Në një shoqëri ku “normalja” përcaktohet ngushtë dhe çdo identitet queer shpesh stigmatizohet ose përjashtohet, personat LGBTQI+ përballen me barriera të mëdha në arsim, punësim dhe pjesëmarrje publike. Në këtë intervistë për Mollëkuqja, një sociologe nga vendi, vetë pjesë e komunitetit LGBTQI+, e cila për arsye personale kërkoi të mos i publikohet emri, flet për mënyrën se si presioni shoqëror, diskriminimi institucional dhe refuzimi familjar ndikojnë në jetën dhe mundësitë e tyre, si dhe për ndryshimet strukturore dhe ligjore që do të duheshin për të ndërtuar një shoqëri më të hapur dhe më përfshirëse.
Si ndikon trajtimi shoqëror dhe institucional ndaj personave LGBTQI+ në pozicionin e tyre social, mundësitë për arsimim, punësim dhe pjesëmarrje publik?
Shoqëria ndërtohet mbi një ndarje të fortë midis “normales” dhe “devijantes”. Çdo identitet që nuk përputhet me modelin heteronormativ shpesh stigmatizohet ose përjashtohet. Ligjet dhe praktikat institucionale pasqyrojnë pritshmëri të caktuara mbi gjininë, familjen dhe martesën, duke legjitimuar një model të vetëm të jetesës. Ky model funksionon si një ideal normativ i ngurtë dhe i idealizuar, i cili në praktikë është vështirë i arritshëm edhe për vetë shumicën heteroseksuale.
Ky përjashtim materializohet në barriera konkrete. Në shkolla, mungesa e përfaqësimit dhe tolerimi i bullizmit krijojnë pasiguri dhe braktisje të hershme. Në tregun e punës, frika nga diskriminimi çon në fshehje të identitetit, vetë-censurë dhe kufizim të mundësive për avancim në karrierë. Institucionet shpesh dështojnë të ofrojnë mbrojtje efektive, duke e lënë diskriminimin të normalizohet. Si rezultat, krijohet një hendek strukturor midis atyre që përputhen me normën dhe atyre që konsiderohen “jashtë saj”, duke prodhuar pabarazi të qëndrueshme në çdo nivel shoqëror.
Çfarë efektesh sociale prodhon stigmatizimi i vazhdueshëm, refuzimi familjar dhe diskriminimi institucional mbi integrimin, mobilitetin social dhe kapitalin social të personave LGBTQI+?
Në Ballkan, ajo që dimë për personat queer shpesh vjen nga dezinformimi politik ose nga qasje shkollore bio-esencialiste, të cilat refuzojnë ta shohin njeriun si qenie sociale dhe politike. Në këtë kontekst, stigmatizimi ecën krah për krah me seksizmin dhe mizogjininë. Shoqërisë i prezantohet një model i ngurtë i asaj se çfarë është një “burrë i vërtetë” dhe një “grua e vërtetë”, i shoqëruar me një listë karakteristikash dhe standardesh të pritshme. Kur këto standarde nuk arrihen, individi përballet me vështirësi integrimi – pavarësisht orientimit seksual.
Kjo dinamikë e thjeshtuar e “djemtë kaltërt, vajzat rozë” prodhon mekanizma të vazhdueshëm etiketimi (label theory), duke kufizuar pranimin social dhe familjar. Si pasojë, individët mbeten pa mbështetje emocionale dhe ekonomike në faza kyçe të zhvillimit të tyre dhe hyjnë në moshën madhore në pozitë të pambrojtur e të cenueshme. Kjo gjendje ndikon drejtpërdrejt në trajektoren e jetës së tyre, duke kufizuar mundësitë për ndërtimin e jetës sociale.
Nga këndvështrimi sociologjik, cilët faktorë historikë, kulturorë, fetarë dhe politikë ndikojnë që shoqëritë në vendet shqipfolëse dhe në Ballkan të mbeten më rezistente ndaj diversitetit seksual dhe gjinor?
Diskriminimi nuk është tipar individual, por fenomen sistematik. Njerëzit nuk lindin duke urryer atë që është e ndryshme; këto qëndrime mësohen dhe përforcohen përmes mediave, politikës dhe institucioneve fetare. Ato ekzistojnë në diskurs shumë përpara se të shfaqen në ligj apo në politika publike.
Vendet shqipfolëse dhe vendet ballkanike, duke ardhur nga histori të gjata konfliktesh dhe pasigurie politike, shpesh mbeten në një gjendje konservatorizmi mbrojtës, të frikësuar nga çdo gjë e re apo e ndryshme. Në një kontekst të tillë, diversiteti seksual dhe gjinor perceptohet jo si realitet shoqëror, por si kërcënim ndaj strukturave tradicionale, kërcënim i familjes bërthamë tradicionale.
Një faktor tjetër është mungesa e hulumtimeve shkencore sociale dhe mënyra se si trajtohen shkencat sociale në këto vende. Mënyra se si një shoqëri investon ose nuk investon në analizën sociale dhe diskursin e saj tregon edhe mënyrën si i sheh komunitetet e margjinalizuara në zinxhirin ligj–institucione–individ. Ajo që dimë për personat queer shpesh bazohet në “fakte” biologjike të pa verifikuara plotësisht ose në stigmatizim të përzgjedhur nga mediat perëndimore. Nuk hulumtohet eskperienca, jeta dhe dinamikat që ndikojnë në identitetet LGBTQ+ te ne. Pa një edukim të qartë mbi identitetin, vlerat dhe politikën e njohjes, shoqëria mbetet e paqartë për pozicionin e saj ndaj personave queer, grave dhe minoriteteve etnike, duke prodhuar rezistencë të vazhdueshme ndaj ndryshimit.
