përditshme.
    • Përgatitja e ushqimit dhe asistencë në ngrënie. Përshtatja dhe sigurimi i ushqimit të shëndetshëm, si dhe ndihmë për ata që kanë vështirësi në ngrënie.
    • Ndihmë për transportin dhe mobilitetin: Nëse personi ka vështirësi me lëvizjen, ofrohet mbështetje për të lëvizur nëpër shtëpi, dhe ndihma mund të përfshijë edhe shëtitje të jashtme.
  • Përkujdesje shëndetësore:
    • Administrimi i ilaçeve: Ndihmë për të siguruar që ilaçet merren në mënyrën dhe kohën e duhur.
    • Monitorimi i shëndetit: Shërbimi mund të përfshijë kontrolle të rregullta për shëndetin, si matja e tensionit të gjakut, nivelit të sheqerit në gjak, etj.
    • Mbështetje për kushte specifike shëndetësore: Kujdes për individë me sëmundje të tilla si demenca, sëmundjet kardiovaskulare, ose diabetes.
    • Mbështetje emocionale dhe sociale:
  • Mbështetje emocionale dhe sociale:
    • Shoqërim dhe aktivitete sociale: Angazhimi i të moshuarve në biseda dhe aktivitete që stimulojnë mendjen dhe shpirtin, si leximi, shëtitjet ose aktivitetet e tjera të përbashkëta.

E pyetur se kush përkujdeset për të moshuarit, Selimi u përgjigj se të moshuarit kujdesen nga persona profesionist dhe të trajnuar për atë profesion.

“Kujdestarët për të moshuarit janë profesionistë që ofrojnë mbështetje dhe kujdes për individët e moshuar, veçanërisht ata që kanë nevojë për ndihmë me aktivitetet e përditshme dhe mbajtjen e shëndetit të tyre. Kujdestar mund të jenë të gjithë ata persona që kryejn trajnimin e akredituar dhe licencohen per këtë shërbim.”

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera