Fatime Ziberi: “Viktimat janë llogaritur fajtore dhe nxitëse të dhunës seksuale”

Shumë çifte paraqiten para publikut si të lumtur, por pas dyerve të mbyllura mund të fshihen histori nga më të çuditshmet. Nganjëherë çka ndodhë prapa atyre dyerve ngel veç aty. Por, edhe pse rrallë, sërish është dëgjuar edhe ndonjë rast i dhunës seksuale në bashkëshortësi. Për të kuptuar më thellë mekanizmat psikologjikë, pasojat dhe ndjenjat e viktimave bisedojmë sot me psikologen Fatime Ziberi.

A është dhuna seksuale një shfaqje ekstreme e strukturës patriarkale?

– Pa dyshim se dhuna seksuale kuptohet si formë ekstreme e sjelles patriarkale, ku shpeshherë fatkeqësisht shihet si sjellje e pranueshme dhe shumë herë edhe arsyetohet si pjesë e familjes, strukturës sociale dhe obligim martesor. Është një pikëpamje e gabueshme që gjithmonë i është dhënë edhe konotacion kulturor dhe social, por, në anën tjetër viktimat janë parë dhe llogaritur fajtore dhe nxitëse të dhunës seksuale. Kjo bindje e gabuar ka pamundësuar viktimat që të identifikojnë me kohë gjendjen dhe kuptojnë se janë viktimë e dhunës seksuale pasi që mbi supe kanë mbajtur epitetin e gruas që gjithmonë duhet të përgjigjet në kërkesa dhe plotësoj të njejtat duke injoruar kërkesat dhe nevojat personale. 

Fenomi i “turpit” dhe normalizimit të dhunës kanë bërë që shumë gra të jetojnë kohë të gjatë dhe t’u nënshtrohen formave të ndryshme të dhunës seksuale dhe fatkeqësisht të përfundojnë duke e inkorporuar këtë si stil të jetës.

Nga përvojat që ke pasur, kur fillojnë e identifikojnë dhunën viktimat, ose më saktë durimin e dhunës seksuale nuk e shohin si “obligim martesor” ?

-Duhet shumë kohë për të kuptuar se janë viktimë e dhunës pikërisht nga arsyet që i përmendëm më sipër. Gjithashtu do të kisha shtuar këtu edhe vetëdijësimin kolektiv dhe edukimin për pasojat e kësaj dhune pasi që e thamë është parë dhe llogaritur si pjesë e familjes, marrëdhënieve dhe obligimeve martesore dhe nuk është folur aspak për format identifikuese dhe pasojat. Shumë herë është pala e tretë që i vëren këto dhe që mund të ndihmoj viktimën të kuptoj se flitet për dhunë dhe si e tillë dhe duhet të trajtohet. Nga përvoja mund të them se gjithmonë viktimat e flasin dhe raportojnë këtë lloj dhune si faktor dytësor apo terciar i problemeve dhe e vështirësive që iu paraqiten si pasojë, duke mos e kuptuar se është pikërisht dhuna seksuale që shkakton pasojat tjera si: vetëbesim dhe vetëvlerësim të ulët, probleme me besimin, pamundësi për të mbajtur marrëdhënie të shëndosha në familje, shoqëri, ankth, panikë dhe në disa raste edhe probleme më serioze si neuroza dhe psikoza. 

Si mund të shpjegohet dhuna seksuale, a është përpjekje për dominim?

– Pikërisht, dhuna seksuale është tendenca për dominim dhe dëmtim në çdo formë ndaj personit tjetër më të dobët. Këtu kemi dhe tendencën e superioritetit ku abuzuesi e sheh viktimën si inferior, duke ia mveshur edhe statusin e objektit për plotësimin e nevojave të tyre duke injoruar dhe mospërfillur nevojat e viktimave. Është tendencë për tu paraqitur në mënyrë të gabuar statusi social dhe struktura në familje “unë jam burrë” apo “e ke për detyrë dhe obligim” dhe me këtë e bëjnë viktimën që të nënshtrohet pa kundërshtim dhe të pranoj këtë sjellje si normale. 

