Tek gratë, qetësuesit e dhimbjes nuk janë aq efektivë

Dhimbja është një nga ankesat më të vjetra në historinë e mjekësisë, dhe për mijëra vjet trajtimet janë aplikuar me një qasje të njëjtë për të gjithë. Vetëm kohët e fundit ekspertët e kanë pranuar zyrtarisht një të vërtetë thelbësore: gratë e përjetojnë dhimbjen ndryshe nga burrat dhe, si rrjedhojë, trajtimet e njëjta nuk funksionojnë për të dy gjinitë.

Hulumtimet e fundit tregojnë se vajzat dhe gratë ndjejnë dhimbje më të forta se burrat dhe kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje kronike si migrena, sindroma e zorrës së irrituar, fibromialgjia dhe osteoartriti. Megjithatë, mjekët shpesh i nënvlerësojnë ose i injorojnë ato, gjë që sjell vonesa në trajtim dhe përkeqësim të dhimbjeve të tyre.

Njëkohësisht, disa studime tregojnë se qetësuesit e dhimbjes, si ibuprofeni, steroidet dhe opioidët, nuk janë aq efektivë tek gratë sa tek burrat. Dhe e vërteta është se ekspertët ende nuk e kuptojnë pse, thotë Elizabeth Losin, neuroshkencëtare që studion dallimet gjinore në perceptimin dhe reagimin ndaj dhimbjes.

Para vitit 1993, studiuesit nuk ishin të detyruar të përfshinin gratë në hulumtimet klinike të financuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH), institucioni më i madh publik që financon hulumtime në SHBA. Kjo bazohej në idenë se ciklet menstruale të grave do të ndikonin në rezultatet e testeve dhe nga frika se mos dëmtohej një shtatzëni e mundshme. Në vend të kësaj, studiuesit supozonin se nëse një ilaç ishte i sigurt dhe efektiv tek burrat, atëherë do të ishte edhe tek gratë.

Por kjo është shumë larg së vërtetës. “Thelbi është se ne nuk dimë aq sa duhet për biologjinë e grave dhe lidhjen e trupit të gruas me dhimbjen,” thotë Losin, profesoreshë e asociuar Bennett Pierce për Kujdesin dhe dhembshurinë në moshën e rritur dhe plakje në Universitetin Penn State.

Megjithatë, shkencëtarët po zhvillojnë disa teori për arsyet pse gratë e përjetojnë dhimbjen ndryshe dhe si kjo kufizon opsionet e tyre për t’u trajtuar.

Pse ilaçet kundër dhimbjes nuk janë aq efektive për gratë?

Shumica e teorive mbi arsyet pse disa ilaçe kundër dhimbjes nuk funksionojnë po aq mirë tek gratë lidhen me hormonet seksuale, thotë Kiran Patel, drejtor i mjekësisë së dhimbjes në Lenox Hill Hospital Northwell Health në Nju Jork.

Estrogjeni, të cilin gratë e prodhojnë më shumë se burrat, ngadalëson zbrazjen e stomakut, rrit përqindjen e yndyrës trupore dhe ul sasinë e disa proteinave që lidhen me ilaçet në plazmën e gjakut, të gjitha këto, sipas hulumtimeve, ndikojnë në mënyrën se si ilaçet shpërndahen dhe shpërbëhen në trup.

Sistemi imunitar i grave është gjithashtu më aktiv krahasuar me atë të burrave, pjesërisht për shkak të hormoneve seksuale. Si rezultat, gratë kanë reagime inflamatore më të forta, gjë që mund të shpjegojë pse ato përdorin më shpesh qetësues të dhimbjes të përshkruara me recetë dhe pse u nevojiten doza më të larta që i marrin për periudha më të gjata sesa burrat.

Dy lloje të barnave anti-inflamatore, të quajtura glukokortikosteroide dhe NSAID, sipas studimeve duket se u ofrojnë burrave më shumë lehtësim nga dhimbja sesa grave.

Studimet kanë gjetur gjithashtu dallime të lidhura me gjininë në reagimin ndaj opioidëve, thotë Amy Baxter, ish-mjeke në urgjencën pediatrike dhe hulumtuese e dhimbjes, e cila ka themeluar Pain Care Labs.

Disa kanë sugjeruar se gratë kanë më pak receptorë mu-opioid (receptorët mu-opioid janë proteina speciale në tru dhe sistemin nervor), proteina kryesore që lidhet me opioidët dhe rregullon dhimbjen. Kjo nënkupton se gratë mund të kenë nevojë për “më shumë opioide për të pasur të njëjtin efekt në lehtësimin e dhimbjes”, thotë Baxter. Por kjo teori mbetet ende e paqartë, pasi provat janë kontradiktore, disa studime nuk kanë gjetur asnjë dallim në dozat për gratë që përdorin opioide, ndërsa të tjera kanë sugjeruar se atyre u nevojiten doza më të ulëta.

Pse gratë kanë më shumë efekte anësore nga qetësuesit e dhimbjes?

Për shkak se historikisht gratë janë përjashtuar nga hulumtimet klinike, shumë barna kanë efekte anësore dhe rreziqe sigurie të panjohura.

Një studim i vitit 2020 zbuloi dallime të mëdha gjinore në mënyrën se si trupi përpunon 86 barna të ndryshme, duke përfshirë morfinën dhe prednizonin. Pothuajse të gjitha këto barna metabolizoheshin më ngadalë tek gratë se te burrat, gjë që çonte në koncentrime më të larta të barnave në gjak dhe më shumë efekte anësore, përfshirë marramendje, dhimbje koke, konvulsione dhe halucinacione.

