Në një shoqëri ku barazia gjinore artikulohet si vlerë, por nuk zbatohet si e tillë, heqja dorë nga trashëgimia mbetet një dukuri e normalizuar, një formë e heshtur, por e fuqishme e dhunës ekonomike ndaj grave. Ajo nuk lë mavijosje në lëkurë, por lë gjurmë të thella në jetën, zgjedhjet dhe të ardhmen e grave. Kjo formë e dhunimit, bëhet përmes presionit të kulturës, zakoneve, pritshmërive dhe “turpit” të trashëguar brez pas brezi. Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, më lejoni të reflektojmë tek ky dominim i “respektit” i cili për vite me radhë ka varfëruar ekonomikisht dhe ka mbajtur peng emocionalisht gratë dhe vajzat në shumë familje.
Neni 3 i Ligji për Trashëgiminë është i qartë duke garantuar barazi të plotë ndërmjet grave dhe burrave në trashëgimi. Mirëpo, realiteti është krejt ndryshe. Në praktikë, gratë rrallë paraqiten në procedurë trashëgimore, sepse prania e tyre është e panevojshme dhe e tepërt, përderisa shumica prej tyre “me vetëdëshirë” nënshkruajnë heqjen dorë, duke ia lënë çdo pasuri vëllait apo burrit të shtëpisë. Nuk e di se sa prej tyre janë të vetëdijshme se ky akt nuk është i lirë, përmes këtij akti nuk shprehet dashuria ndaj vëllait, burrit apo djalit. Po ky akt është rezultat i një presioni sistematik e të legjitimuar nga tradita dhe mentaliteti i trashëguar që nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Që në fëmijëri, vajzat mësohen se “hisja nuk iu takon”, se marrja e trashëgimisë “pasuron bashkëshortin”, se marja e hises është “e turpshme”, “e pamoralshme”, “shkatërruese për familjen”, shprehje “egoizmi dhe gllabëritje e pjesës së vëllait”. Vajza tona frikësohen nga përjashtimi, nga etiketime të rënda, nga prishja e marrëdhënieve motër-vëlla. Por unë dhe një pjesë e kësaj shoqërie që respekton familjen, prindërit, fëmijët, këto veprime i quajmë forma më eklatante të dhunimit të vlerave familjare. Kjo dhunë është e padukshme në trup, por e fuqishme. E heshtur, por e dëmshme.
Sistemi patriarkal që dominon në shumë familje tona i cilëson gratë si “të derës së huaj”, si dikush që del nga shtëpia (vajza) ose vjen si mysafire (nusja), që nuk ka të drejtë të trashëgojë nga familja e origjinës, por as të krijojë siguri ekonomike në familjen e re, pasi shpesh as aty nuk gëzon të drejta pronësore. Në praktikë, paluajtshmëritë e fituara në martesë regjistrohen pothuajse ekskluzivisht në emër të burrit, duke krijuar një realitet juridik të shtrembëruar që dëmton sigurinë ekonomike të grave dhe i ekspozon ato ndaj pabarazive dhe varësisë ekonomike. Andaj, regjistrimi i pasurisë së paluajtshme vetëm në emër të burrit, përjashtimi i nënës nga trashëgimia e babait të vdekur, presioni që vajza të heqë dorë në favor të vëllait, e shumë situata tjera joligjore dhe joetike, krijojnë një zinxhir varfërimi ekonomik të grave. Në familjet ballkanike, e në veçanti në ato shqiptare, kjo praktikë është aq e përhapur, saqë është shndërruar në normë të pashkruar dhe shumë të respektuar. Heqja dorë nga trashëgimia nuk prek vetëm gruan. Kur ajo nënshkruan një deklaratë heqjeje dorë, shpesh nuk është e vetëdijshme se po tërhiqet jo vetëm për vete, por edhe për fëmijët e saj, duke ua mohuar atyre të drejtën e përfaqësimit. Ky është diskriminim i dyfishtë: ndaj vetes dhe ndaj pasardhësve të saj, si të “padenjë” për të trashëguar pasurinë e krijuar nga Gjyshërit dhe jo nga Dajallarët.
Një ndër arsyet kryesore të përjashtimit të grave është mungesa e informacionit, e cila i vret heshtazi, mbase këtë e përcjellin edhe tek vajzat e tyre, nuset e tyre, motrat. Pak gra e dinë se pasuria e fituar në martesë është pronë e përbashkët, pavarësisht se në emër të kujt regjistrohet. Edhe më pak gra e dinë se pasuria e përbashkët nuk llogaritet pjesë e masës trashëgimore, Ajo dhe vetëm ajo ka të drejtë të kërkojë që pasuria e krijuar në martesë të ndahet në gjysmë dhe pjesa e saj mos të trajtohet si trashëgimi. Poashtu, pak gra janë të vetëdijshme se nuk mund t’i përjashtojnë nga trashëgimia pa nënshkruar personalisht, se askush nuk ka të drejtë të “flasë në emrin e tyre”, madje nuk e dinë se mund të inicojë procedurë anulimi të deklaratës nëse dikush këtë e ka bërë pa dijen e saj, ose duke e vënë atë në lajthim, mashtrim ose KËRCËNIM. Ky joinformim nuk është naivitet por është një rrezik që sjell pasoja tjera. Ky mosinformim ose keqinformim ushqen varfërinë strukturore që prek gratë gjatë dhe pas martesës, sidomos kur ato janë të papunësuara ose të angazhuara vetëm në punë të papaguara të amvisërisë. Kjo dhunon të drejtën e saj për të pasur një stabilitet financiar. Kjo i lejon asaj të durojë çdo formë tjetër dhune, sepse nuk ka përkrahje morale, materiale dhe familjare.