Simone de Beauvoir thotë se gratë shpesh heshtin për të shmangur turpin. A e shihni ende këtë në praktikat terapeutike?

– Fatkeqësisht është e vërtetë, e tham pak më herët se turpi është shkaktari kryesor për mosraportimin e kësaj sjelljeje. Është e paarsyetueshme, madje edhe shumë studime janë bërë për të kuptuar arsyen e ndjenjën e fajit dhe turpit të viktimave, por akoma nuk kemi një përgjigje të saktë se pse viktimat ndjejnë faj dhe turp kur në fakt ato janë viktima dhe është e padrejtë kjo qasje ndaj vetes. Në praktikën terapeutike, kjo është ajo që vërehet, dhe një ndër indikacionet e para se kemi të bëjmë me dhunë, flas këtu për të gjitha llojet dhe veçanërisht dhunës seksuale. 

Si formohet ndjenja e fajit te viktimat?

– Ndjenja e fajit zakonisht krijohet nga pamundësia për vetëmbrojtje dhe është si një mekanizëm mbrojtës jo i shëndetshëm ku viktimat pajtohen me këtë ndjenjë dhe e pranojnë fatin e tyre. Formohet kryesisht në mënyrë të pavetëdijshme, që do të thotë viktimat fillimisht nuk janë të vetëdijshme për këtë, ato mund deklarativisht ta shprehin dhe me përsërtijen e shpeshtë, kjo ju mbetet si introject (diçka e marrë dhe e përvetësuar duke mos e përpunuar dhe kuptuar se nuk ka të bëjë aspak me realitetin). Por, edhe abuzuesi në këtë rast duke e shfrytëzuar këtë gjendje delikate të viktimës shndërrohet në manipulues psikologjik duke shfrytëzuar statusin social dhe bindjen e gabuar, e përforcon akoma më shumë ndjesinë e fajit dhe me këtë viktima e përvetëson dhe e bën pjesë të personalitetit dhe stilit të jetës. 

A mund të themi se dhuna seksuale është edhe rezultat i edukimit që brezat femëror bartin, nga gjyshja te nëna, nga nëna tek e bija?

– Niveli edukativ ka shumë ndikim këtu, po e themi se dhuna seksuale trashëgohet brez pas brezi dhe bartet nga gjyshja, nëna apo dikush tjetër në kuptimin se burri është burrë dhe gruaja duhet të toleroj edhe atëherë kur dëmtohet apo dhunohet dhe kjo “edukatë” ka funksionuar një kohë të gjatë dhe si pasojë edhe epiteti i gruas së mirë është vënë mbi atë se sa rezistuese është një grua ndaj kësaj dhune. Bindjet sociale se kështu ka qenë gjithmonë dhe se do heshtet për shkak të turpit, familjes, shoqërisë janë bartur me fanatizëm brez pas brezi duke mos kuptuar për pasojat serioze ndaj viktimave por edhe grave në përgjithësi. Me emancipimin dhe arsimimin besoj shumë gra sot e kanë të lehtë të identifikojnë tendencën e dhunës seksuale dhe të intervenojnë me kohë qoftë direkt apo edhe indirekt me kërkimin e ndihmës profesionale. 

A mund të ketë shërim pa rifituar kontrollin mbi trupin dhe seksualitetin?

– Hapi i parë është vetëdijësimi për pozitën e viktimës, pra viktima vetëdijësohet për dhunën seksuale dhe e kupton se nuk ka të bëjë me sjellje normale apo obligim martesor dhe nga ky moment ajo veç më fillon procesin e shërimit dhe njëkohësisht të risjell edhe kontrollin dhe seksualitin duke vendosur kufij të qartë, fillon kundërshton dhe vetëmbrohet, derisa të arrijë të rikthej kontrollin e plotë. 

Si ju ndihmoni ju këtyre rasteve? Kush i bind ato të drejtohen drejt jush? 

