Kujtesa pas luftës nuk është kurrë neutrale. Në Ballkan, luftërat e viteve 1990 lanë plagë të thella, jo vetëm në jetët e atyre që i përjetuan, por edhe në mënyrën se si shoqëritë kujtojnë ose zgjedhin të harrojnë të kaluarën e tyre. Në shumë shtete pas-luftës, memorialet zyrtare shpesh fokusohen tek ushtarët meshkuj, sakrifica heroike dhe viktimizimi i përcaktuar etnik, duke e lënë përvojën e grave kryesisht të padukshme.
Megjithatë, gratë kanë sfiduar vazhdimisht këtë heshtje. Përmes formave të ndryshme të aktivizimit ato e kanë kthyer kujtesën në një mjet rezistence. Ato kanë marrë hapësira publike, kanë riformësuar narrativat dhe kanë insistuar që përvojat e grave, sidomos ato të dhunës seksuale, të njihen si pjesë qendrore e historisë së luftës.
Një shembull i jashtëzakonshëm i kësaj qasjeje feministe ndaj kujtesës është Duke Menduar Për Ty, një instalim publik artistik i vitit 2015 nga artistja kosovare Alketa Xhafa Mripa në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës. Projekti mblodhi mbi 5000 fustane të dhuruara nga gra nga e gjithë Kosova, secili përfaqësues i një mbijetuese të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto fustane u vendosën në stadiumin kombëtar të futbollit në Prishtinë, duke transformuar një hapësirë tradicionalisht të lidhur me festime dhe maskulinitet, në një vend për kujtim, solidaritet dhe dukshmëri.
Duke zaptuar stadiumin kombëtar, Duke Menduar Për Ty dërgoi një mesazh të fuqishëm: historitë e grave duhet të jenë në qendër të kujtesës kombëtare. Instalimi nuk ishte vetëm një gjest simbolik, por edhe një akt i pjesëmarrjes qytetare. Mijëra gra kontribuan me rrobat e tyre, secila mbartte një kuptim personal, disa me shënime të shkruara dorazi si “Ky fund ka fshehur një histori për pesëmbëdhjetë vjet”. Përmes këtij procesi, linja mes artistes, aktivistes dhe publikut u shua, duke krijuar një memorial të përbashkët ku hidhërimi/pikëllimi individual u bë njohje kolektive.
Për autoren, projekti kishte për qëllim të ju jepte zë viktimave të dhunës seksuale pa i ri-traumatizuar. Ajo tha “Dëshiroja t’u jap dukshmëri atyre grave që ishin të heshtura për shumë kohë, të nxirrja në pah atë që shoqëria dëshironte të fshihte.” Instalimi tërhoqi vëmendje kombëtare dhe ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah një grup që vuajtjet e tij ishin gjithmonë të margjinalizuara në kujtesën kolektive të Kosovës.
Duke Menduar Për Ty sfidoi hierarkitë e ngulitura të kujtesës. Narrativat dominante pas-luftës në Kosovë përqendroheshin tek luftëtarët meshkuj dhe sakrifica heroike, duke lënë mbijetueset gra në hije. Duke mbushur një stadium futbolli me mijëra fustane, Xhafa Mripa riformësoi gjeografinë e kujtesës, vendosi përvojat e grave në qendër dhe kërkoi që mbijetueset e dhunës seksuale të përfshihen në historinë kolektive të vendit.
Ndikimi i projektit shtrihej përtej Kosovës. Ai është ripërsëritur në vende të ndryshme të botës, përfshirë Hagën dhe Strasburgun, duke lidhur heshtjen lokale me fushata globale kundër dhunës seksuale në konflikte. Këto ripërsëritje tregojnë adaptueshmërinë e artit simbolik si një mjet për njohje ku mekanizmat formal shpesh dështojnë.
Në një rajon ku kujtesa e luftës shpesh është selektive dhe përvojat e grave janë marginalizuar ose instrumentalizuar, Duke Menduar Për Ty ofron një alternativë. Ai tregon se të kujtosh mund të jetë një akt rezistence, solidariteti dhe transformimi. Përmes punës së saj, Alketa Xhafa Mripa na kujton se gratë nuk janë vetëm mbijetuese, por edhe formuese aktive të kujtesës dhe thirrjeve për drejtësisë.