Si ndikon presioni shoqëror për konformizëm dhe fshehje të identitetit në formimin e identitetit social dhe në marrëdhëniet familjare, komunitare dhe profesionale të individëve LGBTQI+?
Kur shoqëria dërgon mesazhin se një identitet është i papranueshëm, shumë persona queer ose nuk arrijnë ta artikulojnë qartë përkatësinë e tyre, ose detyrohen ta fshehin atë për vite me radhë. Në disa raste, presioni është aq i fortë sa individi e mohon vetë identitetin e tij për të mbijetuar socialisht.
Ky presion shpesh çon edhe në dëshirën për migrim, sidomos te të rinjtë queer, të cilët kërkojnë vende ku ekziston më shumë harmoni mes ligjit dhe jetës së përditshme. Migrimi bëhet jo vetëm zgjedhje ekonomike, por strategji për siguri dhe dinjitet.
Në nivel familjar, familja tradicionale – që në teori duhet të jetë hapësirë e sigurt – mund të shndërrohet në burim rreziku. Fshehja, frika nga zbulimi dhe konfliktet rreth “nderit” krijojnë tension mes anëtarëve të familjes dhe në raste ekstreme rrezikojnë sigurinë fizike dhe emocionale të individit.
Në nivel social dhe profesional, personat queer shpesh detyrohen të krijojnë rrjete në fshehtësi ose vetëm online. Kjo izolim social ndikon edhe në qasjen në informacion – për shembull, mungesa e edukimit mbi shëndetin seksual, praktikat e sigurta dhe pamundësia për të kërkuar ndonjë llojë ndihme shëndetsore ose sociale, rrit rrezikun në jetën e tyre. Kur identiteti duhet të fshihet, edhe kërkimi i ndihmës bëhet i vështirë.
Çfarë roli mund të luajë mbështetja psikologjike profesionale dhe sociale në shërimin nga këto trauma shoqërore dhe çfarë duhet të ndryshojë në shoqëri që këta persona më të ndihen të sigurt dhe të pranuar, si mundet të hapen më shumë shoqëritë?
Mbështetja psikologjike do të ishte padyshim ndihmë e madhe; çdo formë terapie apo këshillimi profesional mund të ndihmojë individët të përpunojnë traumën e refuzimit, frikës dhe stigmatizimit. Por, ndoshta edhe më urgjente se kjo, është krijimi i hapësirave të sigurta brenda shoqërisë. Hapësira ku siguria dhe mbrojtja nuk janë të kushtëzuara, por të garantuara. Aktualisht, jemi në një realitet ku personat queer janë fizikisht të pasigurt, rrezikojnë të ekspozohen kundër vullnetit të tyre, të përjashtohen nga familja apo komuniteti, madje edhe të dëmtohen.
Prandaj, nevojitet një ndryshim strukturor. Edukimi do të ishte një hap thelbësor – jo vetëm si informacion biologjik dhe psikologjik, por si edukim mbi identitetin, diversitetin dhe të drejtat. Dialogu i hapur është po aq i rëndësishëm. Aktualisht, në shoqërinë tonë ekziston një mjegull misteri rreth identiteteve queer; shumë njerëz nuk e kuptojnë çfarë do të thotë një identitet queer, madje as nuk e pranojnë ekzistencën e tij. Kjo padije ushqen frikën, dhe frika ushqen përjashtimin.
Cilat politika publike dhe ndërhyrje strukturore (në arsim, media, tregun e punës dhe legjislacion) do të kishin ndikimin më të madh në uljen e diskriminimit ndaj personave LGBTQI+ dhe në ndërtimin e një kulture më përfshirëse në shoqëri?
Së pari dhe më e rëndësishmja, ligjet kundër diskriminimit duhet të zbatohen realisht, sidomos në shkollë, vendin e punës dhe në proceset e punësimit. Maqedonia e Veriut ka ratifikuar shumë konventa dhe ka miratuar ligje, shpesh në kuadër të integrimit evropian, por këto shpesh mbeten në letër dhe nuk materializohen institucionalisht. Njerëzit mund të kenë të drejta formale, por nuk kanë mekanizma realë për t’i ushtruar ato.
Në arsim, përveç edukimit mbi diversitetin, duhet mbrojtje konkrete për të rinjtë dhe fëmijët queer. Minimumi është trajnimi i mësuesve dhe stafit shkollor për të trajtuar bullizmin dhe ngacmimin – dhe për të mos u bërë vetë pjesë e tij.
Një rol të madh luan edhe media. Shpesh personat queer trajtohen me një gjuhë që i paraqet si devijim, si “problem”, si kërcënim moral, madje ndonjëherë me tone që i afron me diskursin e sëmundjes apo kriminalitetit vetëm për shkak të seksualitetit të tyre. Kjo krijon një narrativë kolektive ku identiteti queer paraqitet si diçka patologjike apo e rrezikshme, dhe jo si pjesë normale e diversitetit njerëzor.
Personat queer kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë. Sa më shumë që identiteti i tyre trajtohet si diçka që mund të “korrigjohet” apo të hiqet e zhduket, aq më shumë shoqëria prodhon dhunë dhe përjashtim. Diskriminimi nuk qëndron i izoluar, çdo formë diskriminimi ushqen tjetrin dhe dobëson vetë harmoninë shoqërore.