– Si të them, janë të pakta rastet e raportimit të kësaj dhune dhe shumë pak raste ka kur viktima vetë ose dikush tjetër ta drejtoj në kërkim të ndihmës profesionale. Zakonisht ato vijnë për dicka tjetër dhe gjatë procesit identifikohet shkaktari kryesor, në këtë rast dhuna seksuale. Është pala e tretë (familjari, shoqëria) që janë iniciatorët për viktimat që marrin guxim të kërkojnë ndihmë profesionale. 

Cili është rasti më i rëndë që e ke dëgjuar nga një e dhunuar? 

 – Ka histori të ndryshme dhe fatkeqësisht edhe të trishta që viktimat i shprehin. Ajo që dëgjohet më së shpeshti është pranimi i paaftësisë për t’u mbrojtur dhe reaguar dhe pajtimi me fatin e tyre, në kuptimin se ka të drejtë, ai është burrë dhe vetë e kërkova, fundja është obligim dhe detyrim i joni, etj. 

Në trajtimin e këtyre rasteve a ka diçka që u ngjall pasiguri në mbrojtje sa i përket funksionimit në shtet? 

-Të punohet me viktima të dhunës gjithmonë është e vëshirë nga fakti se viktima mund të trajtohet dhe të vendos për të dalë nga situata dhe vërtetë lufton dhe ia del, por në fund vijmë në situatë që nuk e dijmë bëjmë mirë apo jo, në kuptimin se viktimat nuk kanë ndonjë siguri institucionale dhe fatëkeqësisht përfundojnë përsëri me abuzuesin dhe rikthimi të jetë akoma më i vështirë për viktimën. Dhe shpeshherë kjo situatë na e vështirëson, dhe pse jo frikëson, pasi që punohet mirë me viktimën, inkurajohet dhe vërtet ka rezulate pozitive në shërimin dhe trajtim, po pyetja se çka pas kësaj kësaj qëndron në ajër si një re që pret momentin për të shpërthyer. 

Vlerësoni se ka më shumë raste, ndërsa paraqiten pak? Çka i pengon të paraqiten për trajtim? 

-Po, ashtu është, ka më shumë raste se sa raportohen dhe mendoj se shkaqet që pengojnë në raportimin dhe trajtimin janë kryesisht ato që veç më i përmende duke filluar nga stigmatizimi në shoqëri, paragjykimet se të themi të vërtetën. Shoqëria jonë akoma nuk është në nivelin për të kuptuar pa paragjykuar këtë kategori të viktimave. Faji dhe turpi pastaj janë faktorë shtesë duke përfunduar me mungesën e ndihmën institucionale të mirëfilltë.

Ju si profesionistë çka vlerësoni se duhet ndërmarrë që të ketë rënie të rasteve të dhunës në përgjithësi, e sidomos asaj seksuale? 

 – Vlerësoj se ky lloj i dhunës është ndër llojet më pak të folura dhe trajtuara në shoqërinë tonë dhe fakti se nuk flitet nuk do të thotë se nuk ekziston, andaj mendoj se njëherë e përgjithmonë duhet të debatohet dhe flitet hapur për të ngritur vetëdijen kolektive për dhunën seksuale, identifikimin dhe prevenimin e së njejtës. 

Këshilla si grua, për krejt gratë që mendojnë se seksi i dhunshëm është “normal”?

– Respektoni veten dhe trupin tuaj, nuk jeni objekt që dikush t’ju shfrytëzoj për nevojat e tyre, jeni shumë më të vlefshme se sa një marrdhënie dhe vetëmbrojtja nuk ju bënë gra të dobëta ose më pak gra, përkundrazi ua jep vlerën e merituar, andaj mos heshtni ndaj tendencave të dhunës dhe dominimit, flisni dhe kërkoni ndihmë profesionale. Turpin dhe fajin le ta mbajnë ata që duhet, ata që mendojnë se burrëria tregohet përmes dhunës dhe nënshtrimit.

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Të tjera