Përfaqësues të institucioneve, organizatave jo-qeveritare dhe akademisë u mblodhën sot për të diskutuar se si mund të përforcojnë bashkëpunimin për të ju ndihmuar në një mënyrë më të organizuar viktimave të dhunës me bazë gjinore në rajonin e Pollogut.
Gjatë eventit u prezantua raporti lokal mbi situatën me dhunën me bazë gjinore në rajonin e Pollogut në periudhën 2022-2024. Dy panelet kryesore të eventit diskutuan temat: “Rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve për viktimat e dhunës me bazë gjinore”, dhe “Qasja ndaj viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe ofrimi i ndihmës”. Entitete nga Tetova dhe Gostivari që ofrojnë ndihmë direkte për viktimat ishin prezente për të ndarë eksperiencën e tyre, sfidat dhe këshillat.
“Ne punojmë drejtpërdrejtë me gratë viktima të dhunës me bazë gjinore, ju ofrojmë ndihmë juridike primare falas, i përcjellim deri në stacion policor ose Qendrën për Punë Sociale. E kemi parë sa e rëndësishme është për viktimat të kenë informacione për shërbimet të cilat ofrohen për to”, u shpreh Arta Mero, koordinatore e Klinikës Juridike “Emine Zendeli” në UEJL.
Rëndësi e veçantë iu dha diskutimit për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale. Raportimi i kësaj lloj dhune është ende shumë i stigmatizuar dhe viktimat hezitojnë ta raportojnë të njëjtën.
“Duhet një bashkëpunim më i mirëfilltë mes Policisë, Qendrës për Punës Sociale, organizatave jo-qeveritare, këshillimoreve dhe strehimoreve të viktimave të dhunës me bazë gjinore. Ne të gjithë ofrojmë shërbime për këtë kategori, mirëpo hallka e bashkëpunimit ende ka nevojë për përmirësime”, tha Rita Behadini nga organizata “Mollëkuqja”.
Ndryshe, Klinika Juridike “Emine Zendeli” dhe “Mollëkuqja” tashmë për 18 muaj ofrojnë ndihmë juridike falas për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore në Pollog, nëpërmjet projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore”.
Takimi i sotëm u organizua nga “Mollëkuqja”, Klinika Juridike “Emine Zendeli” me mbështetje të Misionit të OSBE në Shkup.