Efektet anësore nga disa barna janë herë pas here kaq të rënda sa gratë refuzojnë të marrin doza më të larta, thotë Patel, ose nuk e marrin ilaçin fare.

Në rastet serioze, barnat janë tërhequr për të mbrojtur gratë nga dëmet e mëtejshme. Midis viteve 1997 dhe 2001, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) tërhoqi 10 barna me recetë nga tregu në SHBA, 8 prej tyre u tërhoqën sepse paraqisnin rreziqe më të mëdha shëndetësore për gratë, sipas një raporti të vitit 2001 nga zyra e llogaridhënies së qeverisë së SHBA-së.

Barni Posicor i cili ishte miratuar për trajtimin e anginës dhe presionit të lartë të gjakut, u zbulua se ngadalësonte ose ndalonte rrahjet e zemrës tek njerëzit e shëndetshëm, veçanërisht tek gratë e moshuara. Dy antihistaminikë të shitur nën emrat e markës Seldane dhe Hismanal u tërhoqën sepse rritnin rrezikun e një aritmie të zemrës potencialisht fatale tek gratë.

Patel thotë se këto të dhëna reflektojnë atë që ajo sheh në klinikën e saj dhe thekson nevojën për të dhënë doza të ndryshme për burrat dhe gratë, për të shmangur efektet anësore të panevojshme.

Pasojat e dhimbjes së patrajtuar

Gratë që nuk marrin lehtësimin e dhimbjes që u nevojitet mund të përjetojnë pasoja gjatë gjithë jetës. Sipas Patel, gjendja e tyre ka më shumë gjasa të përkeqësohet, duke zgjatur kohën e rikuperimit dhe duke rritur mundësinë e zhvillimit të komplikimeve nga procedurat. Ndërkohë, detyrat e përditshme si puna, larja e rrobave, apo kujdesi për fëmijët bëhen jashtëzakonisht të vështira ose të pamundura për t’u kryer.

Baxter shton se nuk ndihmon fakti që gratë “kanë më shumë përgjegjësi që nuk mund të negociohen”. Për shembull, një sondazh Gallup i vitit 2019 zbuloi se gratë në marrëdhënie heteroseksuale kishin më shumë gjasa të gatuanin, pastronin, lanin rrobat dhe enët, bënin pazarin dhe kujdeseshin për fëmijët çdo ditë. “Nëse je një burrë që vuan nga dhimbja, është shumë më e lehtë në shoqëri të pushosh. Por ekzistenca e një gruaje do të thotë se nuk ka mënyrë për t’u tërhequr… dhe kjo mund të kontribuojë në perceptimin tonë të dhimbjes. Dhe për gratë, të qenit i paaftë është një problem më i madh”, shton Baxter.

Me kalimin e kohës, dhimbja akute mund të shndërrohet në dhimbje kronike, thotë Patel. Tek disa njerëz, kjo mund të shfaqet si ankth ose depresion, tek të tjerët, mund të shfaqet si përdorim i lëndëve narkotike në një përpjekje për vetë-mjekim. Dhe kur përfshihen opioidët varësues, rreziqet janë më të larta, thotë Baxter.

“Për shkak se gratë kanë një shkallë të caktuar të mungesës së shpërblimit, ato janë më të prirura ndaj varësisë dhe mbidozës nga opioidët”, thotë Baxter. “Kështu që kur gratë fillojnë të keqpërdorin opioidët, sasia që përdorin rritet më shpejt dhe kanë më shumë dëshira për t’i përdorur”.

Gratë gjithashtu mendohet se kanë një tolerancë më të ulët ndaj opioideve për shkak të dallimeve në masën trupore dhe metabolizëm. Prandaj, ato mund të mbidozojnë dhe të zhvillojnë varësi nga sasi më të vogla të drogës.

Të dhënat janë shqetësuese. Edhe pse më shumë burra vdesin nga mbidozat e opioidëve me recetë sesa gratë çdo vit, vdekjet tek gratë janë rritur me 642% që nga viti 1999 krahasuar me 439% tek burrat, sipas NIH.

Cila është e ardhmja e lehtësimit të dhimbjes për gratë?

Ekspertët thonë se nevojitet më shumë punë për të përmirësuar transparencën brenda provave klinike, në mënyrë që gratë të kenë mundësi të sigurta dhe efektive për lehtësimin e dhimbjes.

Megjithatë, ka pasur disa përmirësime. Për shembull, studiuesit po përpiqen të identifikojnë biomarkerë që mund të matin dhimbjen e grave dhe të përshpejtojnë zhvillimin e trajtimeve të reja.

Ndërkohë, vetë-avokimi është thelbësore për gratë që përballen me dhimbje, thotë Losin.

“Kur ndërveprojmë me sistemin tonë shëndetësor, duhet të avokojmë me të vërtetë për veten, sepse kjo nuk ndodh domosdoshmërisht vetë”, thotë ajo. “Jo se duhet të jetë përgjegjësia jonë, por sa më shumë hulumtim që të bëni paraprakisht për të marrë pjesë më aktivisht në kujdesin tuaj, aq më mirë do të jeni”.

  • Katie Camero
  • E përktheu për QIKA Anita Vllahiu
  • Lexoni artikullin origjinal këtu

Të tjera