Cikli menstrual te vajzat me nevoja të veçanta në RMV: Kush përkujdeset për to?

Të jesh një person me nevoja të veçanta në Maqedoninë e Veriut është një sfidë e përditshme. Sistemi shëndetësor, infrastruktura dhe mentaliteti shoqëror shpesh nuk i ofrojnë mbështetjen e nevojshme këtyre individëve, duke i lënë ata dhe familjet e tyre të përballen me një realitet të ashpër. E për ta kuptuar këtë realitet të duhet të kalosh vetëm pak kohë në qendrën ditore CFKD (Care for disabled kids). Kjo qendër ditore është një fole ngrohtësie, edukimi dhe socialzimi për 14 individ nga mosha 13 vjeçare deri në moshën 55 vjeçare. Ndonëse të gjithë kanë diagnoza të ndryshme, në pamundësi për të pasur grupe përkatëse, ata kalojnë bashkë një pjesë të mirë të kohës.

“Diferenca në moshë nuk është një faktor i madh në marrëdhënien e tyre. Pjesa më e madhe kanë krijuar marrëdhënie të ndryshme me njëri-tjetrin, më të afërta apo më të largëta. Për këta persona komunikimi verbal nuk është gjithmonë primar, ndaj marrëdhëniet e tyre bazohen në lloje të ndryshme komunikimi përmes të cilave shprehin qëndrime, marrëveshje dhe mosmarrëveshje, emocione”, thotë Aleksandra Nestoroska, psikologe në këtë qendër.

Nëse të jesh person me nevoja të veçanta është e vështirë, atëherë të jesh grua në këtë kategori është edhe më e komplikuar. Në një shoqëri ende të dominuar nga normat patriarkale, gratë me aftësi të kufizuara përballen me dyfishin e diskriminimit: si persona me aftësi të kufizuara dhe si gra. Kjo do të thotë se për shumë prej tyre, mundësia për t’u arsimuar, për të gjetur punë, apo për të jetuar një jetë të pavarur është thuajse e pamundur.

“Besoj se vështirësia e përkujdesjes varet kryesisht nga shkalla e paaftësisë së personit, por mund të konfirmoj gjithashtu se vetë natyra e gjinisë femërore është një sfidë shtesë në përkujdesje”, shprehet Aleksandra.

Sfidat e një vajze me sindromën Down: Kur trupi yt bëhet një tjetër pengesë

Tani, imagjino të jesh një vajzë me sindromën Down, me autizëm apo ndonjë tjetër diagnozë. Përveç sfidave të përditshme me mësimin, integrimin social dhe kujdesin mjekësor, çdo muaj përballesh me një problem tjetër: menstruacionet. Menstruacionet, për shumicën e vajzave dhe grave, janë një proces i lodhshëm dhe ndonjëherë i dhimbshëm, por për një vajzë me nevoja speciale, ky cikël natyror kthehet në një sfidë të vërtetë.

“Shpesh këta individ nuk janë në gjendje të mbajnë vetë higjienën personale dhe kanë nevojë për ndihmë apo mbikëqyrje. Ekzistojnë nivele të ndryshme të të kuptuarit të menstruacioneve si një veçori biologjike. Nga niveli i të kuptuarit të dukurisë dhe kujdesit për veten apo ndihmës që i jepet, deri te niveli i mungesës së aftësisë intelektuale për të kuptuar diçka, e as aftësisë për të mbajtur në mënyrë të pavarur higjienën personale. Gjithashtu, të gjithë reagojnë ndryshe ndaj simptomave të vetë menstruacioneve dhe ndaj simptomave që i paraprijnë (PMS), si dhimbja, nervozizmi emocional e të ngjashme”, thekson Aleksandra.

Në Maqedoninë e Veriut, edhe vajzat pa aftësi të kufizuara kanë vështirësi në sigurimin e produkteve menstruale për shkak të çmimeve të larta dhe mungesës së qasjes në edukim menstrual. Për një vajzë me nevoja të veçanta, kjo situatë është edhe më problematike, sepse mund të mos kuptojë si t’i përdorë produktet menstruale ose të ketë vështirësi në ndërrimin e tyre në mënyrë të rregullt. Në raste të tilla prania e prindit apo kujdestarit është e domosdoshme për ta, jo vetëm për sigurimin financiar të produkteve higjenike, por dhe për t’i ndihmuar në të gjithë procesin në fjalë.

“Po, ky është realiteti i këtyre individëve dhe familjeve. Kjo nuk prek vetëm personin me aftësi të kufizuara, por edhe të gjithë të përfshirë në kujdesin e tyre. Aftësitë e kufizuara intelektuale dhe fizike nuk i përjashtojnë këta njerëz nga natyra biologjike e trupit të gruas. Mendoj se publiku i gjerë as që e ka menduar këtë temë si një fakt dhe realitet i grave me aftësi të kufizuara dhe atyre që kujdesen për to”, thotë Aleksadra.

Pse është kaq e rëndësishme që të ketë më shumë mbështetje?

Shteti duhet të ndërmarrë hapa për të siguruar që personat me nevoja të veçanta, sidomos gratë dhe vajzat, të mos mbeten në margjinat e shoqërisë. Është e nevojshme që të ketë programe edukimi për menstruacionet dhe higjienën për të gjitha vajzat, pavarësisht aftësive të tyre. Gjithashtu, duhet të ketë qendra mbështetëse, ku vajzat me sindromën Down dhe gratë me aftësi të kufizuara të marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe social.

Nuk është e drejtë që një vajzë me nevoja të veçanta të përballet me një sfidë të dyfishtë, jo vetëm për shkak të gjendjes së saj, por edhe për shkak të mungesës së mbështetjes nga shoqëria dhe shteti. Ka ardhur koha që shoqëria të ndryshojë qasjen ndaj tyre dhe t’i trajtojë si individë me të drejta të barabarta, jo si barrë që duhet të fshihet apo të neglizhohet. Sipas të dhënave nga Censusi i vitit 2021 në vendin tonë numri i grave me nevoja të veçanta është më i lartë se ai i burrave. Në total në RMV jetojnë 52203 gra me nevoja të veçanta si pengesa në lëvizje, në shikim, dëgjim, komunikim apo aftësi tjera. Ndërsa numri i burrave me aftësi të kufizuara është 42209.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera