Shkup, protestë kundër neglizhimit të denoncimeve për dhunë: Rosicën e vrau ish-partneri, me ndihmën e shtetit

Në Shkup nesër (18 shtator) do të protestohet kundër sistemit që mundëson femicidin duke i neglizhuar denoncimet e grave për dhunë. Protesta do të fillojë në ora 17:30 para MPB-së dhe do të ketë bllokadë te parku gruaja luftëtare. Protesta është e nxitur nga vrasja e dyfishtë në Veles.

“Meduza” në platformat sociale bën thirrje për organizim masiv.

“Ju ftojmë të themi publikisht dhe me zë të lartë se dhuna ndaj grave dhe femicidet janë të papranueshme! Ju ftojmë të përkujtojmë kolektivisht të gjitha vajzat dhe gratë që vitet e fundit u vranë nga ish ose aktualë partnerë intimë, sepse institucionet dhe komuniteti kanë injoruar thirrjet e tyre për ndihmë. Ju ftojmë të dalim në rrugë – aty ku dhunuesit ecin lirshëm dhe përfitojnë, ndërsa gratë kanë frikë për jetën e tyre!” shkruan organizata joqeveritare ‘Meduza’.

Motoja e protestës është ‘ASNJË MË’.

“Femicideve, të cilave u paraprin dhuna serioze partnere ose familjare, u është rritur numri vit pas viti, ndërsa rasti i fundit është edhe një dëshmi tjetër për çmimin që paguajnë gratë dhe të afërmit e tyre (dhe me ta edhe gjithë shoqëria), kur policia, prokuroria, gjykatat dhe qendrat për punë sociale nuk veprojnë sipas protokolleve për mbrojtje dhe ligjeve. Vrasja e Rosicës, dhe e të gjitha grave të tjera të vrara brutalisht nga partnerët e tyre aktualë ose ish, ka mundur dhe DUHEJ të ishte parandaluar, dhe ato të ishin mbrojtur.” shkruajnë organizatorët në ‘Fejsbuk’.

Vrasja në Veles është dëshmi e sistemit patriarkal dhe dhunues

Emri i dorasit që dje në Veles kreu vrasjen e dyfishtë e më pas vetëvrasje, kishte kaluar disa herë nëpër duart e drejtësisë. Ai më herët ishte shpallur fajtor për kërcënime dhe dhunë ndaj ish partneres, por kishte kaluar vetëm me dënim me kusht.

Viktima kishte denoncuar disa herë edhe për shkelje të vendimeve gjyqësore, mesazhe kërcënuese, ndjekje pranë shtëpisë e madje edhe djegie të makinës së babait të saj. Por, pavarësisht dosjes së tillë, makthi i viktimës përfundoi tragjikisht.

Në prill të këtij viti, prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj 39-vjeçarit, lidhur me dy ngjarje, kërcënim të sigurisë dhe dhunë, por gjykata i shqiptoi dënim me kusht.

“Më 10.09.2025, Gjykata Themelore në Veles, duke vepruar mbi këtë akuzë, shpalli aktgjykim me të cilin e deklaroi të akuzuarin fajtor dhe i shqiptoi një masë alternative – dënim me kusht. Me vendim iu hoqën masat e tjera të kujdesit të cilat ishin në fuqi gjatë procedurës, por deri në fuqizimin e aktgjykimit mbeti në fuqi masa ndalim i afrimit dhe vendosjes së kontakteve me të dëmtuarën dhe partnerin e saj, e cila ishte caktuar me kërkesë të prokurorisë”, njoftojnë nga Prokuroria.

Nga Prokuroria thonë se vendimi i Gjykatës sapo është pranuar dhe nuk ka pasur mundësi të deklarohet mbi të me ndonjë ankesë eventuale. Ndërkohë, nuk kanë munguar shkeljet e vendimeve gjyqësore nga ana e sulmuesit.

“Më 21.05.2025, e dëmtuara e denoncoi të akuzuarin në PTHP Veles edhe për moszbatim të vendimit gjyqësor, pasi pavarësisht masave shtesë të mbrojtjes nga dhuna në familje të shqiptuara edhe në procedurë civile, ai nuk i respektonte dhe vazhdonte t’i dërgonte mesazhe dhe fotografi me përpjekje për të realizuar komunikim me të. Më 18.05 ai iu afrua shtëpisë së saj dhe e mori e më pas dogji automjetin në pronësi të babait të saj. Pas këtij denoncimi, PTHP Veles e mori në pyetje të dëmtuarën dhe më 26.06.2025 lëshoi urdhër ndaj MPB-së për sigurimin e provave nga komunikimi telefonik, si dhe 4 urdhra për sigurimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë në lokacione të ndryshme në qytet”, thonë nga Prokuroria.

Raste të ngjashme, 39 vjeçarja kishte raportuar edhe në Shkup për akte tjera dhune, ku i dyshuari ishte përpjekur ta mbante në një banesë dhe i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor. E dëmtuara, deklaratën e saj të fundit se mbetet në propozimin për ndjekje penale të të dyshuarit, e kishte dhënë vetëm 6 ditë përpara ditës tragjike, më datë 9 shtator.

Të tjera