Pse gruaja nuk e paraqet dhunën, pse nuk ikën nga rrethi vicioz i dhunës? Një grua pa të drejtë prone është një grua pa siguri, një grua që duron, një grua që nëpërkëmb dinjitetin e saj në situata të krizave bashkëshortore. Ajo mbetet e bllokuar në martesë të dhunshme, sepse nuk ka ku të shkojë. Nuk ka kursime. Nuk ka të ardhura. Nuk ka trashëgimi. Nuk ka një shtëpi ku të kthehet sepse i bëhet me dije se “nga kjo derë del me fustan të bardhë dhe kthehesh me qefin”. Prandaj heqja dorë nga trashëgimia nuk sjell vetëm pasoja juridike por sjell pasoja mbijetese, pasoja të durimit të të gjitha formave tjera të dhunës.
Drejtësia me bazë gjinore në trashëgimi kërkon më shumë se ndryshim ligji. Kësaj radhe nuk e kemi problemin me ligjin, sepse është shumë i qartë, imperativ dhe i barabartë. Problemin kësaj radhe e kemi me mentalitetin e ngulitur, të pranuar dhe që e ruajmë me shumë krenari.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, ju drejtohem grave, vajzave, nënave: Mos hiqni dorë nga trashëgimia! Është e drejta juaj. Është dinjiteti juaj. Është siguria juaj ekonomike. Është e ardhmja e fëmijëve tuaj.
Dhe ju burrave, vëllezërve, baballarëve: Mos merrni pjesën që nuk ju takon, kjo me ligj është e dënueshme por edhe me fe është e papranueshme. Mos e ndërtoni pasurinë mbi padrejtësinë dhe shkelje të motrës, gruas, vajzës. Mos e ushqeni një sistem që e varfëron gjysmën e familjes suaj. Mos dhunoni ekonomikisht nënën, gruan, motrën, vajzën tuaj!
Nëse duam shoqëri të drejtë, duhet të fillojmë nga shtëpia dhe familja jonë. Barazia nuk krijohet vetëm me ligjërata, por në tavolinën familjare, ku motra thirret në trashëgimi; ku nëna respektohet si trashëgimtare; ku bashkëshortja regjistrohet si pronare; ku djali mëson se pasuria nuk është privilegj i gjinisë së tij.
Vajza, duke hequr dorë nga trashëgimia, nuk e forconi dashurinë familjare, vetëm se vazhdoni traditën e pabarazisë për gjeneratat që vijnë. Ju privoni veten nga e drejta për t’u trajtuar si njeri me të drejta të njëjta dhe e pranoni rolin e “mysafires së përhershme”, si në shtëpinë e babait, ashtu edhe në shtëpinë e burrit.
Gra dhe vajza, mos e jepni kaq lehtë atë që ju takon. Trashëgimia është zëri juaj, është pjesa juaj jetike. Mos heshtni dhe mos lejoni askush të nëpërkëmb atë që ju takon, nga prindërit e juaj, nga familja juaj e origjinës. Si vëllai edhe ti jeni fëmijë të barabartë.
Dhe krejt për në fund. Sado që kritikohem se “po i shtyj vajzat dhe gratë drejt mosbindjes ndaj normave tradicionale”, se “i nxis të krijojnë konflikte familjare”, se “po i shpif ndaj familjes duke ua mbushur mendjen të marrin gjëra që nuk u takojnë” Unë nuk do të heq dorë. Çdo herë do të jem zëri i tyre. Do t’i udhëzoj se si të reagojnë kur nuk thirren fare në procedurë trashëgimore. Do t’i udhëzoj se si të kërkojnë të drejtat e tyre kur për ata deklarohen se nuk ekzistojnë fare. Do t’i mësoj se si të krijojnë “probleme juridike” jo për të prishur familjen, por për të mbrojtur dinjitetin e tyre ligjor. Pa asnjë hezitim dhe me plot kompetencë do t’u tregoj se sa shumë të drejta kanë, si t’i kërkojnë ato dhe si t’i realizojnë me dinjitet e guxim. Do të vazhdoj të avokoj për vajzat, gratë, nënat, ashtu siç kam bërë për veten.





