Dhuna në familje në Maqedoninë e Veriut po del gjithnjë e më shumë nga hija, ndërsa të dhënat e viteve të fundit tregojnë një prirje shqetësuese. Vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar 101 raste të dhunës psikologjike, pothuajse dyfish më shumë krahasuar me dy vitet paraprake, kur ishin evidentuar 57 raste në vitin 2022 dhe 56 raste në vitin 2023. Kjo rritje mund të tregojë dy gjëra: se dhuna po shtohet, por edhe se viktimat po e njohin më shpesh atë dhe po guxojnë ta raportojnë.
Veçanërisht shqetësuese janë të dhënat nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Gjatë një periudhe trevjeçare, aty janë raportuar gjithsej 1.667 raste të dhunës në familje, si dhe 28 raste të dhunës seksuale. Edhe pse numri i rasteve të dhunës seksuale është më i ulët, vërehet një prirje në rritje, sidomos kur bëhet fjalë për viktima të mitura.
Problem shtesë paraqet fakti se të dhënat e institucioneve të ndryshme shpesh nuk përputhen. Kjo tregon mungesë të koordinimit ndërinstitucional dhe mungesë të një sistemi të unifikuar e funksional për monitorimin e rasteve të dhunës.
Ka disa lloje të dhunës, jo secila prej tyre lë shenja të dukshme
Kur flitet për dhunën në familje, zakonisht mendohet për dhunën fizike. Por realiteti është shumë më i gjerë. Kontrolli psikologjik, varësia ekonomike, kërcënimet e vazhdueshme, poshtërimi apo marrëdhënia seksuale e detyruar janë gjithashtu forma dhune që lënë pasoja të thella, edhe pse shpesh nuk janë të dukshme.
Viktima mund të jenë gra, burra, fëmijë dhe të moshuar, veçanërisht ata që janë ekonomikisht ose emocionalisht të varura nga dhunuesi. Shumë prej tyre as nuk e njohin gjendjen e tyre si dhunë, sepse ajo zhvillohet gradualisht dhe shpesh maskohet si “kujdes”, “kontroll nga dashuria” ose “xhelozi”.
Arsyet pse viktimat heshtin janë pothuajse gjithmonë të njëjta: frika nga hakmarrja, varësia financiare, ndjenja e turpit ose e fajit, si dhe mungesa e besimit te institucionet. Pikërisht ky kombinim faktorësh e mban dhunën të fshehur pas dyerve të mbyllura.
Pse ODEI mund të jetë pjesë e zgjidhjes?
Një nga konceptet që përmendet gjithnjë e më shpesh në parandalimin e dhunës është ODEI — një shkurtim nga anglishtja për Opportunity, Diversity, Equity and Inclusion (mundësi, diversitet, barazi dhe përfshirje). Kjo qasje përdoret sot nga institucione dhe organizata në mbarë botën për të ndërtuar shoqëri më të drejta dhe më përfshirëse, ku të gjithë njerëzit kanë qasje të barabartë në të drejta, mbrojtje dhe mbështetje.
Në kontekstin e dhunës në familje, parimet e ODEI nënkuptojnë disa gjëra thelbësore. Së pari, diversiteti na kujton se dhuna mund të ndodhë në çdo familje, pavarësisht nivelit të arsimimit, statusit social apo prejardhjes kulturore. Së dyti, barazia nënkupton se çdo viktimë duhet të ketë qasje reale dhe të drejtë në mbrojtje, ndihmë institucionale dhe mbështetje ligjore. Së treti, përfshirja do të thotë krijimi i një mjedisi ku viktimat inkurajohen të flasin dhe të kërkojnë ndihmë, pa frikë nga paragjykimi apo stigmatizimi.
Kur këto parime mungojnë, dhuna normalizohet lehtë. Krijohet një kulturë heshtjeje, rastet mbeten të paraportuara dhe viktimat izolohen. Me kalimin e kohës, modelet e dhunës përsëriten dhe transmetohen nga një brez te tjetri.
Si u arrit deri te këto gjetje?
Ky hulumtim bazohet në analizën e raporteve institucionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të shërbimeve sociale, në statistikat e disponueshme për periudhën 2022–2024, si dhe në informacione nga qendra krize, organizata joqeveritare dhe programe për mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave. Të dhënat janë krahasuar për të identifikuar prirjet, mospërputhjet dhe dobësitë kryesore të sistemit.
Përfundimi është i qartë: dhuna në familje nuk është çështje private, por përgjegjësi shoqërore. Dukshmëria më e madhe, të dhënat e sakta dhe zbatimi i parimeve të ODEI janë hapi i parë nga heshtja drejt mbrojtjes, nga heshtja drejt drejtësisë. Lufta kundër dhunës në familje nuk është vetëm çështje e ndëshkimit të autorëve, por edhe e ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe më përfshirëse, ku viktimat ndihen të sigurta për të folur.
Autorë të këtij shkrimi janë studentet e Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë — Iva Stefanovska dhe Bojana Velkovska.





