Foto: Danella Arsovska (faqja zyrtare në Facebook)
Foto: Danella Arsovska (faqja zyrtare në Facebook)

Skandal: U sulmua fizikisht kryetarja e Shkupit – Danella Arsovska 

Kryetarja e Qytetit të Shkupit – Danella Arsovska është sulmuar mesditën e sotme në Çair të Shkupit. 

Ministria e Punëve të Brendshme e ka konfirmuar rastin duke thënë se rastin e ka konfirmuar një person me inicialet A.J. i cili ka deklaruar se Arsovska u sulmua fizikisht gjatë kryerjes së detyrës. 

“Më 11.7.2025 në orën 12:15, A.J. raportoi në SPB Shkup se gjatë kryerjes së detyrave të punës në rrugën ‘Kumbara’, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht dhe se disa persona e kanë kërcënuar verbalisht. Ajo nuk ka dashur të paraqesë kallëzim për incidentin, pas së cilës ka shkuar në Qendrën e Komunës ‘8 Shtatori’ për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e MPB-së.

Në ndërkohë, Arsovska ka deklaruar se sulmi është kryer nga Sulejman Lamallari, duke shtuar që struktura të Ministrisë së Punëve të Brendshme po bëjnë çmos ta mbrojnë Lamallarin. 

Pas këtij rasti ka reaguar edhe Komuna e Çairit, të cilët dënuan incidentin. 

“Ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti. Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë territor”, thanë nga Komuna e Çairit. 

LSDM-ja e dënoi sulmin ndaj zyrtarëve të Qytetit të Shkupit. 

“Ky sulm brutal është pasojë e atmosferës së frikës dhe mungesës së ligjit që e ka krijuar kjo qeveri”, deklaruan nga LSDM-ja, duke shtuar se në momentin që sulmohet krimi, institucionet nuk të mbrojnë. 

Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit gjithashtu e dënoi sulmin.

“Çdo sjellje e tillë është e papranueshme dhe përtej logjikës së shëndoshë. Njëkohësisht, kërkojmë që institucionet të hedhin dritë mbi rastin, derisa të zbulohet përfundimisht e vërteta dhe të vërtetohen faktet e rastit që ka trazuar publikun”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 

Rastin e dënoi edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. 

“Aktet e dhunës, sulmet verbale dhe përpjekjet për të penguar zyrtarët institucionalë në kryerjen e obligimeve të tyre përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe funksionimit të shtetit ligjor. Pavarësisht përkatësisë politike apo pozitës institucionale, asnjë zyrtar nuk duhet të jetë objekt i linçimit publik apo agresionit fizik dhe verbal”, thanë nga BDI. 

Në lidhje me sulmin fizik ndaj kryetares së Qyteitt të Shkupit, Danela Arsovska, ka reaguar dhe Komiteti i Helsinkit. Ata kërkojnë hetim të shpejtë, të pavarur dhe padi ndaj të dyshuarve. 

“Komiteti i Helsinkit kërkon hetim për punonjësit policor që nuk e kanë penguar sulmin ndaj kryetares Arsovska”, reagoi Komiteti i Helsinkit, duke shtuar se “fuqishëm e dënon sulmin fizik dhe verbal ndaj Arsovkës”. 

Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar. 

Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Ajo pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje, ku akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje.

Të tjera